< Nyrenbergu i tretë për Kosovën e vogël - Opinione - Kosova Sot
Nyrenbergu i tretė pėr Kosovėn e vogėl

Nyrenbergu i tretė pėr Kosovėn e vogėl

Tendenca për të harruar gjenocidin serbian

SHKRUAN: PROF.DR. HAKIF BAJRAMI

Më duhet të them se në Zyrën Politike të UÇK-së që e drejtonte Adem Demaçi, është punuar dhe janë udhëzuar të gjitha shtabet e zonave operative, se me përpikëri duhet të veprojnë sipas Konventave të Gjenevës, mbi luftën nga vitet 1948/9. Dhe në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë përjashtim

Tani po kompletohet Gjykata Speciale, për t'i dënuar "krimet" e supozuara nga UÇK-ja, së cilës bashkësia ndërkombëtare do t' i bëjë gjykim të posaçëm në bazë të rrenave dhe intrigave të Dik Martit. Këtu pista e intrigave e ka fillimin. Po kur do të pushojnë intrigat, askush nuk e di. Këtë e dinë vetëm Serbia, Rusia me mercenarë etj., që kanë bërë krime kundër njerëzimit dhe gjenocid klasik në Kosovë, duke i deportuar jashtë saj mbi një milion shqiptar më 1999, plus pa i llogaritur të vrarët, të dhunuarat dhe të hedhurit nëpër puse e gremina, duke bartur kufoma deri në Beograd, për të humbur gjurmë. Akuzë e rëndë peshon mbi moralin dhe drejtësinë ndërkombëtare. Dhe, në vend që të nxjerrë mësim, BE po provon ta barazojë viktimën me xhelatin. Faktet po flasin vetë. Ne nuk kemi pasur të drejtë as t'i numërojmë viktimat, përpos UNMIK-ut, ne nuk kemi pasur të drejtë as të organizojmë hetime, gjykime dhe tash na akuzojnë se "dëshmitarët e mbrojtur" në Kosovë nuk janë të sigurt. Duhet Gjykatë Speciale nyrbergiane, madje në Hagë të Holandës, aty ku duhet të hetohet dhe gjykohet për Srebrenicën dhe Zhepën së bashku me KS e OKB-së. Në besë të tyre është kryer gjenocidi. Tani duan ta dënojnë popullin e Kosovës së vogël, me intriga dhe Gjykatë Speciale, që do të quhet në histori si Nyrenbergu i Tretë.

Fundi i kolonializmit

Të gjitha kolonitë e shteteve imperialiste evropiane janë çliruar në saje të luftës së drejtë. Asnjë kolonizator deri më sot, nuk ka hequr dorë nga kolonia me dëshirë e me daulle, por me fuqinë e armës çlirimtare, me luftën e drejtë. Si shembuj për këtë fenomen jo mirë të sqaruar në historiografinë botërore mund të japim me qindra shembuj. Në lidhje me këtë, edhe Serbia (lexo dy Jugosllavitë) në Kosovë (me popullin shqiptar shumicë 92%), janë konsideruar shtete okupatore. Çlirimi ishte bindja me kohë se do të arrijë vetëm me fuqinë e luftës së drejtë. Lufta shqiptare për çlirim ka qenë e ngjeshur evolutivisht me reagime, greva, padëgjushmëri qytetare, kryengritje lokale dhe popullore, demonstrata dhe mospajtime civilizuese. Të gjitha kërkesat për liri dhe barazi të shqiptarëve, si komb i tretë në Jugosllavinë titiste, janë injoruar nga BE, janë luftuar dhe janë propaganduar nëpër botë si kërkesa të jashtëligjshme. Dhe kur u amortizuan të gjitha mundësitë për t'u barazuar me kombet tjera me një Republikë të Kosovës, brenda Jugosllavisë, kur makineria vrastare serbiane-fashiste filloi sistematikisht të na largojë nga puna, shkolla, institucionet shtetërore dhe shkencore, informative, shëndetë- sore dhe kulturore, nuk mbeti rrugë tjetër, vetëm se t'i marrim armët dhe me fuqinë e tyre, me çmimin se do të vritemi deri në 300 000 persona, por që do ta fitojmë lirinë e paguar shumë shtrenjtë me vargoj gjaku. Dhe, kur makineria ushtarake, politike dhe paramilitare e mercenare-fashiste serbiane kujtoi se jemi të vendosur për ta fituar lirinë, atëherë e filloi më 1998/9 aksionin tredimensional: me na vra aty- këtu, duke bombarduar fshatra të tëra, duke shfarosur familje të tëra, duke privuar nga ekonomia në tokën tonë, duke na deportuar mbi një milion jashtë Kosovës, me dhunime të papara, të cilat KS i OKB me 31 mars 1998, me Rezolutën nr.1160, duke u mbështetë në Kartën e OKB, në Kaptinën VII, që do të thotë se agresori gjakatar mund edhe të bombardohet, atëherë filloi një gjenocid i paparë në Evropën e pas luftës, për ta vënë çështje shqiptare para aktit të kryer. Dhe ashtu u provua të ndodhë.

