Edhe Shqipëria mund ta mbrojë sovranitetin e Kosovë

Edhe Shqipëria mund ta mbrojë sovranitetin e Kosovë
  • 10 February 2017 - 08:14

SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI

Kjo deklaratë e Kuçit është sa skandaloze aq edhe e dëmshme si politikisht, ashtu edhe në aspektin kombëtar dhe të sigurisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse pa dijen dhe pa lejen e Qeverisë së Shqipërisë, ai në Tiranë (në një panel të organizuar në Universitetin Evropian), më 7 shkurt 2017, botërisht pohoi përpara armiqve të Kosovës dhe të Shqipërisë, se "Shqipëria s'mund ta mbrojë sovranitetin e Kosovës"! Ky konstatim absurd dhe irracional nuk ka kurrfarë vlere për mbrojtjen, për avancimin e as për fuqizimin e interesit të përgjithshëm kombëtar e as shtetëror të Kosovës dhe të Shqipërisë, por është vetëm në favorin e propagandës dhe të politikës së Serbisë, që ta "disiplinojë" Tiranën zyrtare, të heshtë dhe të mos përzihet në çështje të Kosovës, sepse "Kosova është provincë e Serbisë". Ja, ky "është efekti politik" i konstatimit kuturu dhe naiv i Hajredin Kuçit (!) Gjithashtu, kjo deklaratë është në kundërshtim flagrant me bashkëpunimin e ndërsjellë të Kosovës dhe të Shqipërisë, të konkretizuar me " 11 Marrëveshjet, memorandumet dhe protokollet për fushat e SIGURISË, të arsimit, të bujqësisë, të ekonomisë, të financave, të tregtisë dhe të kulturës", të përfunduara në Tiranë, më 23 mars të vitit 2015 në mbledhjen e përbashkët historike të Qeverisë së Shqipërisë dhe të qeverisë së Kosovës. Pra, nuk ka asnjë dyshim se prononicimi i Hajredin Kuçit në Tiranë, se "Shqipëria s'mund ta mbrojë sovranitetin e Kosovës", është një lajm i gëzueshëm dhe i mirëseardhur vetëm për Beogradin zyrtar, se gjoja, sipas Kuçit, "sovraniteti i Kosovës nuk do të mbrohet" nga ana e Shqipërisë

Shqipëria të kërkojë reflektim nga Qeveria e Kosovës

Këtë do të duhej ta kërkonte kryeministri Edi Rama, që homologu i tij kosovar, Isa Mustafa, të kërkonte sqarim dhe përgjegjësi nga zëvendëskryeministri i tij, Hajredin Kuçi, për shkak se, në emër të Shqipërisë ka thënë një të pavërtetë të turpshme dhe të paqëndrueshme, se gjoja"Shqipëria s'mund ta mbrojë sovranitetin e Kosovës"(!) Ky është një nonsenes, që nuk ka të bëjë vetëm me politikën e të dy vendeve, por para së gjithash me MBROJTJEN DHE me SIGURINË e tyre, gjë që kjo përbën "sekret shtetëror" edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën. Mirëpo, edhe sikur të ishte ashtu, siç ka konkluduar Kuçi, kjo nuk është çështje e Hajredinë Kuçëve e as Hashim Thaçëve të Qeverisë së Kosovës, por vetëm e institucioneve përkatëse shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të titullarëve të tyre ( kryeministri, presidenti dhe kryetari i Parlamentit). Ndaj, e pranuam se pranuam, deklarata e theksuar e Hajredin Kuçit (direkt dhe indirekt) është tendencë e përzierjes në çështje të brendshme të Republikës së Shqipërisë. Prandaj, sikur Kosova, të kishte pasur kryeministër të mirëfilltë (jo të aliazhuar në koalicionin hibrid shtetëror: PDK+Srpska lista+LDK) për një deklaratë të tillë skandaloze, sigurisht se, do të duhej ta kishte revokuar nga posti i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçin, para as ai të kthehej-arritur në Prishtinë nga Shqipëria.-Çfarë egjre politike është kjo, pse ky konkluzion paragjykues i Kuçit, të vete në Tiranë për ta siguruar Serbinë, se "Shqipëria nuk mund ta mbrojë Sovranitetin e Kosovës"?! Çfarë "teme" është kjo, kush e kërkoi këtë "sqarim", kur Kosova momentalisht është e mbrojtur nga Amerika dhe nga NATO-ja, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria? Ky gabim politik është absolutisht i pafalshëm për një zëvendësministër siç është Hajredin Kuçi. - Po, edhe sikur të kishte qenë ashtu, Hajredin Kuçi do të duhej ta pohonte të kundërtën, që të mos përligjte këtë bindje të Serbisë dhe të aleatëve të saj ballkanikë dhe evropianë me Rusinë në krye, sepse Serbia e di shumë mirë, kush është Hajredin Kuçi dhe kush është Shqipëria. Këtë e provon edhe gjendja faktike në terren.

