Çka është duke ndodhur me Gjermaninë?

Çka është duke ndodhur me Gjermaninë?
  • 15 February 2017 - 10:34

Shkruan: Federico Fubini 

VENDI I FUQISHËM SI DUKET ËSHTË PREKUR NGA NJË SËMUNDJE

Mungesa e reformave është duke u bërë e dukshme

Mbetet fakti që rritja mesatare vjetore për kokë banori e GDPsë, prej vetëm 0.51% që nga viti 2014, e lë atë shumë prapa vendeve kryesore të Eurozonës -Austrisë, Belgjikës, Finlandës dhe Holandës. Bile edhe Franca lehtazi e tejkalon Gjermaninë

Italia mund të jetë "i sëmuri i Evropës", por ajo nuk është vendi i vetëm që ka nevojë të pijë ilaçe. Përkundrazi, bile edhe Gjermania e fuqishme duket se është prekur nga njëfarë sëmundjeje. Nuk do diskutim, Italia është në një gjendje të vështirë. Gjatë dy dekadave të fundit, rritja vjetore e GDP-së ka qenë vetëm mesatarisht 0.46%, derisa borxhet qeveritare janë rritur vazhdimisht, duke arritur vlerën prej më shumë se 130% të GDP-së. Papunësia ka mbetur tepër e lartë, investimet janë duke rënë dhe sektori bankar është tepër i shqetësuar. Po ashtu shqetësues, numri i femrave që janë në gjendje të lindin fëmijë, ka rënë për gati 2 milionë, që nga rënia e Murit të Berlinit, në vitin 1989. Derisa përqindja e punë- torëve aktivë me edukim universitar mbetet në nivelet zor të krahasueshme me vendet e tjera me ekonomi të përparuar. Duke marrë parasysh tërë këtë, nuk duhet të na habitë fakti që Italia, si dhe Greqia e fundosur nga kriza, janë performuesit më të dobët të eurozonës, në aspektin e rritjes vjetore të GDP-së për kokë banori, gjatë tri viteve të fundit. ajo që befason, është se Gjermania vjen menjëherë pas Greqisë dhe Italisë. Gjermania ka një qëndrueshmëri fiskale, me një akumulim të madh të kursimeve. Ajo po ashtu ka një aftësi të madhe konkurruese, gëzon normat më të larta ndonjëherë të kostos dhe punës dhe përfiton nga një arritje e vazhdueshme e punëtorëve të specializuar nga pjesët e tjera të Evropës.

Migrimi mund të ndikojë në rritjen e GDP-së

Por, mbetet fakti që rritja mesatare vjetore për kokë banori e GDP-së, prej vetëm 0.51% që nga viti 2014, e len atë shumë prapa vendeve kryesore të eurozonës - Austrisë, Belgjikës, Finlandës dhe Holandës. Bile edhe Franca lehtazi e tejkalon Gjermaninë. Si është e mundur që dy ekonomi aq të ndryshme, sikur që janë ato të Gjermanisë dhe Italisë, kanë një performancë kaq të ngjashme sa i përket rritjes për kokë banori? Deri në një masë të caktuar, shpjegimi duket evident. Gjermania është shumë më afër rritjes potenciale sesa Italia, bile edhe se SHBA-ja, e cila pati vështirësi më të mëdha se Gjermania për të ikur nga Recesioni i madh. Por, rimëkëmbja e tashme në vendet e tjera të përparuara, në mos asgjë tjetër, do të duhej ta kishte stimuluar rritjen potenciale në një Gjermani të orientuar kah eksportet. Ngjashëm me këtë, migrimi mund të ndikojë në rritjen e GDP-së për kokë banori. Gjermania ka pranuar 2.7 milionë banorë të rinj gjatë pesë viteve të kaluara, ku gati 1 milion prej tyre janë refugjatë. Por, kjo arritje e refugjatëve në Gjermani nuk është e para. Vendi kishte përjetuar arritje të ngjashme edhe më parë gjatë tri dekadave të fundit, pa efekte të tilla të padëshirueshme në rritjen e GDP-së për kokë banori. Fajtori kryesor që qëndron prapa këtij problemi, duhet të kërkohet gjetiu. Sipas Bankës për marrëveshje ndërkombëtare, kërkesat e bankave gjermane ndaj vendeve të tjera të Eurozonës, kanë rënë për gati 200 miliardë dollarë, që nga kulmi i krizës së borxheve, në mes të vitit 2012. Lëvizja e heshtur e bankave gjermane kah dezintegrimi, bie ndesh me sjelljen e bankave që gjenden në Francë, Itali, Spanjë dhe Holandë, ku që të gjitha ato kanë përvetësuar integrimin financiar evropian, duke stabilizuar, e shpesh edhe duke rritur ekspozimin e tyre ndaj vendeve të tjera. Këta trendë divergjentë shpjegojnë një pjesë të disbalancit të rritur në sistemin e pagesave të eurozonës, 'Target 2'. 

Koprracia e shoqërisë në plakje e sipër

Pse bankat gjermane janë të vetme që i ikin integrimit? Një arsye e mundshme është se autoritetet financiare vendore janë skeptike ndaj të ardhmes së euros, prandaj kanë ndikuar te bankat që ta zvogëlonin ekspozimin e tyre ndaj pjesës tjetër të Eurozonës. Një arsye tjetër është se, bankat gjermane, janë duke përjetuar një sëmundje kronike, të cilën rregullatorët evropianë ende nuk e njohin sa duhet. Gati gjysma e sistemit bankar të Gjermanisë është në pronësi publike, duke gëzuar kështu garancitë implicite të qeverisë. Në fakt, bankat e Gjermanisë kanë marrë rreth 239 miliardë euro midis viteve 2009 dhe 2015. Zyrtarët gjermanë zakonisht e shpjegojnë këtë rënie të madhe, duke përmendur koprracinë e shoqërisë në plakje e sipër. Por, sfidat demografike duhet t'i frymëzojnë reformat në aspektin titullar dhe të edukimit, e jo t'i shtypin ato. Mungesa e reformave është duke u bërë e dukshme. Bankat e ndryshme dhe investimet e ulëta mund të kenë ndikuar që nga viti 2012, në atë që duket si rritja më e vogël e Gjermanisë gjatë tri dekadave të fundit. Duke u mbështetur kryesisht në eksport, Qeveria e Gjermanisë mund ta ketë humbur kontrollin dhe një pjesë të përgjegjë- sive të saj vendore. Por, është në interes të mbarë Evropës, e në rend të parë të Italisë, që ekonomia më e madhe e kontinentit, të bëhet edhe më e fortë. Thënë sinqerisht, rënia e produktivitetit nuk është fenomen unik vetëm në Gjermani. Por, nëse Gjermania nuk i adreson rrënjët e këtij ngadalësimi në shtëpi, ajo rrezikon që ta përjetojë një goditje të fortë, me kusht që valuta e saj të rivlerësohet me shpejtësi, në formë të eksporteve më të vogla dhe të dëmtimeve më të vogla të sektorit të saj bankar. Sëmundja e Italisë është shumë më akute sesa ajo e Gjermanisë, por që të dyja janë potencialisht serioze. Që të dyja kërkojnë një mjekim të menjëhershëm. 

(Federico Fubini është analist financiar dhe autor i librit 'Noi siamo la rivoluzione' -Ne jemi revolucioni). Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)