Demaçi i udhëzonte shtabet e UÇK-së se me përpikëri duhet të veprojnë sipas Konventave të Gjenevës

E vetmja forcë që i doli krah popullit duarthatë ishte UÇK, me armët e saj modeste. Më duhet të them se në Zyrën Politike të UÇK-së që e drejtonte Adem Demaçi, është punuar dhe janë udhëzuar të gjitha shtabet e zonave operative, se me përpikëri duhet të veprojnë sipas Konventave të Gjenevës, mbi luftën nga vitet 1948/9. Dhe në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë përjashtim. Faktet dihen, janë të ruajtura dhe ato BE i di fare mirë, por prapa perdes tani do diçka tjetër që koha do ta dëshmoj se "nuk paska qenë për luftë të drejtë fare. (Hulumto Kuvendin e Kishave më 27 maj 1999 në Beograd dhe aty dihet se çka na përgatitej publikisht…) Por, gjatë këtyre 18 viteve që Serbia është larguar definitivisht nga Kosova, pothuajse nuk ka zonë operative e Kosovës që nuk janë hetuar dhe dënuar e stërdënuar çlirimtarët, me insinuata dhe dëshmi që janë mercenarizuar dhe paguar nga disa prokurorë dhe hetues ndërkombëtarë, që tani nuk janë këtu. Lidhur me këtë, po e shënoj një FENOMEN. Më 1919 pushteti i Mbretërisë SKS (Nikolla Pashiqit dhe Kralit) do të lëshojë komunikatë të gjithë sllavëve që jetonin në Kosovë se: "Kush del dhe e akuzon ndonjë shqiptar, apo familje shqiptare për "krime" (të fabrikuraraHB) gjatë viteve 1916-1918, pa marrë parasysh realitetin, ai do ta ketë beneficionin e luftëtarit të Frontit të Selanikut". Dhe kështu filli ploja, saqë vetëm në Llap u masakruan mbi 3000 civilë, në Krahinën e Rugovës, Plavës, Gucisë, Pejës, deri te Tetova mbi 8000 civilë duarthatë, dhe krimi nuk u ndal deri më 1941. Bile më 1939 doli një ligj shumë ma i egër se ai i Hitlerit kur thuhet se familja shqiptare duhet t'i ketë 0.40 ari tokë, sepse duhet të deportohen në Anadoll të gjithë shqiptarët deri më 1944 (Shiko: Konventa në DASIP. B. D. II/39). Për të rifilluar e njëjta politikë më 1944 e deri më 1966, dhe për të rifilluar më 1981 e deri më 10 qershor 1999. 
Fenomeni i krijimit të një klime monstruoze pasigurie nën velin e "dëshmitarëve të mbrojtur"
Në Tribunalin e Hagës, që është një lloj Nyrenbergu i dytë, u paditën katër shqiptarë. Të gjithë u shpallën të pafajshëm. Dhe, për të pranuar fajin pushteti kriminal serb, e bëri të kundërtën, gjeti në Parlamentin Evropian një Dik Marti, dhe bëri një akuzë, për të kaluar në sulm ofensiv me insinuata, të cilat që pesë vite asnjë instancë e hetimeve nuk ka mundur t'i vërtetojë. Tani në vend se Dik Marti të paditet dhe burgoset për akuza të rrejshme, për keqpërdorim të detyrës, ndaj Kosovës (UÇK-së) fillon një fushatë e egër ku çdo njeri ka të drejtë të akuzojë dhe mos të dihet kurrë se kush është akuzuesi. Ky fenomen i krijimit të një klime monstruoze pasigurie nën velin e "dëshmitarëve të mbrojtur", u krijon hapësirë të gjithë atyre neonazistëve serbianë, por edhe individëve që nuk kanë integritet moral dhe të përfitojnë duke thurur insinuata, duke u strehuar nëpër botë, sikurse bënin dikur nazistët. Historia po përsëritet, mjerisht si tragjedi, e disa diplomatë po na teatrizojnë se kemi të bëjmë me një "farsë", që nuk ngjan me nazizmin. Në vitin 2011 BE e krijon Komisionin hetimor, sipas kërkesës së Dik Martit. Kryeprokurori i parë i këtij trillimi Clint Williamson, për të mbetur në shoqëri me Martin, do të konstatoj por kurrë nuk do të argumentoj se: "Kishte gjetur prova për të ngritur akuza ndaj UÇK-së". Kaq i duhej një stafi në BE të dirigjuar nga Serbia dhe Rusia e shumëkush që nuk duket, të barazohet viktima (Kosova) me xhelatin (Serbinë me 60 000 vrasës monstruozë që do të duhej të ishin tani në burgje sikurse nazistët e Luftës Dytë Botërore). Por, kjo "përrallë" e tentim akuzës meqë de fakto nuk pati sukses, në maj 2015 do të emërohet një mik amerikan për kryeprokuror të posaçëm i quajtur David Schwendiman. Tani, për ta plotësuar mozaikun e qitjes së UÇK-së në "peshoren" e krimit, do të detyrohet Kuvendi i Kosovës, kuptohet me shumicë votash politike, në gusht 2015 të aprovojë Ligjin për Gjykatën Speciale (Dhomat e posaçme që do të veprojnë në Hagë, pra jo të veprojë aty ku "janë kryer krimet"). A është ky Nyrenberg i tretë?. Katërçipërisht se po!. Shkojmë më tej. Në dhjetor 2016, Institucioni përkatës në Holandë e ratifikon marrëveshjen për Gjykatën Speciale. Ky ratifikim hyri në fuqi më 1 dhjetor 2017. Tani në shkurt 2017 u emëruan 19 gjykatës ndërkombëtar nga 11 shtete, dhe kështu UÇK-së po i përgatitet qefini komprometues. Prej këtyre gjykatësve 4 janë gjermanë, 2 francezë, 2 holandezë, 2 italianë, ndërsa nga një (1) deleguan: Anglia, Irlanda, Norvegjia, Zvicra, Çekia, Estonia, Kanada, ShBA,Belgjikë. Mjaft për një tragjikomedi moderne që regjinë e bëri Dik Marti me suflime të Karla Del Pontes ziliqare e lirisë njerëzore, një aristokrate që nuk mundet ta durojë lirinë dhe barazinë e vegjëlisë. 

