Pse 'mijëvjeçarët' do ta refuzojnë Trump-in?

Pse 'mijëvjeçarët' do ta refuzojnë Trump-in?
  • 20 February 2017 - 09:28

Shkruan: Jeffrey D. Sachs 

NDARJA KRYESORE POLITIKE NË SHBA NUK ËSHTË MIDIS PARTIVE DHE SHTETEVE, POR MIDIS GJENERATAVE

jesëtarët e sotshëm të gjeneratës së re,me perspektivën e tyre të orientuar nga e ardhmja,shumë shpejt do ta dominojnë politikën amerikane

Sanders-it për pak i iku nominimi demokrat, me një platformë që u drejtohej fuqishëm pjesëtarëve të gjeneratës së mijëvjeçarit. Koha e tyre është duke ardhur, me gjasë me zgjidhjen e një presidenti, të cilin ata do ta mbështesin në vitin 2020

Ndarja kryesore politike në SHBA nuk është midis partive dhe shteteve, por midis gjeneratave. Gjenerata e mijëvjeçarit (njerëzit e moshës nga 18 - 35 vjet) votoi kryesisht kundër Donald Trump-it dhe do ta formojë boshtin e rezistencës ndaj politikave të tij. Amerikanët më të moshuar janë të ndarë, por baza e Trumpëit gjendet te ata më të vjetrit se 45 vjet. Çështje pas çështjes, votuesit më të rinj do ta refuzojnë Trump-in, duke e parë atë si politikan të së kaluarës dhe jo të së ardhmes. Natyrisht, këto janë mesataret, jo vlerat absolute. Megjithatë, numrat konfirmojnë ndarjen midis gjeneratave. Sipas daljes në vendvotime, Trump mori 53% të votave të atyre 45 vjeç e më shumë, 42% të atyre midis moshës 30-44 vjet dhe vetëm 37% të votave të votuesve të moshës nga 18-29 vjet. Në një anketë të bërë në vitin 2014, 31% të "mijëvjeçarëve" identifikohen si liberalë, krahasuar me 21% të pjesëtarëve të gjeneratës "baby boomers" (të moshës midis 50-68 vjeçare në një anketë) dhe vetëm 18% të "gjeneratës së të heshturve" (69 vjet e më shumë). mNuk është se liberalët e rinj të sotmes do të bëhen konservatorë të moshuar të së nesërmes. Gjenerata e mijëvjeçarëve është shumë më liberale sesa që ishin gjenerata "baby boomers" dhe "gjenerata e heshtur" kur ishin të rinj. Ata po ashtu janë shumë më pak partiakë dhe do t'i mbështesin politikanët, të cilët adresojnë vlerat dhe nevojat e tyre.

Rritja e pluralitetit racor, fetar dhe seksual të Amerikës nuk paraqet problem të madh

Ekzistojnë, të paktën, tri dallime të mëdha në politikën e të të rinjve dhe të pleqve. Së pari, të rinjtë janë më liberalë në aspektin social, sesa gjeneratat më të vjetra. Për ta, rritja e pluralitetit racor, fetar dhe seksual të Amerikës nuk paraqet problem të madh. Një shoqëri e ndryshme e të bardhëve, afrikano-amerikanëve, hispanikëve dhe aziatikëve, është vendi në të cilin kanë jetuar gjithmonë dhe nuk paraqet ndonjë ndryshim dramatik nga e kaluara. Ata pranojnë kategoritë seksuale dhe gjinore - lesbiket, homoseksualët, trans- bi- inter-, pan- dhe seksualët e tjerë, të cilët ishin tabu për gjeneratën e gjyshërve të tyre (gjeneratën e Trump-it). Së dyti, të rinjtë janë duke u ballafaquar me sfida të paparashikueshme ekonomike të revolucionit informativ. Ata janë duke hyrë në tregun e punës në një kohë kur fitimet e tregjeve me të madhe janë duke u investuar në kapital (robotët, inteligjenca artificiale dhe makinat e mençura) e jo në punë. Të moshuarit e pasur, në anën tjetër, janë duke shijuar një bum të tregjeve të aksioneve, të shkaktuar nga i njëjti revolucion teknologjik. Trump angazhohet për shkurtime tatimore të taksave të korporatave dhe të patundshmërive, gjë që edhe më shumë do të shkojë në dobi të të pasurve të moshuar (të cilët gjenden me bollëk në kabinetin e Trump-it). E, të rinjtë kanë nevojë për një politikë të kundërt: për taksa më të larta ndaj të pasurve dhe gjeneratës së moshuar, me qëllim të financimit të edukimit pas sekondar, të trajnimit në punë, të ndërtimit të infrastrukturës të energjisë që mund të përtërihet dhe për investime të tjera në të ardhmen e Amerikës. Së treti, krahasuar me prindërit dhe gjyshërit e tyre, të rinjtë janë më të vetëdijshëm rreth ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve që sjellin ato. Të rinjtë duan energji të pastër dhe do të luftojnë kundër shkatërrimit të Tokës, të cilën ata dhe fëmijët e tyre do ta trashëgojnë. Një pjesë e ndarjes midis gjeneratave rreth ngrohjes globale, ka të bëjë me injorancën e shumë amerikanëve të moshuar, duke përfshirë edhe Trump-in, rreth ndryshimeve klimatike dhe shkaktarëve të saj. Amerikanët më të moshuar nuk kanë mësuar rreth ndryshimeve klimatike në shkollë. 

