A mundet Trump ta menaxhojë Korenë Veriore?

A mundet Trump ta menaxhojë Korenë Veriore?
  • 10 February 2017 - 09:48

Shkruan: Christopher R. Hill 

Një strategji efektive kërkon që të gjitha format e fuqisë së SHBA-së të përdoren

A dministrata e presidentit amerikan Donald Trump, sikur edhe shumë administrata para saj, pati një fillim jo aq të lehtë; por sfidat më të mëdha pritet ende që të vinë. Ndër to do të jenë Koreja veriore, lideri i të cilës, Kim Jong-un, përdori adresimin e tij për Vit të ri për ta bërë me dije se, vendi i tij, ka ndërtuar dhe është i gatshëm që ta provojë, një raketë balistike ndërkontinentale, të aftë që të bartë koka bërthamore. Trump, i cili asokohe ende ishte president i zgjedhur, deklaroi në "Twitter": "Kjo nuk do të ndodhë!" Mbetet vetëm të supozojmë sesi qeveria e Koresë veriore e ka interpretuar këtë deklaratë. Trump mund të ketë përdorë kërcënimet dhe ta ketë vënë një linjë zyrtare të kuqe, si metodë të tij të preferuar të komunikimit; ai ndoshta vetëm kishte bërë një parashikim, duke vënë bast kundër aftësisë teknike të Koresë Veriore. Apo, ndoshta ai vetëm dëshiron që t'i mbajë të gjithë të tensionuar rreth asaj se çka do të ndërmarrë ai. Pa marrë parasysh motivimet, Trump tani ka trashëguar problemin e vjetër të Koresë veriore - një krizë globale e cila është gjetur në listën e çdo presidenti amerikan të shqetësimeve të jashtme, që nga vitet 1980. Por, kësaj here rreziku është real: gjatë administratës Trump, Koreja Veriore mund t'i sigurojë mjetet për ta sulmuar SHBA-në me ndonjë armë të shkatërrimit në masë. Qeveria e Koresë veriore nuk është aq e interesuar në testimin e presidentit të ri, sa që është e interesuar në testimin e raketave dhe pajisjeve bërthamore. Derisa programi i tij i armatimit ka shkuar përpara, ka pasur pak përpjekje që të fshihen dështimet e kohëpaskohshme. Spekulimet rreth motiveve të Koresë Veriore, për të prodhuar armë bërthamore, janë të vjetra sa edhe vet këto tentime. Por, derisa do të ishte e dobishme që të diheshin qëllimet e vërteta të Koresë veriore, ato në fund të fundit nuk kanë rëndësi. 

SHBA-ja duhet të mbajë lidhje të forta me dy aleatët e saj regjionalë

Nuk ka opsione të mira për ta adresuar këtë problem; por përkundër kësaj, Trump nuk mundet thjesht ta injorojë atë, apo t'ia transferojë këtë problem Kinës, sikur që kishte sugjeruar gjatë kampanjës presidenciale. Një strategji efektive kërkon që të gjitha format e fuqisë së SHBA-së të përdoren, sidomos diplomacia dhe bashkëpunimi me Kinën. Edhe përtej Koresë veriore, Trump ka trashëguar sfida të vështira gjetiu në Azinë lindore. Kina ka vazhduar me qëndrimin e saj të ashpër ndaj pretendimeve të saj territoriale në Detin jugor kinez, gjë që dmth se SHBA-ja do të duhet të mbetet syçelë, për ta siguruar një qasje të sigurt ndaj linjave detare regjionale. Në ndërkohë, Koreja jugore është përfshirë në një skandal të korrupsionit, i cili kulminoi me marrjen në pyetje të presidentes së këtij vendi, Park Geun-hye. Zgjedhjet presidenciale mund të mbahen që në muajin maj, por ka shumë pasiguri përpara. Dhe, derisa raporti i Japonisë me Korenë Jugore është përmirësuar viteve të fundit, kjo mund të ndryshojë me ndryshimin e situatës politike në Korenë e jugut. Për Trump-in, çdo strategji për ta eliminuar programin bërthamor të Koresë veriore, duhet të përfshijë ca elemente. Sa për fillim, SHBA-ja duhet të mbajë lidhje të forta me dy aleatët e saj regjionalë - Japoninë dhe Korenë Jugore. Administrata e re duhet të jetë e mençur edhe gjatë ndjekjes së qëllimeve të tjera, sikur që është bashkëpunimi tregtar dhe ushtarak, me këto vende. Që të dy këto aspekte tentojnë që të jenë tepër të ndjeshme ndaj ndryshimeve të opinionit publik dhe SHBA-ja duhet të përkujdeset që të mos i përkeqësojë dhembjet rreth çështjeve sekondare, sidomos gjatë atij që parashikohet të jetë vit turbulent në Korenë Jugore. 

Mënyra më e mirë për ta përmbytur pozicionin strategjik të Kinës

Natyrisht, vështirësia e menaxhimit të këtyre dy aleancave, zbehet përballë menaxhimit të raporteve me Kinën. Sa i përket Kinës, problemi i Koresë veriore nuk mund të tkurret vetëm në shqetësimet rreth kolapsit të regjimit dhe valës pasuese të refugjatëve. Mendimi i zyrtarëve kinezë rreth Koresë veriore dallon dhe ato nuk janë të gjitha të favorshme; por sipas një mendimi të rëndësishëm, rënia e Koresë veriore mund të prekë interesat themelore të Kinës, nëse ndryshimet në gadishullin korean mund ta vejnë Kinën në disavantazh ndaj SHBA-së. Pas zgjedhjeve amerikane, duket se Trump dhe këshilltarët e tij kanë arritur deri te konkludimi se, mënyra më e mirë për ta përmbytur pozicionin strategjik të Kinës, ishte duke riekzaminuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme, duke përfshirë edhe atë të "një shteti kinez". Kjo strategji supozon se Kina, në fund të fundit, do të bëjë lëshime, me qëllim të rimarrjes së statusit të saj të çmueshëm, si e vetmja qeveri kineze që njihet nga SHBA-ja. Por, sipas fjalëve të Trump-it, "kjo nuk do të ndodhë". Kina nuk është kontraktues i dytë i një projekti ndërtimor dhe ajo i ka mjetet në dispozicion për të bërë presion ndaj administratës së re amerikane. Ngritja e çështjeve të cilat ka kohë që janë zgjidhur, nuk është e dobishme për një bashkëpunim bilateral, duke përkeqësuar edhe më shumë mosbesimin midis Kinës dhe SHBA-së. Qeverisja ka të bëjë me caktimin e prioriteteve dhe politika amerikane karshi Kinës shpesh ka pasur për qëllim arritjen e shumë qëllimeve, pa iu ndalur për të pyetur se cilat nga këto objektiva mund të kenë më shumë rëndësi se tjerat. Tani i ka mbetur administratës Trump që ta bëjë një vlerësim të qartë rreth interesave të SHBA-së në regjion dhe të caktojë prioritetet politike, në pajtim me këtë. mbetet që të shpresojmë që kjo administratë do të përqendrohet te kërcënimi bërthamor i Koresë veriore, i cili është shumë real dhe mund të bëhet akut më herët sesa që mund të parashikohet nga ndokush.

(Christopher R. Hill aktualisht është dekan i Shkollës Korbel për studime ndërkombëtare, në Universitetin e Denverit) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)