Drejtësia për Kosovën e vogël do të fitojë megjithatë!

Kjo Gjykatë- (Aeropag) "drejtësie" e ka edhe një prapavijë të errët përbrenda Kosovës. Fjala është me i hapë terren LDK-së në Kosovë, që të mbetet parti e pakonkurrencë, sepse stafi i kësaj partie është njohur të nënshkruajë çkado që i ofrohet, pati thënë Kuk në Shkup më 1999. Qëllimi vijues është që të dobësohet shtetësia e Kosovës, dhe UÇK-ja të barazohet në "llogari" me tërë makinerinë e neofashizmit serbian. Shikoni si ka ndodhur tërthorazi me arrestimin e Ramush Haradinjat. Fjala është se "Ramushi paska kryer krime me shokë në shtetin e Serbisë, dhe ai duhet të ekstradohet në Beograd"!, sepse Serbia në Kushtetutë e konsideron Kosovën pjesë të saj. Këtu është qëllimi që Kosova të mbetet në "Pazar ende". Dhe në këtë politikë meskine disa shtete kalkulojnë ende, të paktën ta kontrabandojnë DEMARKACIONIN me Malin e Zi, deri sa ky liberator të mungojë fizikisht në Kosovë. Shikoni se si gërmazin edhe disa politikanë shqiptar se: "Duhet të kalojë Demarkacioni, se pastaj do të vijnë vizat dhe Kosova me plot diploma shkollore false të kontrabanduara do të prodhojë "intelektual" me qerre nëpër Evropë dhe gjetiu. Ikni shqiptarë se vendet e huaja ju presin, mos punoni tokën tuaj, mos u merrni me bujqësi, mos u shërbeni bashkatdhetarëve në shëndetësi, shkoni, shkoni e bëhuni rrogëtarë të hoteleve dhe bordeleve nëpër qendrat e drogës nëpër Evropë. Po, po, ishit ata që e sabotuat luftën, mos ju baballarët tuaj, mos ju të afërmit tuaj. Tani po e shtroj një pyetje. Pse Gjermania t'i delegojë 4 gjykatës e SHBA, Anglia, Franca nga një. PO, do të them se Gjermani më nuk do luftë, sepse dëmet e luftës i ka paguar derisa i ka djegur kurrizi. Ja faktet. Përveç atyre që u dënuan drejtpërdrejt në Nyrenberg, nga refleksionet e atij procesi, do të dënohen: Në zonën mbikëqyrëse të SHBA me burg të rëndë dënohen 95000 nazistë, në zonën ruse do të dënohen 67000 nazistë; në zonën angleze do të dënohen 64000 nazistë, në zonën franceze do të dënohen 19000 nazistë. Pastaj, prapë si refleksion i Nyrenbergut në zonën Britanike 320000 nazistë do të humbin të drejtën për të punuar në profesion, në zonën franceze do ta humbin të drejtën në punë të profesionit 70 000 nazistë, në zonën e SHBA-së 80 000, në zonën ruse do të humbin të drejtën të punojnë në profesionin e tyre 90 000 nazistë. Ndërsa Serbia neonaziste deri më tash askujt nuk ia ka paguar asnjë cent për katër lufta gjenocidale, nuk është dënuar as Partia Socialiste, Radikale, nuk janë dënuar deputetët që nxitnin krimet në Bosnjë (shiko diskutimet në Parlamentin e Serbisë 1992-1995), nuk janë