Viktimat e para të Trump-it

Viktimat e para të Trump-it
  • 16 February 2017 - 07:53

Shkruan: Peter Singer

 Kur Donald Trump ishte zgjedhur president i SHBA-së, unë nuk iu bashkova atyre që dolën në rrugë, për të protestuar. Mendoja se kishte rëndësi të respektohej procesi demokratik, pa marrë parasysh sa dekurajues mund të jetë rezultati i tij dhe të pritej derisa administrata 'Trump' të na jepte ndonjë arsye për të protestuar. Nuk mu desh që të prisja gjatë. Tetë ditë pasi që Trump mori detyrën, viktimat e para të identifikueshme të Presidencës së tij ishin të paraqitura në të gjitha faqet e lajmeve. Urdhri ekzekutiv i Trump-it, i cili suspendon pranimin e refugjatëve sirianë, që ndalon përkohësisht hyrjen e refugjatëve të rinj, pa marrë parasysh nga vijnë ata dhe që ndalon imigrimin nga Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni, iu shkaktoi menjëherë dëm njerëzve të cilët ishin rrugës për në SHBA. Ky urdhër po ashtu pengoi shumë njerëz që të dilnin nga SHBA-ja. Duke justifikuar politikën e tij, Trump tha se kurrë nuk do t'i harronte "mësimet e marra nga 11 shtatori". Por, ai duket ta ketë bërë mu një gjë të tillë. Njerëzit që kryen sulmet më 11 shtator të vitit 2001 vinin nga Egjipti, Libani, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe asnjëri prej këtyre vendeve nuk është prekur nga urdhri i Trump-it. Një studim i bërë nga Alex Nowrasteh, një analist politik i imigracionit pranë Institutit libertarian "Cato", arrin deri te përfundimi se, përgjatë 40 viteve, deri në vitin 2015, në SHBA nuk është vrarë asnjë njeri në sulme terroriste, të kryera nga shtetasit e shtatë vendeve, të cilat janë ndëshkuar me urdhrin ekzekutiv të Trump-it.

Gjykatësit tanimë kanë bllokuar disa aspekte të këtij urdhri ekzekutiv

Iranianët, shumica e të cilëve janë banorë legalë të SHBA-së, janë veçanërisht të zemëruar. Sipas Trita Parsit, president të Këshillit nacional iranianamerikan, vetë SHBA-ja ka dhënë më shumë luftëtarë për ISIS-in, sesa Irani, gjë që nuk befason, duke ditur se ISIS është një grupacion sunit, që i konsideron shiitët, të cilët përbëjnë rreth 90% të popullsisë së Iranit, si renegatë të fesë, vrasja e të cilëve është e lejuar. Ndalesa e hyrjes së imigrantëve nga këto shtatë vendeve është bërë dramatike në TV, meqë njerëzit që janë prekur nga kjo ndalesë mund të flasin për mediat në lidhje me të. Ky nuk ishte rasti me zvogëlimin e përgjithshëm të pranimit të refugjatëve gjatë vitit 2017, nga 110,000 në 50,000, si dhe me rastin e suspendimit të tërë programit të pranimit të refugjatëve për katër muaj. Gjatë një krize globale të refugjatëve, presidenti Obama thoshte se SHBA-ja, sipas frymës së fjalëve të Emma Lazarusit, që janë të gdhendura në Statujën e lirisë, ta pranonte hisen e saj të kontributit, duke ofruar shtëpi të re për "masat e trazuara, që janë të etura të marrin frymë lirisht". Trump ia ka kthyer shpinën këtij vizioni. Urdhri ekzekutiv do ta ofrojë një sprovë të hershme se deri në ç'masë gjykatat do të mund ta frenojnë presidencën Trump. Gjykatësit tanimë kanë bllokuar disa aspekte të këtij urdhri ekzekutiv, por do të duhet kohë para se gjykatat të mund t'i zgjidhin të gjitha çështjet, të cilat i ngre ky urdhër ekzekutiv.

Trump deklaroi në një intervistë në TV se dëshiron t'u japë përparësi të krishterëve

Në mesin e këtyre çështjeve, diskriminimi në bazë të religjionit do të jetë kryesori. Urdhri thotë se, pasi që të vazhdojë programi i refugjatëve, Sekretari i Shtetit duhet që "deri në atë masë sa e lejon ligji", t'u japë prioritet kërkesave të refugjatëve në bazë të përkatësisë ndaj ndonjë grupi të persekutuar religjioz të pakicës. Trump deklaroi në një intervistë në TV se dëshiron t'iu japë përparësi të krishterëve. Duke qenë se Kushtetuta e SHBA-së ia ndalon Qeverisë animin kah ndonjë religjion, mbetet të shihet nëse ky provizion i urdhrit do të mund t'i qëndrojë analizës ligjore. Shqetësim të njëjtë paraqet edhe rrezikimi i lirisë së shprehjes, nga një provizion i cili thotë se "SHBA-ja nuk mundet dhe nuk duhet të pranojë ata që nuk e mbështesin Kushtetutën". Duke folur rreth urdhrit, Trump thotë: "Ne duam t'i pranojmë në vendin tonë vetëm ata që mbështesin vendin tonë dhe që thellësisht e duan popullin tonë". Edhe vetë jam posedues i kartonit të gjelbër, d.m.th. jam banor i përhershëm, i ligjshëm i SHBA-së, por pa nënshtetësi. Kam shkruar rreth të metave të kushtetutës amerikane dhe, përkundër asaj se admiroj shumë amerikanë, nuk mund të shkoj deri atje, sa që të them se "i dua thellësisht" të gjithë amerikanët. A d.m.th. kjo se duhet edhe mua të më ndalohet hyrja në SHBA? A do të ishte një gjë e tillë në kundërshtim me besimin në lirinë e të menduarit? Sipas 'Nowrasteh', urdhri ekzekutiv i Trump-it nuk do të ketë ndonjë efekt virtual në përmirësimin e sigurisë në SHBA. Trump vazhdimisht ka thënë se, në rend të parë do t'i vendosë interesat e amerikanëve. Por, a do të shkojë ai deri në pafundësi në këtë drejtim?

Duke pasur parasysh vuajtjet të cilat është duke i shkaktuar urdhri i tij ekzekutiv, del se ai të jetë jo etik, apo edhe i çmendur. 

(Peter Singer është profesor i bio-etikës në Universitetin "Princeton") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"  

(Kosova Sot)