Balanca siriane e tmerrit

Balanca siriane e tmerrit
  • 15 March 2017 - 13:55

PËRPJEKJET DIPLOMATIKE PA FRYT

Pesë koalicione të mëdha, me qëllime kontradiktore

Shkruan: Shkruan: Omar Ashour

Dobësitë, ndarjet dhe vështirësitë e të gjitha forcave lokale, mund t'u japin forcave regjionale, sikur Rusisë, Turqisë dhe Iranit, një hapësirë më të madhe për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Siri

Derisa lufta civile në Siri i afrohet përvjetorit të gjashtë, rritja e numrit të të vrarëve dhe ndryshimi i vazhdueshëm i terrenit militar, janë duke dëmtuar rëndë përpjekjet diplomatike. Me një raund tjetër të bisedimeve në horizont (diskutimet e reja të udhëhequra nga OKB-ja janë paraparë që të fillojnë këtë javë në Gjenevë), ia vlen që të pyetemi pse konflikti në fjalë ka qenë kaq i vështirë. Dhuna në Siri mund të kishte mbaruar vite më parë, sikur të mos ishin përzier ca faktorë, të cilët tani angazhohen më së shumti për arritjen e një marrëveshjeje. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, pranoi duke thënë se Damasku ishte 2-3 javë larg rënies, para se të intervenonte Moska. Sikur rebelët ta kishin marrë kryeqytetin sirian, njëra ndër kërkesat e tyre kyçe do të ishte rrëzimi i presidentit Bashar al-Assad, gjë që edhe me gjasë do të realizohej. Por, kjo nuk ishte e shkruar që të ndodhte. Për dallim nga Libia, ku veprimi i NATO-s, nën udhëheqjen e Francës, shpë- toi revolucionin e marsit të vitit 2011, intervenimet ruse dhe iraniane në Siri e shpëtuan qeverinë. 

Mungesa e mbizotërimit ushtarak

Thënë këtë, ushtria e Assadit, e cila në vitin 2010 kishte 325,000 ushtarë, ka pësuar më shumë se 100 000 të vdekur, një numër të ngjashëm të të lënduarve dhe me dhjetëra mijëra të dezertorëve. Duke u mbështetur në rreth 110,000 ushtarëve të huaj, për ta mbajtur një pjesë të vogël të Sirisë, të cilën ende e kontrollon, regjimi i Assad-it është shumë i ngjashëm me ushtrinë e tij: një hije e asaj që kishte qenë dikur. Forcat anti-Assad iu afruan fitores ushtarake në disa raste përgjatë këtyre gjashtë vjetëve. Hera e parë ishte në korrik të vitit 2012, kur luftëtarët e sulmuan Damaskun dhe shtabin e Sigurisë kombëtare, duke vrarë komandantët kryesorë të Assad-it, duke përfshirë edhe ministrin e mbrojtjes, zëvendësin e tij, si dhe kreun e Byrosë së sigurisë kombëtare. Kjo ishte pasuar me përparimet e rebelëve në veriperëndim të vendit, kryesisht në Alepo, Homs dhe Idlib. Por, këto fitore u shndërruan në disfata në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013, me intervenimin e Hezbollahut dhe të pjesë- marrësve të tjerë të huaj. Forcat besnike ndaj Assad-it përsëri u çuan deri buzë humnerës në korrik të vitit 2015, kur forcat opozitare përparuan në pikat e regjimit në bregdet, sidomos në portin Latakia. Dy muaj më vonë, njësitet opozitare nga Duma dhe Ghouta ishin afër ndarjes së forcave të Assad-it në Damask, nga veriu i vendit, duke kontrolluar kodrat strategjike dhe duke paralizuar rrugën M5. Por, bombardimet ajrore ruse i anuluan edhe këto përparime. Mungesa e mbizotërimit ushtarak të secilës palë, ka çuar deri te një përzierje marramendëse e realiteteve të reja të sigurisë dhe kërkesave strategjike. Deri në fund të vitit 2016 janë paraqitur pesë koalicione të mëdha me qëllime kontradiktore: forcat e Assad-it dhe aleatët e tyre; forcat opozitare arabe; forcat opozitare kurde; "Jabhat Fatah al-Sham" (JFS, ish fronti Al-Nusra, që ishte degë zyrtare e Al Kaidës në Siri); si dhe i ashtuquajturi, Shteti Islamik (ISIS). 

Përzierje e madhe nga jashtë

Dezertimet, rirreshtimet, si dhe ndërluftimet janë paraqitur në kuadër të të gjitha këtyre pesë koalicioneve, duke përfshirë edhe luftimet midis milicive proAssad dhe njësiteve të ISIS-it. Një plan turko-rus i armëpushimit, i arritur në dhjetor, si dhe procesi negociator në Astana, kanë shkaktuar më shumë konflikte midis arabëve dhe Al Kaidës, sidomos në Idlib. Si reagim ndaj procesit të Astanës, JFS tash vonë u shpërbë dhe u shkri me katër organizatat lokale të veriut: Lëvizjen AlZenki; Brigadën e të së vërtetës; Armatën al-Sunnah, si dhe me mbështetësit e Frontit fetar. Koalicioni i ri, Organizata për çlirimin e Levantit (HTS), po ashtu ka joshur fraksione nga rivali i saj kryesor, Ahrar al-Sham. Rreth një e katërta e forcave të Ahrarit në veri, duke përfshirë edhe komandantin e tyre, Hashim alSheikh, dezertuan në HTS, me të cilën aktualisht komandon al-Sheikh. Në të njëjtën kohë, pesë organizata më të vogla të armatosura, i janë bashkuar Ahrarit, me qëllim që ta evitonin absorbimin nga HTS. Komandanti aktual i Ahrarit, Ali al-Omar, është kryesuesi i këtij koalicioni të ri. Dobësitë, ndarjet dhe vështirësitë e të gjitha forcave lokale, mund t'iu japin forcave regjionale, sikur Rusisë, Turqisë dhe Iranit, një hapësirë më të madhe për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Siri. Por, unë jam skeptik. Në një luftë me prioritete vazhdimisht të ndryshueshme, me qëllime kontradiktore, pa përkushtime të besueshme dhe me përzierje të madhe nga jashtë, çdo armë- pushim i arritur sot, ka shumë të ngjarë që të thyhet nga dhuna nesër.

(Omar Ashour është ligjërues i studimeve të sigurisë në Universitetin "Exeter")

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot''

(Kosova Sot)