9 vjet shtet, falë sakrificës së gjyshërve tanë!

9 vjet shtet, falë sakrificës së gjyshërve tanë!
  • 20 February 2017 - 09:25

Shkruan: Fidan Mustafa

Historia e Kosovës nuk fillon në vitin 1999

Shumë nga përvjetorët e njëpasnjëshëm të Pavarësisë së Kosovës, të cilët organizohen nga institucionet e vendit, atributin e shtetit gjithnjë po e vendosin vetëm te një grup njerëzish në luftën e fundit të viteve 90-99 (pa dashur të minimizojmë kontributin e askujt), të ndarë në vija partiake e ideologjike

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, të nderuar bashkëkombësit e mi shqiptarë, jemi në përvjetorin e 9-të të Pavarësisë së Kosovës, shtetin më të ri në Ballkan, vendi i cili vuajti shumë ndër shekuj, veçanërisht shekullin e fundit, ku cak i asimilimit, masakrave e gjenocideve të njëpasnjëshme ishin vetëm shqiptarët. Shumë nga përvjetorët e njëpasnjëshëm të Pavarësisë së Kosovës, të cilët organizohen nga institucionet e vendit, atributin e shtetit gjithnjë po e vendosin vetëm te një grup njerëzish në luftën e fundit të viteve 90-99 (pa dashur të minimizojmë kontributin e askujt), të ndarë në vija partiake e ideologjike.

Harrohen vitet e hershme të rezistencës

Gjatë kësaj kohe institucionet tona nuk kanë shkruar sa duhet për historinë e luftëtarëve që ishin në periudhën 1912-1980, për disa burra të mëdhenj e veprimtarë, të cilët me të vërtetë ishin gur-themeli i shtetit të Kosovës, ishin pikënisja e rezistencës, qëndresës dhe heroizmit të pashoq në mbrojtje të atdheut, nderit dhe rrënjëve tona të shqiptarisë, duke dëshmuar kështu para faktorit ndërkombëtar dhe atij vendor se pa zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare në Ballkan, sakrifica jonë për shtet më vete nuk do të ndalet asnjëherë. Nëse sot kur kemi shtet, është banalizuar fjala "Gardian i shqiptarëve", ata (gjyshërit tanë) dikur vërtet ishin të tillë, sakrifikuan gjithçka që shqiptaria të rrojë, vazhduan flijimin e tyre për ruajtjen e trojeve etnike shqiptare, për ruajtjen e identitetit tonë shqiptar, të mbrojtjes së atdheut, kulturës, traditës, doket e zakonet tona që na dallojnë si shqiptar. Pikërisht ishin këta burra që vazhduan aty ku e la Isa Boletini, e vazhdoi Hoxhë Kadri Prishtina, Hoxhë Mulla Idriz Gjilani, e më pas Hoxhë Kokruk Kosova, e shumë gur - themeltarë të popullit shqiptar, veçanërisht këtu në vendin tonë, që sot Kosova të gëzojë Lirinë, Demokracinë, Drejtësinë e Pavarësinë.

Dikur ishin pro-jugosllavë, tash bëhen patriotë

Në këtë përvjetor të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ne ende nuk arritëm t'i prezantojmë para qytetarëve tanë figurat më emblematike të popullit të Kosovës, veprimtarë e intelektualë, të cilët bënë shumë për trojet e Kosovës, që disa prej nesh po tentojnë t'i zhdukin edhe gjurmët e tyre kah kanë ecur për të vetmin fakt se ata kishin të drejtë për heroizmin e tyre. Nuk është rastësi kjo qasje nga individët aktualë në pushtet, sepse dikur o vetë, o baballarët e tyre ishin përkrah Jugosllavisë së Parë, Partizanit e së fundmi edhe BashkimVëllaznimit të Jugosllavisë së Dytë, të cilët i vranë veprimtarët, gjyshërit tanë shqiptarë për të vetmin fakt, sepse ata dëshironin identitetin e tyre në vete që sot të kemi Identitetin e Shtetit të Kosovës. Qytetarë të nderuar, Kosova sot gëzon lirin falë gjakut të gjyshërve tanë, të dëshmorëve të rënë në mbrojtje të identitetit tonë shekullor, të panënshtruar asnjëherë nga asnjë regjim i kohës, e krejt në fund, fitorja u kurorëzua falë lëvizjes gjithëpopullore nën flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 

(Kosova Sot)