Mungesa e bashkëpunimit

Këtë farë "përralle politike" të Hajredin Kuçit, sa herë e kanë deklaruar propaganda, politika dhe diplomacia e regjimit fashistoid të Slobodan Milosheviqit (1989- 1999), sepse nga tradhtarët filoserbë, me kohë piromanët serbomëdhenj e kishin nuhatur, se ku po lëvizte kryekomandanti i UÇK-së ADEM JASHARI, si dhe Shqipëria nuk do ta mbronte ushtarakisht Kosovën, ngase kjo nuk kishte politikën e as diplomacinë pragmatike të saj, si rrjedhim i mungesës së bashkëpunimit dhe të bashkërendimit me politikën dhe me diplomacinë e Tiranës zyrtare. -Fatkeqësisht, ashtu edhe ndodhi, në mungesë të ndihmës dhe të mbështetjes ushtarake të Shqipërisë, Beogradi e dogji Kosovën dhe masakroi e vrau mbi 12.000 shqiptarë;shpërnguli mbi 1 milion sish; dhunoi mbi 20 mijë femra shqiptare, si dhe zhduku mbi 3000 mijë shqiptarë. Mirëpo, për këtë gabim tragjik, nuk duhet gjykuar vetëm shtetarët e Shqipërisë, por edhe politikën e gabuar të Ibrahim Rugovës, i cili nuk kishte kurrfarë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi me qarqet zyrtare të Shqipërisë,si dhe nuk kërkoi kurrfarë ndihme ushtarake mbrojtëse nga ana e Shqipërisë ngase ushqente iluzione dhe ëndrra të shkreta se me "politikën pasive paqësore" të tij, do ta çlironte dhe do ta pavarësonte Kosovën nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale (1912-1999). Ky ishte gabimi fatal dhe i pakorrigjueshëm i politikës së Rugovës, ngase jo më pak se 10 vjet e vonoi kryengritjen e armatosur të rezistencës gjithëpopullore kundër pushtuesve barbarë serbë. Mirëpo, çuditërisht, një politikë të këtillë të dështuar, edhe sot e mbështesin disa përfitues të drejtpërdrejtë, si dhe disa qarqe të caktuara politike, të cilave ua kishte lehtësuar "darën", që të mos e fusnin në luftë Shqipërinë për ta shpëtuar Kosovën (1989-1999).

Si Hajredini, ashtu edhe Serbia, le ta dinë mirë, se Kosova është e Shqipërisë, e cila do ta mbrojë Kosovën nga çdo rrezik invadues i jashtëm!

