Pse BE-ja duhet të jetë zemërgjerë ndaj Britanisë?

Pse BE-ja duhet të jetë zemërgjerë ndaj Britanisë?
  • 17 February 2017 - 09:28

Shkruan: Hans-Werner Sinn 

Liderët e BE-së insistojnë që Britania nuk mund të ketë tregti të lirë me tregun e përbashkët 

Kryeministrja britanike, Theresa May, e ka konfirmuar vetë. Britania e Madhe, pa dyshim, do ta braktisë BE-në dhe do të negociojë marrëveshjet e reja tregtare. Pyetja që shtrohet është se çfarë marrëveshjesh do t'i pranojë BE-ja. May e ka bërë të qartë se Britania nuk dëshiron një marrëveshje të ngjashme me atë të Zvicrës, apo Norvegjisë, meqë një gjë e tillë do të kërkonte nga Britania të hiqte dorë nga një pjesë e kontrollit të saj ndaj politikës ndaj imigrantëve. Nuk është opsion as nënshtrimi ndaj juridiksionit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Por, BE-ja nuk do të pranojë që Britania, thjesht, të refuzojë çdo gjë që nuk i pëlqen, të paktën jo pa një kosto të caktuar. Liderët e BE-së insistojnë që Britania nuk mund të ketë tregti të lirë me tregun e përbashkët, pa lejuar lëvizjen e lirë të njerëzve. Kjo kokëfortësi pjesërisht del nga frika se, nëse Britanisë i lejohet një marrëveshje e tillë, edhe vendet e tjera të BE-së do ta kërkojnë një gjë të tillë. Por, dëshira për ta ndëshkuar Britaninë, me të vetmin qëllim që të frikësohen shtetet e tjera anëtare, po ashtu kontribuon në drejtim të kundërt. 

Arsyetimi se vendet e tjera të BE-së do të shkonin hapave të Britanisë nuk është i sigurt

E tërë kjo qasje është e gabueshme. Derisa pa dyshim është për të të ardhur keq që Britania është duke u larguar, e vërteta është se tregtia e lirë me BE-në nuk ka nevojë të kushtëzohet nga lëvizja e lirë e njerëzve. sikur që tregojnë teoritë e pastra tregtare, efektet ekonomike dhe përfitimet e mirëqenies që rezultojnë nga tregtia e lirë, zëvendësohen, e jo forcohen, nga ato të lëvizjes së lirë të punës. Nëse migrimi nuk është i mundshëm, midis vendeve ka të ngjarë që të paraqiten dallime të mëdha në rroga, gjë që me vete sjell edhe struktura të ndryshme të çmimeve. Këto dallime rrisin fitimet nga tregtia; në fakt, shfrytëzimi i dallimeve të tilla është edhe i tërë qëllimi i tregtisë. Nëse BE-ja refuzon që t'ia mundësojë Britanisë një tregti të lirë, atëherë qytetarët e BE-së do të vuajnë po aq sa edhe britanikët. Arsyetimi se vendet e tjera të BE-së do të shkonin hapave të Britanisë nuk është i sigurt. Ekzistojnë dy lloje të komunitetit politik. Njëri përmbush kriterin e optimalizmit të Paretos: duke qenë që komuniteti i merr vendimet njëzëri, apo të paktën, në bazë të rregullave të cilat mbrojnë pakicat, përfitimi është thuajse i të gjithëve, derisa askujt nuk i shkaktohen humbje. Kjo qasje nënkupton që vendet nuk janë duke luftuar për një copë më të madhe të pites, në dëm të të tjerëve. Në vend të kësaj, ata punojnë vullnetarisht së bashku, për t'u siguruar që pitja të jetë gjithnjë e më e madhe dhe që secili ta marrë nga një copë të mjaftueshme të saj. 

BE-ja është duke dërguar mesazhin se ajo është një union

Lloji tjetër i komunitetit karakterizohet nga, së pari, ridistribuimi i burimeve midis vendeve dhe, së dyti, nga një vendimmarrje e shumicës. Këtu kemi humbës dhe fitues, meqë shumica mund t'i imponojë preferencat e veta, edhe nëse pjesë- tarët e pakicës pësojnë humbje. Si rezultat i kësaj, pitja shpesh vjen duke u zvogëluar dhe disa vende mbeten tepër të pakënaqura. Ky lloji i dytë është tepër i paqëndrueshëm, meqë humbësit tentojnë që të ikin (dalin). E vetmja mënyrë për t'i mbajtur ata brenda është që dalja të bëhet më pak e këndshme, p.sh. duke i ndëshkuar ata që dalin. Duke tentuar që rastin e Britanisë ta bëjnë shembull, BE-ja është duke dërguar mesazhin se ajo është një union, në të cilin disa vende anëtare munden edhe të humbin. Kjo është duke u promovuar nga presidenti i ri amerikan, Donald Trump, i cili e ka publikuar mbështetjen e tij për britanikët dhe pritjen e tij se më shumë vende do ta pasojnë këtë. Me qëllim të evitimit të një gjëje të tillë, BE-ja duhet të transformohet nga një union rishpërndarës, të udhëhequr nga shumica, në një union vullnetar dhe optimal, të udhëhequr nga unanimiteti, i cili nuk është në kundërshtim me parimin e Paretos. Hapi i parë nënkupton heqjen dorë nga plani për instalimin e një ministri të përbashkët evropian të financave në krye të një autoriteti me fuqi autonome tatimore. Hapi tjetër nënkupton ofrimi i një marrëveshjeje qëllimmirë tregtare ndaj Britanisë, e cila do të ishte në interes dypalësh. Nëse BE-ja nuk e ndryshon qasjen e saj, ajo rrezikon të bëhet një komunitet pa konsensus, në të cilin vetëm disa shtete anëtare janë të lumtura, derisa shtetet e tjera duan të dalin. Derisa ndëshkimet dhe masat e tjera të ngjashme mund të jenë në gjendje që ta mbajnë brenda cilindo shtet për një kohë të caktuar, kjo qasje do ta bëjë BE-në të prirë ndaj jostabilitetit dhe vendet e saj anëtare do t'i bëjë të ndjeshme ndaj eksploatimit. Evropa mund ta ketë fatin e BRSS-së. Asnjë raport nuk mund të lulëzojë nëse anëtarët e tij ndihen të zënë në kurth. Sado e palogjikshme që mund të duket, mënyra e vetme për ta mbajtur BE-në të bashkuar, është që të lihet Britania të dalë, edhe atë me kushte zemërgjera.

(Hans-Werner Sinn është profesor i ekonomisë dhe financave publike në Universitetin e Munihut) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)