Ndalesa e udhëtimeve dëmton spiunët amerikanë dhe Amerikën

Ndalesa e udhëtimeve dëmton spiunët amerikanë dhe Amerikën
  • 22 February 2017 - 08:22

Shkruan: Michael V. Hayden

Urdhri ekzekutiv i presidentit Trump rreth imigrantëve nuk është pranuar mirë, dobët është implementuar dhe nuk është shpjeguar si duhet. Thënë të vërtetën, do të ishte vështirë që ai të shpjegohej, meqë nuk ishte produkt i profesionistëve të inteligjencës dhe të sigurisë, por i personave politikë dhe ideologjikë, të cilët donin që presidenti ta përmbushte njërin prej premtimeve të tij parazgjedhore, duke u marrë me një kërcënim të cilin ata e kanë tejzmadhuar. Kam dëgjuar nga shumë profesionistë të inteligjencës që duhet të jetojnë me pasojat e këtij urdhri. Ata më thanë se, gjashtë nga shtatë shtetet e involvuara në këtë ndalesë (ku Irani paraqet njëfarë përjashtimi) janë në telashe, shtete të përçara, ku burimet njerëzore janë esenciale për mposhtjen e rreziqeve ndaj SHBA-së. Në mënyrë paradoksale, ata ma kanë bërë me dije sesi urdhri ekzekutiv ua prishi besimin me bashkëpunëtorët e tyre, ku shumicës prej tyre iu kishin premtuar se do t'i mbronin gjithmonë me tërë fuqinë e shtetit amerikan. Burimet e informatave (spiunët) kanë rrezikuar shumë për ta mbajtur Amerikën të sigurt. Unë e kuptoj ankthin e tyre. Si drejtor i CIA-s, unë ua rikujtova atyre se, kur ta rekrutojnë një spiun, ata me gjasë do të jenë fytyra e vetme e shtetit amerikan, që ata njerëz do të shohin. Dhe, një akt i tillë i rekrutimit përfshin një përgjegjësi permanente morale për mirëqenien e burimit të informatave dhe për më të dashurit e tij.

Thashethemet, pëshpëritjet dhe konspiraconet shkatërrojnë jetët e njerëzve

Oficerët amerikanë të inteligjencës mendonin se kishin mundësinë t'ua ofronin burimeve të tyre tërë mirënjohjen dhe meritën e popullit amerikan. Tani, më thonë ata, ky besim është dëmtuar. Meqë kjo është një ndalesë e përkohshme, atëherë mund të bëhen edhe përjashtime. Por, sikur më tha një ish- shef i stacionit, në vendet ku oficerët e inteligjencës operojnë, thashethemet, pëshpëritjet dhe konspiraconet shkatërrojnë jetët e njerëzve. Nuk ka nevojë që të jeni paranoik, për ta parë lidhjen midis urdhrit ekzekutiv dhe gjuhës antiislame të urrejtjes të kohës para mbajtjes së zgjedhjeve. Në Lindjen e Mesme, ku kultura bazohet te nderi, është më lehtë që të rekrutohet ndokush mbi të cilin kemi shtirë, sesa të rekrutohet dikush, shoqëria e të cilit është ofenduar. Sikur që më njoftojnë, qëndrimi fundamental i një shërbimi të inteligjencës, që është në kërkim të burimeve, është që "ne ju mirëpresim, ju keni vlerë. Shoqëria jonë ju respekton më shumë sesa shoqëria juaj". Ai ka frikë se ky më nuk do të jetë mesazh kaq i fortë, sikur që ishte dikur. Shefi i stacionit më tregoi sesi njëra ndër tiparet kryesore të punës së tij, është shitja e ëndrrës. Sovjetikët e kishin të vështirë në këtë aspekt, e amerikanët jo. Shumë caqe të inteligjencës - zyrtarë, pjesëtarë të ushtrisë, revolucionarë afganë, liderë fisnorë - kanë protestuar kundër politikave tona, intervenimeve, gjërave të tjera... por, ata e donin Amerikën. Ishte ideja e vendit si vend i veçantë. Ata nuk donin doemos që të vinin në SHBA, por ata e mbanin në mendje këtë shtet, si një vend ku do të ishin të mirëseardhur. Shefi i stacionit dhe unë njihnim Mohammed Shahwanin, një hero irakian dhe amerikan. Shawani kishte mbajtur flamurin e Irakut në Lojërat olimpike në Romë, në vitin 1960 për t'u bërë më vonë hero i luftës dhe komandant i forcave të armatosura kundër Iranit. Ai u bë aq i njohur, saqë Saddam Husseini e shihte atë si kundërshtar, prandaj këtij të fundit iu desh që të ikte, sa për ta shpëtuar jetën.

Nderi pret me durim që të vihet në vend

Shahwani u vendos në Leesburg. Si sunit që ishte, ai themeloi një shërbim jo sektar, i cili ishte një partner i besueshëm profesional i SHBA-së, respektivisht i CIA-s dhe trupave amerikane. Sapo u zbeh ndikimi amerikan, Al-Maliki kërkoi shkarkimin e Shahwanit. Shahwani veproi për shkak se ishte patriot irakian, por edhe për shkak se ishte mirëpritur dhe strehuar nga SHBA-ja, gjë që besonte se do të ndodhte edhe në të ardhmen. Natyrisht, sot të gjithë anëtarëve të familjes së Shahwani-t që jetojnë ende në Irak, ju ndalohet hyrja në SHBA. Shefi i stacionit tim pyet: "Si mund ta shikosh atë në fytyrë, duke i premtuar se do të përkujdesemi për të dhe për bashkëpunëtorët e tij? Çka t'u themi tërë këtyre njerëzve? Se presidenti ynë do t'ju ndihmojë atyre?". Edhe pse formalisht jemi në luftë me Irakun, ne kemi nevojë për njerëz që kanë karakter si të Shahwani't. Këto efekte nuk do të kalojnë me shpejtësi. Ofendimet rrallëherë avullohen. Nderi pret me durim që të vihet në vend. Ndërkohë, ne do të mbesim me agjentë të dobët, pa besim të fortë, të cilët do të nënshkruajnë ndonjë marrëveshjeje vetëm për para. Këta janë spiunët më të këqij të mundshëm. Në të ardhmen do të ishte mirë që, paraprakisht, të konsultoheshin edhe oficerët e CIA-s, para se të merren vendimet dhe të bëhen publike. 

(Michael V. Hayden është drejtor i "Chertoff Group" dhe profesor në Universitetin "George Mason". Ishte drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurimit midis viteve 1999 dhe 2005)


(Kosova Sot)