Prandaj, në këtë rast, deklarata propagandistike e Kuçit se "Shqipëria nuk mund ta mbrojë Kosovën" është vetëm një gënjeshtër propagandistike për ta gëzuar Serbinë dhe, më së shumti për t'i frikësuar dhe lëkundur shqiptarët nga besimi i patundur dhe nga dashuria e tyre e madhe për Shqipërinë. Mirëpo, kësaj propagande perverse nuk duhet besuar asnjë shqiptar, sepse kurdoherë, që do ta lypë nevoja,Shqipëria do të jetë e gatshme dhe do të ketë potencial të mjaftueshëm për ta mbrojtur jo vetëm Kosovën, por të gjithë shqiptarët në Ballkan. Vetëm në këtë mënyrë, në frymën e bashkëpunimit dhe të bashkërendimit të ndërsjellë politik, kombëtar, diplomatik, ekonomik, kulturor, arsimor dhe ushtarak, mund të fuqizohet kombi shqiptar në Ballkan, si dhe Shqipëria e Kosova, të cilat nuk kanë kurrfarë alternative tjetër veç ribashkimit të tyre sa më parë të jetë e mundur. Ky do të ishte shpëtimi dhe mbrojtja e sovranitetit të Kosovës, jo izolimi i njërës prej tjetrës, sipas "formulës" së Hajredin Kuçit, se gjoja "Kosova nuk ka nevojë për mbrojtjen dhe për ndihmën e Shqipërisë", sepse sipas paragjykimit naiv të tij, "Shqipëria nuk e ka një mundësi të tillë"!? Përkundrazi, Shqipëria mund ta mbrojë Kosovën dhe Kombin Shqiptar në Ballkan, por kjo nuk varet vetëm prej Shqipërisë, por prej të të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Vërtet, nëse Hajredin Kuqët, Hashim Thaçët dhe Isa Mustafët vazhdojnë me politikën e gabuar, të nënshtruar dhe të dështuar të Ibrahim Rugovës "shah më vete", pa u konsultuar dhe pa u dakorduar me Shqipërinë, ashtu siç ndodhi mjerisht gjatë viteve 1990-1999, sigurisht se Shqipëria nuk do të jetë në gjendje, që ta ndihmojë "sovranitetin e Kosovës", ashtu siç ka deklaruar ministri i Drejtësisë së Kosovës Hajredin Kuçi në një debat në Universitetin Evropian të Tiranës, më 7 shkurt 2017.

Në politikë asgjë nuk mbetet për "botën tjetër"! Ja, edhe kryeministrit Edi Rama i erdhën "dy minutat" e tij, që t'u revanshohet zyrtarëve kosovarë, të cilët, pa kurrfarë baze e patën kritikuar, se gjoja në Beograd kishte folur në emër të Kosovës, duke harruar se ai kishte plotësisht të drejtë dhe për detyrë, të fliste për Kosovën, sepse kështu thuhet në Kushtetutën në fuqi të Republikës së Shqipërisë së vitit 1998, Neni 8, paragrafi 1, pika 1. Në këtë "temë" (të imponuar nga deklarata e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi), së pari, nevojitet t'ia përkujtojmë lexuesit, se para ca kohësh (vitin e kaluar, 2016) disa zyrtarë të qeverisë së Kosovës (në veçanti Enver Hoxhaj, ministri i Jashtëm) ashpër dhe naivisht e patën kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pse me rastin e vizitës së tij zyrtare Serbisë, në takimin me homologun e tij në Beograd, Aleksandar Vuçiq, foli në emër të Kosovës. -Çfarë nonsensi dhe injorance politike kjo, kur Shqipëria ka të drejtën historike, legjitime, ligjore dhe kushtetuese, që të flasë në emër jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Kështu thuhet në Kushtetutën në fuqi të Shqipërisë së vitit 1998: " 1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj." (Neni 8, paragrafi 1 dhe pika 1). Mirëpo, këtë të drejtë kushtetuese nuk e gëzon Kosova dhe asnjë lider politik nga trojet etnike shqiptare, jashtë kufijve të Shqipërisë, që të flasin në emër të Shqipërisë, ngase nuk janë të obliguar as me ligj dhe as me Kushtetutë. - Jo vetëm kryeministri Edi Rama, kryekuvendari Ilir Meta dhe presidenti Bujar Nishani, por çdo ministër i qeverisë apo deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka të drejtën ligjore dhe kushtetuese të flasë në emër të Kosovës, të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit, të Medvegjës, të Iliridës, të Çamërisë dhe të Malësisë së Madhe nën Mal të Zi, sepse janë pjesë të pandashme e Kombit Shqiptar dhe të Shqipërisë. Dhe, pikërisht mbi këtë bazë dhe, duke u mbështetur në Kushtetutën në fuqi (Neni 8, paragrafi 1 dhe pika 1) Shqipëria ka të drejtë dhe është e obliguar jo vetëm të flasë në emër të Kosovës dhe të shqiptarëve në Ballkan, por edhe t'i mbrojë ata. Ndërkaq, zëvendëskryeministri i qeverisë së Kosovës (Hajredin Kuqi, doktor i shkencave juridike) nuk e ka atë të drejtë, që të flasë në emër të Republikës Shqipërisë (mu në Tiranë), duke deklaruar se "Shqipëria s'mund ta mbrojë sovranitetin e Kosovës.