dënuar Gjenerlashtabi, e as qeveria dhe urdhërdhënësit nëpër Kosovë. Tani po e shtroj një fakt para ndërgjegjes serbiane. Cili gjerman ka guxuar të shkojë në Kragujevc 1945- 1977? Po pse serbianët për të provokuar shkojnë në Gjakovë për çdo vit e më shpesh për të vizituar kinse një kishë. Jo kisha kanë mjaft nëpër Serbi, ata shkojnë për provokime, mos shqiptarët po reagojnë dhe të barazohen me do guralecë që hedhen mbi ta, në autobusët e tyre dhe pastaj makineria e nëntokës deri në KS OKB do të llafosë për ta si viktima. Këtë propagandë e zhvillon politika serbiane për t'u mjegulluar gjenocidi i saj, këtë politikë e do Rusia për t'u mjegulluar krimi i saj në Krime e kudo në Jug të ishBashkimit Sovjetik, po edhe në Siri e gjetiu ku po arrin. Si përfundim minimumi 40 000 zyrtarë serbianë do të duhej të burgoseshin në Serbi ose aty ku e kanë kryer krimin. Dhe nëse KS OKB do ta detyronte Serbinë t'i paguajë dëmet e luftës, JO, Serbia sot do të ishte luftëtarja më e fuqishme e demokracisë në Ballkan, por me këtë tolerim dhe nxitje për interesa të tjerëve, Serbia prapë është kthyer aty ku ishte, pa marrë parasysh se Nyrenbergu i katërt e pret kurdoherë, sepse krimet nuk vjetrohen. 

Nyrenbergu i tretë për Kosovën e vogël është ante portas

Si është e mundur të ndërtohet paqja në Ballkan me Nikolqin, Vuqiqin, Daqiqin, Sheshelin dhe shumë të tjerë, është një anakronizëm historik. E vërteta, po ngjan e kundërta, po provohet të terrorizohet Kosova me çdo mjet. Shikoni se si taktizohet dhe luhet me Ramush Haradinajn në Kolber të Francës. Çdokush thotë populli: Mos e vet se tregon vet, kush është!? Shtrohet pyetja, a po ndodh kjo Gjykatë Speciale për ta zbardhë drejtësinë (luftën e drejtë të UÇK-së), apo për ta barazuar xhelatin (Serbinë) me viktimën (popullin shqiptar), tani është çështje e njohur që nuk do koment. Por, një fakt dihet se së paku për 20 vjet do ta mbajmë kokën ulur se kemi qenë të hetuar, madje edhe të gjykuar (fakt ky që pritet të ndodhë me siguri, për ta arsyetuar shumën prej 300 milionë eurosh që ka Gjykata Speciale, PLUS harxhimet e atyre që do të pësojnë me harxhime mbrojtëse, arrijnë në një gjysmë miliard dollarë vetëm gjatë vitit 2017 e në vijim. Jo, ekonomia holandeze këtë "treg profitabil", duhet ta stimuloj dhe këtë po e bënë para syve tanë. Po, a ishin këta holandezët dhe OKB garantuese për Srebrenicën dhe Zhepën më 1995. Ku është drejtësia e tyre. Në duart e tyre ka ndodhur gjenocidi serbian në Bosnjë. Nyrenbergu i tretë për Kosovën e vogël është ante portas. Por, drejtësia për Kosovën e vogël do të fitojë megjithatë!

(Kosova Sot) 

11 orë e 59 minuta më parë