Sidoqoftë, qëllimi nuk ishte muri

Sidoqoftë, qëllimi nuk ishte muri
  • 18 February 2017 - 07:55

Veriu problematik

Vendi u bë parajsë e paramilitarëve, respektivisht mafiozëve. Thënë shkurt, mafia mban sigurinë e zonës në emër të Serbisë

SHKRUAN: BAYRAM POMAK

Qysh prej ditës së pavarësisë, Mitrovica qe shndërruar në një problem të madh për Kosovën. Në ditët e para qyteti u nda në dysh. Pjesa veriore e banuar me serbë, u barrikadua, duke ua pamundësuar shqiptarëve rikthimin në shtëpitë e tyre. Fije kombëtare e ndërkombëtare u pleksen në vetvete për ta formuar këtë lëmsh të pazgjidhshëm. Kuptohet, interesat kombëtare me ato ndërkombëtare herë përputhen e herë, herë përplasen ndërmjet vete, kur vije puna te kjo çështje. E vërteta është se vet çështja nuk mund të trajtohet vetëm nga këndvështrimi i Kosovës apo Serbisë, detyrimisht duhet të nisesh edhe nga të tjera këndvështrime, po e zëmë një tjetër do të ishte edhe ai ballkanik. Ballkani është njëra ndër pjesët më strategjike të botës, ngjashëm me Kaukazin dhe Lindjen e Mesme. Mbi këtë pjesë të botës qenë ngritur fronet e dy perandorive. Nga këtu ato shtrinë sundimin nëpër botë. Interesi i madh amerikan ndërlidhet pikërisht me këtë histori, fundja ata mendojnë se për ta udhëhequr botën, duhet pasur nën kontroll Euro-Azinë, pra Ballkanin. Prandaj po themi se këndvështrimi rajonal, është më se i rëndësishëm.

Prishja e balancave

Qysh prej Luftës së Dytë Botërore e deri më 1991, ka pasur një balancë politike. Siç dihet, ajo balancë që u ngrit para copëtimit të Jugosllavisë, u rrënua në mënyrë të përgjakshme, po me shkatërrimin e saj. Pas shkatërrimit të kësaj balance (jugosllave), a ia dolën ta ngrisin një rend të ri? Padyshim JO. Tash për tash kemi të bëjmë vetëm me një armëpushim të përkohshëm. Fundja çka janë tjetër: Marrëveshja për Paqe e Dejtonit?, Pako e Ahtisarit dhe Marrëveshja e Ohrit?, asgjë më shumë se sa armë- pushim i përkohshëm. Prandaj nisur nga ky kontekst mund ta paramendojmë fare lehtë, se një ditë ky rend i përkohshëm, do të rrënohet. Dhe ky rrënim nuk mund të vijë ndryshe përveçse duke filluar nga Republika Serbe e Bosnjës, Mitrovica ose Maqedonia. Ndërtuesit e sistemit, kanë dashur të kenë zona të tilla me status quo, zona të mbetura pezull. Ne jemi dëshmitarë, sa herë që çështja e Mitrovicës i avitet një zgjidhjeje, dalin në pah probleme të reja që e rikthejnë krizën. Parë nga perspektiva nacionale, çështja e Mitrovicës ka gjenezë nga Marrëveshja e Rambujesë. Duke pasur përvojë nga Kroacia dhe Bosnja, serbët asokohe, e menduan vet këtë plan. Kështu ata e rrethuan Veriun duke e krijuar një situatë de fakto. Me kalimin e kohës në këtë pjesë të Kosovës zunë tharm struktura të reja. Vendi u bë parajsë e paramilitarëve, respektivisht mafiozëve. Thënë shkurt, mafia mban sigurinë e zonës në emër të Serbisë. Edhe një pjesë e marrëveshjeve, të shumtat prej tyre, s'bënë gjë tjetër përpos legalizimin e këtyre strukturave që deri vonë quheshin ilegale. Paramilitarët e mafiozët, tani na u bënë policë, pra fituan legjitimitet. Deri vonë këto struktura ushqeheshin nga Serbia dhe ishin autore të punëve të jashtëligjshme, si pasojë e marrëveshjeve, filluan të marrin paga edhe nga buxheti i Kosovës. Për më tepër, u liruan edhe nga krimet. Megjithatë me patetizëm vazhdohej të thuhej se Mitrovica do të mbetet e pandashme, ani pse më vonë u themeluan dy komuna në këtë qytet.

Ndërkombëtarët vazhdojnë projektin e tyre - rendin brenda kaosit

Themelimi i kësaj komune nënkupton legjitimimin de-jure, të qytetit të ndarë de-fakto. Gjendja e cila ishte reale në këtë pjesë të vendit, filloi të vishej me petkun juridik. Si e tillë kjo gjendje, u shkon përshtati disa qarqeve. Popullata serbe që jeton në këtë pjesë, përfitojnë nga gjendja e krijuar. As nuk paguajnë rrymë, as ujë dhe megjithatë kanë përfituar mjaft nga investimet nga BE-ja dhe Rusia. Sipas informatave jozyrtare në këtë pjesë ekzistojnë rreth 700 organizata joqeveritare. Të paktën 20 prej tyre thonë që janë aktive dhe këtë e dëshmojnë aktivitetet. Ky numër kaq i lartë, tregon më së miri për shumën e investimeve në këtë pjesë. Edhe ministri Enver Hoxhaj para disa ditësh tha se tri nga këto organizata janë të financuara nga Rusia. Çështja e murit që doli në shesh së fundmi, e rëndoi edhe më shumë situatën. Në deklaratat zyrtare të palës kosovare, thuhej se muri ishte i papranueshëm dhe se gjithsesi do të rrënohej. Në tavolinën e shtruar nga SHBA dhe BE, palët më në fund pranuan ta rrënojnë murin. Kështu muri u rrënua, për të nxjerr diçka tjetër në pah, ndonëse kishte pamje më estetike. Pra vazhduan gënjeshtrat kundër njëri tjetrit. Pala kosovare e interesuar ta gëzojë mbështetjen e popullit thonë se janë autorë të rrënimit, ajo serbe i thotë popullit të saj që muri s'kishte ndonjë kuptim dhe ashtu kështu në vend të tij, do të ndërtohet një më estetik. Si përfundim, ndërkombëtarët vazhdojnë projektin e tyre: Rendin brenda kaosit. Mund të themi që vazhdon edhe projekti i akademikëve serbë për realizimin e ëndrrës së tyre shekullore, që serbët të jetojnë nën një çati të vetme. Ndërkohë edhe muri po qëndron aty ku edhe ishte...  

(Kosova Sot)