Pse Hajredin Kuqi të flasë në emër të Shqipërisë?

Edhe pse Hajredin Kuqi është zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, nuk ka asnjë të drejtë të flasë në emër të Shqipërisë, sepse "veza pulën nuk mund ta mësojë", thotë një fjalë e urtë popullore. Për cilin sovranitet flet Kuqi, ku është ai sovranitet i Kosovës, kur kjo ende nuk ka kufij shtetërorë (por vetëm administrativë) me Serbinë. Këtë e dëshmon edhe veriu i Kosovës, të cilin Beogradi e ka okupuar, që nga viti 1999, dhe për të është duke negociuar me Prishtinën në Dialogun e Brukselit (2011-2017)? Ku është ai sovranitet territorial, kur Serbia e ka ndarë në dysh Mitrovicën, herë me gjerdhe gjembaçësh, herë me mure "prish e ndreq" (sipas Marrëveshjeve të Brukselit), si dhe ka përzënë 90% të popullsisë shqiptare nga pjesa veriore e këtij qyteti, dhe në vend të tyre ka sjellë qindra e mijëra kolonë të rinj serb nga Serbia, të cilëve qeveria e Kosovës dhe e Serbisë u ka ndërtuar shtëpia moderne, në emër të Projektit shtetëror të Kosovës për "kthimin e refugjatëve serbë në Kosovë"?! Ku është ai sovranitet, kur Kosova (edhe pas pavarësimit, 17 shkurt 2008) ende nuk ka tërhequr vijën e demarkacionit të kufirit shtetëror me Serbinë, sepse këtë po e kundërshton Beogradi zyrtar, duke u thirrur në Kushtetutën në fuqi të Serbisë së vitit 2006, ku thuhet se "Kosova është territor i Serbisë"? Ku është ai sovranitet në praktikë, kur Kosova ende nuk ka ushtrinë e vet? Ku është ai sovranitet, kur nga Beogradi, nga ministrat dhe nga deputetët serbë të "Listës Serbe"(aleate e Qeverisë së koalicionit LDK+PDK) në qeverinë dhe në parlamentin e Kosovës, duhet të merret pëlqimi i tyre për legalizimin e Ushtrisë së Kosovës? Ku është ai sovranitet, kur OKB-ja ende as de fakto e as de jure nuk e ka njohur Republikën e Kosovës? Ku është ai sovranitet, kur edhe pas pavarësimit të Kosovës (17 shkurt 2008) një pjesë e UNMIK-ut dhe EULEX-I ende veprojnë në Kosovë mbi bazën e Rezolutës 1244 të KS të Kombeve të Bashkuara, e cila nuk e njeh pavarësinë e as sovranitetin e shtetit të Kosovës?! -Është ai sovraniteti i Kosovës me disa pushtete, sipas së drejtës ndërkombëtare ( de fakto dhe de jure)? "Fuqizimi i kombit" nuk bëhet duke lënë jashtë Kosovës, Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën! -Ky është "fuqizimi i kombit"?! Me një sovranitet të tillë të brishtë dhe të kontestuar nga OKB-ja, a mund të dokumentohet se "Kosova si shtet vetëm sa e ka fuqizuar kombin shqiptar", ashtu siç është prononcuar zëvendëskryeministri kosovar, Hajredin Kuçi? -Përgjigjja është negative!- Me çka shteti i Kosovës e ka "fuqizuar kombin shqiptar", siç ka konkluduar Hajredin Kuçi, kur Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë ngelur në sundimin e egër kolonial të Serbisë, si dhe Veriu i Kosovës po kërcënohet nga ripushtimi agresiv kolonial i Serbisë (1999-2017)? -Vetëm atëherë pasi Kosova të jetë ribashkuar me Preshevën, me Bujanocin, me Medvegjën, me Iliridën, me Çamërinë dhe me Malësinë e Madhe-Shqipërinë Etnike, mund të pranohet konstatimi hipotetik i ministrit kosovar Hajredin Kuçi, se "Shteti i Kosovës ka fuqizuar kombin shqiptar". Ndryshe, nuk mund të flitet për kurrfarë "fuqizimi" të kombit shqiptar, as të Shqipërisë Etnike. Çfarë "fuqizimi kombëtar" bëri shteti i Hajredinëve dhe i Hashimëve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kombëtare, sociale, ekonomike, kulturore dhe të ekzistencës së shqiptarëve, që të mos diskriminohen, të mos shpërngulën, të mos varfërohen, të mos shfrytëzohen ekonomikisht, të mos asimilohen dhe të mos shtypen nga regjimi "demokratik" i Malit të Zi?

