Forma e reformës tatimore të SHBA-së

Forma e reformës tatimore të SHBA-së
  • 13 February 2017 - 10:52

EKONOMIA AMERIKANE

Përshtatja e tatimit kufitar do t'i jepte SHBA-së përparësinë ndërkombëtare

Shkruan: Martin Feldstein

Rritja rezultuese në investime do ta stimulonte rritjen ekonomike dhe do ta zvogëlonte humbjen e të ardhurave, por republikanët e Kongresit, të cilët favorizojnë një reformë tatimore pa ndikim te të ardhurat, do të vazhdojnë që të ballafaqohen me sfida

Reformat kryesore tatimore gjenden lart në agjendën e SHBA-së për vitin 2017. Dhoma e përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, ka vite që është përdorë për këtë, duke bërë plane të detajuara për të shqyrtuar sesi taksohen korporatat dhe të ardhurat personale. Tani, me një shumicë republikane në Senat dhe me një president republikan në Shtëpinë e Bardhë, këto plane mund të ofrojnë bazën për veprime legjislative. Reforma e propozuar e taksave të korporatave ka rëndësi veçanërisht të madhe. Unë besoj se ajo do ta ketë një ndikim tepër të volitshëm në investimet e buxhetit, duke e rritur produktivitetin dhe rritjen e gjithmbarshme ekonomike. Rregullat e reja tatimore po ashtu do të kenë efekte të rëndësishme në ekonomitë e huaja. Edhe pse asnjëra nga ndryshimet e propozuara nuk janë të garantuara, forma e pakos së propozuar tatimore është duke u bërë e qartë. Ajo përfshin katër komponentë kryesorë. Një taksë më të ulët në fitimet e korporatave - shkalla aktuale prej 35% është më e larta në mesin e të gjitha vendeve industriale. Republikanët e Dhomës së përfaqësuesve dhe administrata e Trumpit kanë propozuar përgjysmimin e kësaj norme, gjë që do të mund të ndikonte që kapitali të shkonte te investimet e korporatave nga patundshmëritë dhe "holdingu" i jashtëm. 

SHBA-ja është unike në mesin e vendeve industriale

Me të ardhura tatimore të korporatave prej rreth 2% të GDP-së, zvogëlimi i propozuar i normës mund t'i zvogëlojë të ardhurat për rreth 1% të GDPsë, ose 190 miliardë dollarë në vit, në ekonominë aktuale. Rritja rezultuese në investime do ta stimulonte rritjen ekonomike dhe do ta zvogëlonte humbjen e të ardhurave, por republikanët e Kongresit, të cilët favorizojnë një reformë tatimore pa ndikim te të ardhurat, do të vazhdojnë që të ballafaqohen me sfida. Një sistem territorial për taksimin e filialeve të jashtme të firmave amerikane - SHBA-ja është unike në mesin e vendeve industriale, që takson filialet e jashtme të kompanive të veta me normën e plotë tatimore vendore. Kështu, një kompani amerikane e cila fiton në Irlandë,paguan 12% tatime qeverisë irlandeze, e më pas duhet të paguajë edhe 23% për çdo profit të dërguar në SHBA. Për këtë shkak, nuk habitë fakti që firmat amerikane vendosin t'i mbajnë profitet jashtë shtetit. Miratimi i një sistemi territorial do t'i rriste investimet në SHBA, duke stimuluar produktivitetin dhe rritjen. Tatimi i korporatave për rrjedhën e parave. - Kjo nënkupton dy gjëra: të lejohen kompanitë që t'i zvogëlojnë të gjitha investimet në pajisje dhe struktura, në vend që ta përhapin koston përgjatë kohës; si dhe eliminimin e zvogëlimit për kosto të interesit në borxhet e reja. Kjo do ta zvogëlonte rrezikun e shkaktuar nga normat e borxheve të larta dhe do t'i vendoste borxhet dhe ekuitetet në baza të barabarta. mDyshoj se Kongresi do ta miratojë një reformë të këtillë, pasi që të hulumtojë detajet operacionale. Përshtatja e tatimeve kufitare. - Për dallim nga shumica e vendeve, SHBA-ja nuk ka TVSH. Përshtatja e tatimit kufitar do t'i jepte SHBA-së përparësinë ndërkombëtare të një TVSH-je pa rritur taksat në transaksionet vendore. Ja si do të funksiononte një gjë e tillë: kompanitë të cilat importojnë mallra, nuk do të lejoheshin që t'i zvogëlonin ato kosto të importeve në llogaritjen e profiteve të tyre të taksueshme. Me një normë prej 20% të taksës së korporatës, kjo do të ishte e barabartë me një taksë importuese prej 20%. Kompanitë të cilat eksportojnë mallra do të ishin në gjendje që t'i përjashtonin fitimet e jashtme nga të ardhurat e taksueshme, të barabarta me 20% të subvencionimit të eksporteve. 

Kundërshtimi substancial

Edhe pse kjo duket se do të zvogëlonte importet dhe do t'i rriste eksportet, kjo nuk do të ndodhë. Sikur që mëson çdo student i ekonomisë, balanci i tregtisë varet nga dallimi midis kursimit vendor dhe investimeve vendore. Meqë përshtatja e taksës kufitare nuk ndryshon kursimet dhe investimet, ajo nuk do të ndryshonte importet dhe eksportet. Në vend të kësaj, ndryshimet në taksa në importe dhe eksporte do të çonin deri te një rritje të vlerës së dollarit. mPor, nëse përshtatja e taksës kufitare nuk do të përmirësonte balancën tregtare të SHBA-së, atëherë pse republikanët e Kongresit duan ta miratojnë atë? Për shkak se do t'i rriste të ardhurat tatimore, pa rritur barrën ndaj konsumatorëve, apo prodhuesve amerikanë. Për këtë shkak, përshtatja e taksës tatimore paguan rreth dy të tretat e kostos prej 190 miliardë dollarësh të zvogëlimit tatimor për korporata, e një hise edhe më të madhe më pas. Dhe, meqë nuk ka ndryshim në çmime të paguara nga konsumatorët amerikanë, apo të marra nga eksportuesit amerikanë, ajo taksë paguhet nga prodhuesit e huaj, të cilët, për shkak të zhvleftësimit të dollarit, marrin më pak para në valutat e tyre për eksportet që i bëjnë në SHBA. nEkziston një kundërshtim substancial ndaj rregullimit të taksës kufitare në mesin e importuesve amerikanë, të cilët nuk janë të bindur se dollari do të forcohet aq sa ta krijojë një balancë me taksën më të lartë implicite importuese. Reforma e këtij legjislacioni do të jetë reforma e parë e madhe e sistemit tatimor amerikan në tri dekada. Miratimi i saj do të rezultojë me një kornizë më të volitshme tatimore për kompanitë amerikane. 

(Martin Feldstein është profesor i ekonomisë në Universitetin Harvard dhe president emeritus i Zyrës nacionale për kërkime ekonomike) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"  

(Kosova Sot)