Ideja e Thaçit për pajtim me Serbinë, veprim skandaloz politik!

Ideja e Thaçit për pajtim me Serbinë, veprim skandaloz politik!
  • 18 February 2017 - 07:49

Gjaku nuk bëhet ujë, viktimat kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për kriminelët
Rrëshqitja dhe katandisja e tij politike nuk kanë të ndalur, i ka humbur guximi nga kërcënimet e ndërkombëtarëve, kur këta të fundit, deri dje e përdorën si figurë shahu në tabelën politike kosovare, ndërsa tani po e përdorin edhe si lodër nëpër varrezat serbe gjithandej Kosovës

SHKRUAN: FLORIM  ZEQA

Është hera e parë në historinë e njerëzimit, kur një president i një populli të gjakosur del haptas t'i kërkoj falje dhe pajtim një pushtuesi shekullor. Është hera e parë në histori të dëgjosh viktimën duke i kërkuar pajtim xhelatit apo agresorit barbar serb i cili përveç krimeve gjenocidiale ndaj popullatës civile, dogji dhe shkatërroi çdo pasuri shqiptare mbi faqen e dheut, siç e thotë populli, na i shkrumboi edhe gurët e themeleve të shtëpive tona. Nuk është vetëm lufta e fundit, me Serbinë pushtuese e kemi një histori të gjatë dhe tepër të dhimbshme shekullore. Vrasjet dhe gjenocidi serb ndaj shqiptarëve nuk ka ndodhur vetëm në luftën e fundit çlirimtare të viteve 1998/99. Pothuajse nuk është rritur dhe mplakur asnjë gjeneratë në Kosovë, pa e provuar mbi kurrizin e saj dhunën dhe kërbaçin, helmimet dhe dhunimet, vrasjet dhe masakrat e përmasave gjenocidiale të barbarisë serbe.

Nuk e përmend UÇK-në në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës

I ashtuquajturi "president" i vendit, Hashim Thaçi, pas përuljes poshtëruese pranë lapidareve të varrezave serbe me mbishkrimin "viktima të terrorit shqiptar", pasoi me hapa tjerë edhe më skandaloz, të kërkesës për pajtim me Serbinë gjakatare,...pa u konsultuar fare me spektrin e gjerë politik vendor, familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe viktimave të luftës, e para së gjithash me familjarët e rreth 1700 personave të zhdukur dhe rreth 20 mijë nënave e motrave shqiptare të dhunuara nga policët, ushtarët dhe paramilitarët serb në luftën e fundit. Andaj, "presidenti" nuk e ka të drejtën morale dhe politike të kërkojë pajtim me Serbinë, dhe atë së paku për dy arsye; E para, Hashim Thaçi nuk është president i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të vendit, por është produkt i pazareve të pista politike mes klanit "Pronto" dhe nëntokës politike të LDK-së, pra është produkt i kontrabandimit të vullnetit të rreth 70 % të qytetarëve të Kosovës, të cilët në zgjedhjet nacionale të vitit 2014 kishin votuar kundër keqqeverisjes së tij 7- vjeçare, gjegjësisht kishin votuar për ndryshimin e kursit politik në vend. E dyta, është aspekti moral që nuk e lejon "presidentin" t'i kërkoj falje dhe as pajtim Serbisë, ngase gjatë luftës së fundit çlirimtare, ai dhe familja e tij nuk kanë pësuar dhe as dëmtuar Serbinë. Këtë e ka vërtetuar disa herë njeriu më kontravers i kohë s sonë, i vetëzgjedhuri "president", i ngritur në karrierën politike si udhëheqës politik i luftës çlirimtare,...duke u deklaruar para medieve dhe zyrtarëve ndërkombëtarë "Nuk kam qenë pjesë e luftës çlirimtare". Degradimin e tij nga një lider i krahut të luftës për çlirim, e dëshmoi edhe në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nderë të 9 vjetorit të rishpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku në asnjë rast nuk ia nxuri goja tri shkronjat e arta-UÇK, familjen legjendare Jashari dhe asnjë nga masakrat gjenocidiale të Serbisë në Kosovë. Vërtetë, fjalimi i tij patetik, i pashije dhe antikombëtar, më bëri të ndjejë dhembshuri për pozicionin e tij, sa turpërues aq edhe qyqarë,...duke i humbur në masë të madhe karakterin festiv të seancës solemne të kuvendit.

"Presidentit" i ka humbur busulla orientuese

Gjithnjë, kur është në pyetje konsumi i brendshëm politik, del i pari në marrjen e primatit të meritave, duke u thirrur në vlerat e luftës, ndërsa sa herë që i ngushtohet rrethi nga ndërkombëtarët për llogaridhënie rreth përgjegjësisë, si udhëheqës politik i luftës çlirimtare, atyre ua thotë të kundërtën; "Nuk kam qenë në vijat e frontit..."! "Presidentit" i ka humbur busulla orientuese, rrëshqitja dhe katandisja e tij politike nuk kanë të ndalur, i ka humbur guximi nga kërcënimet e ndërkombëtarëve, kur këta të fundit, deri dje e përdorën si figurë shahu në tabelën politike kosovare, ndërsa tani po e përdorin edhe si lodër nëpër varrezat serbe gjithandej Kosovës. Nuk jemi në shekullin e 18-19, kur përhapja e lajmit dhe së vërtetës ka kërkuar kohë të gjatë dhe sfida të panumërta. Tani jemi në shekullin 21, ku shpejtësia e përhapjes së lajmit krahasohet me shpejtësinë e dritës, dhe falë zhvillimit të hovshëm teknologjik është e pamundur të shtrembërohen faktet dhe fshihet e vërteta.
Llogaritë e tija personale nuk guxon t'i ndërlidhë me fatin dhe ndjenjat e popullatës
Prandaj, ideja e Thaçit për pajtim me Serbinë, përveçse e pamoralshme, politikisht është veprim i gabuar dhe devijim i skajshëm kombëtar, përderisa Serbia të mos e njoh Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, t'i kthejë Kosovës rreth 1700 të zhdukur, të bëjë dëmshpërblimin e pasurive shqiptare të shkatërruara dhe plaçkitura gjatë luftës, të pasuar me kërkimfaljen publike për gjenocidin shekullor ndaj shqiptarëve. I ashtuquajturi dhe vetëzgjedhuri "president", llogaritë e tija personale nuk guxon t'i ndërlidhë me fatin dhe ndjenjat e popullatës së përgjakur nga terrori serb. Mallkimi i popullit, do të jetë i ashpër dhe i pamëshirshëm ndaj gjithë atyre që shkelin gjakun e derdhur për lirinë e atdheut. Gjaku nuk bëhet ujë zoti "president", viktimat kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për kriminelët e jo pajtim siç jeni duke e kërkuar ju.
 

(Kosova Sot)