Çështja kryesore ka të bëjë me paragjykimet dhe orientimin politik, e jo me moshën

Në qershor të vitit 2015, 60% të 18- 29 vjeçarëve kanë deklaruar se aktiviteti njerëzor ishte duke shkaktuar ngrohjen globale, krahasuar me vetëm 31% të atyre më të moshuar se 65 vjet. Politikat ekonomike të Trump-it lidhen me këtë gjeneratë të vjetër, të bardhë, të lindur në Amerikë. Ai favorizon shkurtimet tatimore për të moshuarit e pasur, të cilët do t'i ngarkojnë të rinjtë me borxhe më të larta. Mund të mendojmë se këto pikëpamje të Trump-it kanë të bëjnë me moshën e tij. Si 70 vjeçar, Trump është personi më i moshuar që është bërë president i SHBA-së. Por, mosha zor se mund të jetë faktori i vetëm, apo edhe kryesor në këtë aspekt. Bernie Sanders, pa dyshim mendja më e freskët nga të gjithë kandidatët presidencialë të vitit 2016 dhe hero i votuesve të "mijëvjeçarit", ka 75 vjet. Çështja kryesore këtu ka të bëjë me paragjykimet dhe orientimin politik, e jo me moshën kronologjike. Trump ka vëmendjen më të shkurtër nga të gjithë presidentët në historinë amerikane. Dhe ai nuk është fare në kontakt me sfidat reale me të cilat ballafaqohet gjenerata e re, derisa ka të bëjë me teknologjitë e reja, me ndryshimin e tregjeve të punës dhe me shkurtimin e kredive studentore. Një luftë tregtare kundër Meksikës, apo Kinës, apo një ndalesë tragjikisht e krijuar kundër imigrantëve myslimanë, zor se do t'i plotësojnë nevojat e tyre. Pjesëtarët e sotshëm të gjeneratës së mijëvjeçarëve, me perspektivën e tyre të orientuar kah e ardhmja, shumë shpejt do ta dominojnë politikën amerikane. Amerika do të jetë multietnike, liberale në aspektin social, e vetëdijshme rreth ndryshimeve klimatike, si dhe shumë më e drejtë në ndarjen e përfitimeve nga teknologjitë e reja. Shumë vëzhgues mbeten të fiksuar ndaj ndarjeve tradicionale partiake në Kongres, e jo te ndryshimet më të thella demografike, të cilat shumë shpejt do ta luajnë rolin vendimtar. Sandersit për pak i iku nominimi demokrat, me një platformë që u drejtohej fuqishëm pjesëtarëve të gjeneratës së mijëvjeçarit. Koha e tyre është duke ardhur, me gjasë me zgjidhjen e një presidenti, të cilin ata do ta mbështesin në vitin 2020.

(Jeffrey D. Sachs është profesor i zhvillimit të qëndrueshëm në Universitetin "Columbia") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)