Pa Amerikën, Kosova nuk mund të funksionojë si shtet i pavarur!

-Zëvendëskryeministri Hajredin Thaçi ka të drejtë kur thotë se "për të ruajtur sovranitetin e saj, Kosova mund të kërkojë ndihmë nga SHBA-ja, NATO-ja, apo BE-ja". Mirëpo, në këtë kontekst assesi nuk duhet të përjashtohet roli dhe rëndësia parësore afatgjatë dhe e përjetshme e Shqipërisë, edhe pse Kuçi kuturu ka deklaruar se gjoja "Shqipëria s'mund ta mbrojë sovranitetin e Kosovës"!? - Mendoni dhe reflektoni thellësisht se, çfarë do të ndodhte sikur një ditë Kosova të mbetej pa mbrojtjen e Amerikës dhe të NATO-s, kush do ta mbronte sovranitetin territorial dhe shtetëror të saj? Natyrisht dhe realisht, Amerika dhe NATOja duhet ta mbrojnë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, derisa kjo të ribashkohet me Shqipërinë. Këtë të vërtetë, duhet ta dimë të gjithë, se pa ndihmën e këtyre faktorëve relevantë ndërkombëtarë, Kosova nuk do të mund të "merrte frymë lirisht" (sepse, pikërisht në saje të tyre Kosova është çliruar dhe pavarësuar nga Serbia koloniale dhe gjenocidale, 1912-1999) ngase Serbia dhe Rusia, do ta gllabëronin "brenda natës". Mirëpo, në këtë kontekst të mbrojtjes së Kosovës, në asnjë mënyrë nuk duhet të injorohet dhe të përjashtohet involvimi i ligjshëm dhe kushtetues i Republikës së Shqipërisë, si anëtare e NATO-s, aleate dhe mike e ngushtë dhe luajale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, kujdes, mos e vrisni për së dyti Kosovën ! Mos e ndiqni politikën vasale dhe kapitulluese të Rugovës (1989-1999), sepse pa bashkëpunuar dhe pa bashkëvepruar ngushtë me Shqipërinë, na kanoset rreziku, që të digjemi sërish nga zjarri dhe nga flaka e gjenocidit të Serbisë. -Merrni vesh, se "pa Shqipëri nuk ka Kosovë dhe anasjelltas", kështu thotë edhe mesazhi historik dhe patriotik i një kënge të bukur popullore shqiptare.

(Kosova Sot)