Ku mbetën 1.2 miliard euro?

Ku mbetën 1.2 miliard euro?
  • 15 March 2017 - 08:17

Shkruan: Faton Mehmeti

Konferenca e Donatorëve për Kosovën

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 12 shkurt 2008, më 11 korrik të atij viti u mbajt Konferenca e Donatorëve për Kosovën. Në këtë konferencë vetëm Komisioni Evropian ka dhënë 500 milionë euro, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës 400 milionë dollarë. Gjermania 100 milionë euro, Norvegjia dhe Britania e Madhe kishin premtuar nga 30 milionë euro dhe Luksemburgu 15 milionë euro, pra Kosova ka fituar 1.2 miliard euro. Derisa qytetarët nuk e kanë ndier asnjëherë investimin e këtyre projekteve në përmirësimin e mirëqenies së tyre, zyrtarët e qeverisë thonë se në proces të shpenzimit janë afër 70 për qind të mjeteve.

"Qeverisja e mirë"

Ne e dimë që projektet madhore, siç është autostrada dhe projekte tjera, në fakt, janë projekte, të cilat janë bërë nga buxheti i Kosovës, dhe në projektet e tjera ku potencialisht janë shfrytëzuar këto mjete, ndërsa efektet e këtyre mjeteve në ekonominë kosovare, nuk i shohim. Nuk shohim se kemi bruto-prodhim vendor më të mirë, nuk shohim se kemi zvogëluar deficitin tregtar, nuk shohim se kemi arritur projektet infrastrukturore nacionale, që janë prezantuar në Konferencën e Donatorëve. Hashim Thaçi në atë kohë ishte kryeministër i vendit para mbajtjes së Konferencës së donatorëve pati theksuar se "Ne do të prezantojmë edhe suksesin e arritur në Kosovë, instalimin e qeverisjes së mirë, të sundimit të ligjit, të respektimit të të drejtave të minoritarëve, të qeverisjes transparente, të zotimit tonë të përkushtuar në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit" për ta përmbyllur "me vizionin tonë që Kosova të jetë pjesë e familjes euroatlantike, pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian sa më shpejtë që është e mundur". Këto edhe i theksoi në atë konferencë sa për t'i gllabëruar 1.2 miliard euro, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk dihet destinacioni i tyre, edhe pse zyrtarët thonë se janë investuar në projekte të ndryshme, por pa e përcaktuar asnjë konkretisht.

Korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit po e pengon ekonominë

Ndërkohë në Kosovë ekonomisë së vendit i duhen reforma dhe një qasje e re zhvillimi. Pasi korrupsioni dhe mungesa e sundimit të ligjit po e pengon ekonominë, ndërsa zhvillimet politike vazhdojnë ta lënë atë në hije. Këto shqetësime pasojnë raportin e fundit të Bankës Botërore për gjendjen ekonomike në Kosovë, e cila vitet e fundit ka ngecje. Pra, ekonomia vazhdon të jetë problematike dhe pengesë për të ecur përpara dhe fajtor është politika. Kosova vazhdon të dështojë çdo vit në sektorin ekonomik, gjithashtu një ndër dështimet më të mëdha të Qeverisë se Kosovës edhe gjatë vitit 2016, është rënia e investimeve të huaja dhe zbehja e interesimit të kompanive të huaja që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë. Për Kosovën është i domosdoshëm funksionalizimi i diplomacisë ekonomike, ku të thithen investimet dhe të lirohen nga barrierat burokratike. Pa harruar se dikush duhet të japë përgjegjësi për 1.2 miliard euro, sot apo nesër ato para nuk duhet të harrohen, pasi janë dhënë për qytetarët e Kosovës. Investimet e atyre parave nuk u panë asnjëherë, prandaj me të drejtë qytetarët pyesin, ku mbetën 1.2 miliard euro?

(Kosova Sot)