Roosevelt e filloi Paqen e gjatë, por tash dikush mund t'i japë fund asaj

Roosevelt e filloi Paqen e gjatë, por tash dikush mund t'i japë fund asaj
  • 09 February 2017 - 08:06

Siguria e Amerikës forcohet nga aleancat e saj të thella dhe të gjera në botë

Shkruan: Fareed Zakaria

 Gjatë ditëve të tij të para në detyrë, presidenti Trump ka filluar zhbërjen e të arriturave të tetë vjetëve të fundit në politikën e brendshme. Por, në lidhje me raportet e SHBA-së me botën, Trump duket edhe më radikal. Me fjalë dhe vepra, ai duket se është duke u larguar nga ideja e Amerikës në qendër të një rendi të hapur ndërkombëtar, të bazuar te ligji. Kjo do të paraqet zhbërje të më shumë se 70 viteve të politikës së jashtme të Amerikës. Në një ese të botuar në "New York Review of Books", Jessica T. Mathews thekson se, që nga viti 1945, amerikanët e të dy partive më të mëdha politike, kanë pranuar tri parime. Së pari, se siguria e Amerikës forcohet nga aleancat e saj të thella dhe të gjera në botë. Së dyti, se një ekonomi e hapur globale, nuk është lojë pa fitues, por ia mundëson SHBA-së që të lulëzojë dhe të tjerëve që të përparojnë. Dhe, në fund, edhe pse ka pasur debat rreth asaj se a duhen diktaturat "të tolerohen, menaxhohen apo kundërshtohen", në fund ka mbizotëruar besimi te demokracia dhe përparësitë e saj. Mathews vëren se, për 30 vjet, Trump ka sulmuar pikëpamjet e tilla, duke i cilë- suar si naive, dhe të cilat ia kanë mundë- suar botës që ta shfrytëzonin Amerikën.

Churchill ishte i përkushtuar ndaj vazhdimit të sundimit të Britanisë perandorake

Duke pasur parasysh shkallën e ndryshimit politik, ia vlen që të rikujtojmë pse SHBA-ja e kishte miratuar këtë qasje të orientuar kah jashtë. Ajo filloi me presidentin Franklin D. Roosevelt, sikur që shpjegon Nigel Hamilton në librin e tij të mrekullueshëm "Commander in Chief". Në vitin 1943, derisa fitorja ende ishte perspektivë e largët, Roosevelt filloi ta imagjinonte një sistem ndërkombëtar të pasluftës. Hamilton na shfaqë në mënyrë të shkëlqyeshme parashikimin, përkushtimin dhe aftësitë e Rooseveltit në themelimin e rendit të ri botëror. Asnjëri ndër aleatët kyç të luftës të FDR-së nuk ishin aq të interesuar ndaj qasjes së tij. Joseph Stalin, një autokrat komunist, do t'u rezistonte shumicës së ideve të tij, derisa Winston Churchill me kokëfortësi ishte i përkushtuar ndaj vazhdimit të sundimit të Britanisë mbi perandorinë e saj të madhe. Roosevelt dëshironte diçka tjetër: arritjen e një paqeje të qëndrueshme, ku mund të lulëzonte liria. Kjo nënkuptonte dorëzimin e pakusht të Gjermanisë dhe Japonisë, me qëllim të spastrimit të tyre nga nazismi dhe militarizmi. Dhe, ajo nënkuptonte që Britania dhe Franca duhej të hiqnin dorë nga kolonitë e tyre në Azi dhe Afrikë. Roosevelt urrente sistemin e eksploatimit kolonial dhe besonte se ai rend krijoi kushtet që çuan deri te revolucioni dhe lufta. Ai po ashtu donte tregti të lirë, në vend të proteksionizmit të viteve 1930. Për ta siguruar tërë këtë, FDR kuptonte se SHBA-ja do të duhej të ishin vazhdimisht të ngarkuara me botën në një mënyrë sikur kurrë më parë.

BRSS-ja ishte penguesi i madh i vizionit të Amerikës

Hamilton përshkroi në mënyrë të gjallërishme sesi Roosevelt kishte vazhduar të merrej me planifikime të pas luftës. Derisa Kongresi dhe populli ende hezitonin të hynin në luftë, ai bënte plane për t'u siguruar që Amerika me të vërtetë do të punojë për ta ruajtur paqen. Ai kishte nevojë për mbështetjen e Churchillit dhe Stalinit, për këtë shkak, ai vazhdoi kërkimin e tij nëpër glob, për t'i takuar ata nëpër samite. Vizioni i Roosevelt-it për një sistem global, nuk doli të ishte në tërësi sikur që e paramendonte ai, kryesisht për shkak të BRSS-së dhe të sjelljes së saj të pas luftës. Por, tanimë ka ndodhur shumëçka, duke filluar nga OKB-ja e deri te një sistem më i hapur global e deri te dekolonizimii perandorisë evropiane. Dhe, penguesi i madh i vizionit të Amerikës, BRSS-ja, u vetëshkatërrua në vitin 1991. Rezultatet qenë madhështore. Shumë historianë kanë theksuar se jetojmë në kohë të paprecedente. Periudha nga viti 1945 karakterizohej nga mungesa e luftës midis dy fuqive të mëdha. Pjesa më e madhe e historisë së mëparshme njerë- zore paraqet rrëfim të luftës ekonomike, konflikteve politike dhe luftërave të vazhdueshme. Që nga viti 1945, ne kemi jetuar në atë që John Lewis Gaddis e përshkruan si "Paqe e gjatë". Përgjatë kësaj Paqeje të gjatë, ne kemi pasur edhe dekada të rritjes së rrogave, standardit të jetës dhe shëndetit në tërë botën, sidomos në SHBA. Kur Roosevelt kishte filluar me dizajnimin e sistemit të tij, ai ishte kundërshtar. Idetë dominuese të politikës së jashtme amerikane asokohe paraqiteshin nga një lëvizje e ashtuquajtur "America First" (Amerika në rend të parë). Nativiste, izoluese dhe antisemitike, kjo lëvizje mendonte se orientimi i Amerikës kah jashtë ishte politikë për idiotët. U desh të vinte Hitleri dhe Lufta II Botërore, që amerikanët të shihnin se, për një vend të madhësisë dhe nivelit të Amerikës, izolimi dhe shikimi i interesave të ngushta do të çonte deri te pasiguria dhe shkatërrimet në botë. Pyetemi sa kohë do t'u duhet mbështetësve të sotshëm të "America First" ta mësojnë mësimin e njëjtë.  

(Më gjerësisht mund të lexoni në gazetën Kosova Sot)

(Kosvoa Sot)