Ditë të errëta për fëmijët

Ditë të errëta për fëmijët
  • 11 February 2017 - 10:05

TMERRE TË SHUMTA NDODHËN NË BOTË VITIN E KALUAR

Ne duhet ta forcojmë kapacitetin e sistemit aktual humanitar

Shkruajnë: Anthony Lake & Isabella Lövin

Ne duhet t'i mbrojmë të drejtat, jetët dhe të ardhmen e fëmijëve më të brishtë në botë. Për këtë qëllim, ne ndihmojmë edhe në përcaktimin e së ardhmes sonë të përbashkët

Viti 2016 me gjasë do të mbahet mend për ngjarjet ushtarake dhe politike, por ai duhet të hyjë në histori edhe si njëri ndër vitet më të këqija për fëmijët, që nga Lufta II Botërore. Pamjet e fëmijëve të vdekur, të lënduar dhe të shqetësuar kanë mbushur mediet thuajse çdo ditë: një djalë i vogël i cili qëndron i tronditur pas një sulmi me bomba ndaj shtëpisë së tij, derisa nga veshët i del gjak; kufomat e vogla që gjenden në mbeturina dhe varret e vogla në brigjet e Mesdheut, të cilat shënojnë vdekjen e fëmijëve të panjohur. Këto pamje janë të fuqishme dhe të sikletshme. Dhe, përkundër kësaj, ato nuk mund ta kapin shkallën e vuajtjeve të fëmijëve. Më shumë se 240 milionë fëmijë jetojnë në zonat e konfliktit - nga fushat vrastare në Siri, Jemen, Irak dhe Nigeri veriore, e deri te zonat më pak të njohura, por po aq të goditura,në Somali, Sudan jugor dhe Afganistan. Dhe, nga të 50 milionë fëmijët që jetojnë jashtë vendeve të tyre, apo që janë zhvendosur brenda vendit, më shumë se gjysma e tyre jetojnë vazhdimisht të rrezikuar. 

Sistemi i koordinuar i reagimit humanitar

Me miliona fëmijë janë të kequshqyer dhe nuk e vijojnë shkollën; me miliona sish kanë qenë dëshmitarë të një brutaliteti të paparë, dhe me miliona të tjerë rrezikohen nga eksploatimi, abuzimi e edhe vdekja. OKB-ja - me mbështetje të vendeve, si Suedia, dhe duke punuar nëpërmes një sistemi të koordinuar të reagimit humanitar, i cili përfshin UNICEF-in - është duke lehtësuar dhembjet kudo dhe kurdo që mundet. Por, sasia dhe kompleksiteti i krizave janë duke e vënë këtë sistem në sprovë më shumë se kurrë më parë. sfidat e reja, sikur që është ekstremizmi, janë duke e rritur rrezikun për fëmijët dhe duke e bërë më të vështirë dhe më të rrezikshme arritjen e tyre. Në ndërkohë, grupet e armatosura janë duke sulmuar shkollat gjithnjë e më shumë, pastaj edhe spitalet, shtëpitë dhe duke rritur kështu vuajtjet e njerëzve të pafajshëm. Zgjidhjet politike të këtyre konflikteve janë mënyra më e sigurt e ndaljes së vuajtjeve dhe përfundimit të shkeljes brutale të të drejtave të njeriut. Por, përpos këtij rezultati ideal, ne duhet ta forcojmë kapacitetin e sistemit aktual humanitar që t'iu gjendet afër fëmijëve më të rrezikuar. Më shumë se 70 vjet më parë, liderët botërorë adresuan krizën e paprecedente humanitare, që pasoi Luftën II botërore, duke krijuar institucione të reja, për t'iu ndihmuar menjëherë atyre më në nevojë. Këto entitete të reja globale vunë themelet për një të ardhme të bazuar te bashkëpunimi, dialogu dhe rezultatet, në vend se te konflikti, shkatërrimet dhe fatkeqësitë. Kjo ishte një pikë kthyese për historinë botërore. Tani ne kemi nevojë që t'i thërrasim shpirtrat e njëjtë të solidaritetit dhe kreativitetit, të cilët frymëzuan gjeneratat e kaluara, jo duke themeluar institucione të reja, por duke gjetur rrugë të reja të reagimit ndaj realiteteve të vështira të kohëve tona. 

Hapi i mirë i Suedisë

Sa për fillim, kemi nevojë urgjente për ta stimuluar inovacionin, për zgjerimin e kapaciteteve tona për të arritur te fëmijët që janë të shkëputur nga ndihmat në zonat e rrethuara, apo në komunitetet që kontrollohen nga ekstremistët. Duhet ta studiojmë çdo opsion, sikur që është përdorimi i dronëve për të dërguar ndihmë mjekësore dhe ushqime dhe duke zhvilluar aplikacione mobile për monitorimin e nevojave dhe për përcjelljen e dërgesave në terren. Më gjerësisht, ne duhet të punojmë më shumë për koordinimin midis qeverive dhe organizatave, për të ofruar ndihmën afatshkurtër dhe afatmesme më me efikasitet. Në fund, ne duhet ta ndryshojmë mënyrën sesi qeveritë kalibrojnë ndihmën kritike, të cilat ofrohen për nevojat më akute. Gjatë viteve të fundit, derisa apelet për ndihmë janë rritur, vendet që janë duke aplikuar masa të kursimeve, kanë qenë të detyruara të japin llogari për çdo ndihmë jashtë vendit. Financimi "esencial", sikur që njihet, ia mundëson OKB-së dhe OJQ-ve që të reagojnë më shpejt në rastet e emergjencës dhe për të bërë plane më të mira strategjike. Një financim i tillë na lejon që të ofrojmë ndihmën kur njerëzit kanë më së shumti nevojë për të, në vend se të na duhet të presim, derisa vendet të përgjigjen ndaj apeleve të ndryshme humanitare. Kjo është veçanërisht e rëndë- sishme për adresimin e krizave "të harruara", të cilat mediet mund të mos i kenë përmendur. Ka kohë që Suedia ka qenë një mbështetëse e një ndihme të tillë fleksibile për organizatat e OKB-së, meqë rezultatet janë më të mira. Për këtë shkak, qeveria suedeze tash vonë vendosi që ta dyfishojë kontributin e saj në fondet kryesore të UNICEF-it. Tani, kur bota është duke punuar së bashku rreth një agjende të re të zhvillimit global, ne shpresojmë që një praktikë e tillë do të përhapet dhe do t'i frymëzojë qeveritë e tjera për të lëvizur më shumë kah financimi i kualitetit të lartë për ndihmat humanitare dhe për një zhvillim të qëndrueshëm. Ne duhet t'i mbrojmë të drejtat, jetët dhe të ardhmen e fëmijëve më të brishtë në botë. Për këtë qëllim, ne ndihmojmë edhe në përcaktimin e të ardhmes tonë të përbashkët. 

Anthony Lake është drejtor ekzekutiv i UNICEF-it Isabella Lövin është ministre për bashkëpunim të zhvillimit ndërkombëtar dhe zëvendës kryeministre e Suedisë. Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"  

(Kosova Sot)