Sfida kineze e Trump-it

Sfida kineze e Trump-it
  • 16 March 2017 - 09:41

Shkruan:  Brahma Chellaney

Kina do të vazhdojë që t'i sfidojë aleatët amerikanë dhe interesat e tyre

Trump nuk është figura e vetme në administratën e tij që në fillim ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj Kinës, për t'u zmbrapsur më pas me bishtin ndër shalë.

Gjatë tetë viteve të kaluara, derisa qëndrimi i Kinës në Azi është duke u bërë gjithnjë e më agresiv, shumë e kishin kritikuar presidentin amerikan, Barack Obama, se kishte dështuar që ta kundërshtonte këtë gjigant aziatik. Ishte gjatë mandatit të Obama-s që Kina mori Cekëtinën e diskutueshme Skarborou nga Filipinet dhe ndërtoi shtatë ishuj artificialë në Detin jugor kinez, ku më pas vendosi armë të rënda, të gjitha këto pa paguar asnjë kosto ndërkombëtare. Janë të shumtë ata që presin se trashëgimtari i Obamas, Donald Trump, do ta ndryshojë tërë këtë. Por, fillimi i tij në këtë drejtim nuk është i mbarë. Gjatë kampanjës, Trump kërcënonte se do të hakmerrej ndaj Kinës për "dhunimin" e Amerikës në fushën e tregtisë, se do të vendoste tarifa të larta në importet kineze dhe se do ta shpallte Kinën si manipuluese të valutave që nga dita e parë e tij në post. Menjëherë pas fitores, Trump mori një telefonatë urimi nga presidenti i Tajvanit, duke thyer kështu ortodoksinë diplomatike, të vjetër gati 40 vjet. Trump më pas i çoi gjërat edhe më larg, duke sugjeruar publikisht se do ta përdorë politikën e "një Kine", si mjet pazarllëku në negociatat bilaterale rreth çështjeve kontestuese ekonomike dhe të sigurisë, duke filluar nga tatimet e importeve, e deri te Koreja Veriore. 

Kina tani e percepton Trumpi-n si një krijesë, e cila vetëm leh Por, më pas Trump u tërhoq. Presidenti kinez, Xi Jinping, e bëri të qartë se nuk do të pranonte të bisedonte me presidentin amerikan, nëse ai nuk do t'i përmbahej politikës së "një Kine". Telefonata më pas ndodhi dhe Trump bëri mu atë që kërkoi Xi, duke mos marrë asgjë në këmbim. Nëse Kina tani e percepton Trumpin si një krijesë e cila vetëm lehë, e nuk kafshon, atëherë Trump do ta ketë gjithnjë e më të vështirë që të sigurojë lëshime nga Kina në tregti dhe në çështjet e sigurisë. Trump nuk është figura e vetme në administratën e tij që në fillim ka mbajtur qëndrim të ashpër ndaj Kinës, për t'u zmbrapsur më pas me bishtin ndër shalë. Gjatë procesit të konfirmimit të tij në Senat, sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, deklaroi se SHBA-ja duhet t'ia dërgojë Kinës një sinjal të qartë, duke ia penguar asaj qasjen në ishujt artificialë në Detin jugor kinez. Ai tha se zgjerimi i Kinës në regjion, ishte i ngjashëm me marrjen e Krimesë nga ana e Rusisë, gjë që paraqiste një kritikë implicite ndaj Obamës, i cili lejoi këto dy zhvillime. Por, Tillerson, sikur edhe shefi i tij i ri, shumë u zmbraps. Ai tani thotë se SHBA-ja duhet të jetë "e aftë" që ta kufizojë qasjen e Kinës në ishujt e Detit jugor kinez, në rast të ndonjë pasigurie. Por, veprimet e Kinës meritojnë një reagim më të fuqishëm tani nga ana e SHBA-së. Ky vend është duke tentuar t'i japë fund status quo-së jo vetëm në Detin jugor kinez, por edhe në Detin lindor kinez dhe në Himalaje. Kina është duke punuar për ta krijuar një sferë të gjerë të ndikimit në kuadër të iniciativës së saj "një rrip, një rrugë". Dhe, ajo është duke ua ndryshuar rrjedhën lumenjve ndërkufitarë. E tërë kjo ka për qëllim realizimin e ambicies së liderëve kinezë, të rithemelimit të statusit mistik të vendit, statusit të "Mbretërisë së mesme". 

Kina shndërrohet në një gjigant eksportues Politika me të meta e SHBA-së e ka mundësuar realizimin e këtyre përpjekjeve, pjesërisht duke ndihmuar Kinën që të shndërrohet në një gjigant eksportues. Problemi nuk qëndron te fakti që Kina ka një ekonomi të fortë, por te fakti se ajo abuzon rregullat e tregtisë së lirë, për subvencionimin e eksporteve dhe pengimin e importeve, me qëllim që të ruajë vendet e punës në vend. Sot, Kina i shet mallra SHBA-së me vlerë 4 dollarë për çdo 1 dollar të importit. Është ironike sesi Kina, e cila me vite të tëra ka zhvilluar luftë tregtare në heshtje, ka reaguar ndaj kërcënimeve të Trump-it për imponimin e tarifave ndëshkuese, duke tërhequr vërejtjen ndaj rrezikut të proteksionizmit dhe luftërave tregtare. Por, jo të gjithë besojnë në këtë rrëfim të Kinës. Një numër në rritje i vendeve janë duke parë se reciprociteti duhet të jetë bazë e marrëdhënieve të tyre me Kinën. Vetë Trump mundet ende ta sfidojë Kinën. Kur ai pranoi që ta respektonte politikën e "një Kine", ai tha se e kishte bërë këtë në bazë të kërkesës së presidentit Xi, duke bërë me dije se përkushtimi i tij ndaj kësaj politike nuk duhet të merret si i gatshëm. Për më tepër, edhe pa e sfiduar politikën e një Kine, Trump ka hapësirë të mjaftueshme për të ushtruar presion. Ai mund të fillojë duke vënë theksin te rritja e represionit kinez në Tibet. Ai po ashtu mund t'i zgjerojë kontaktet ekonomike, tregtare, politike dhe ushtarake me Tajvanin. Sido që të jetë, derisa Kina vazhdon që t'i ndjekë ambiciet e saj hegjemone, Trump nuk do të ketë shumë zgjidhje, përpos që të përqendrohet te Azia, në mënyrë substanciale, e jo vetëm si retorikë, sikur që kishte bërë Obama. Me qëllim të përmbajtjes së Kinës dhe të kthimit të stabilitetit në Azi, atij do t'i duhet që të punojë ngushtë me miqtë. Përpjekjet e tij për ta krijuar një lidhje personale me kryeministrin e Japonisë, Shinzo Abe, si dhe prioriteti i lartë, të cilin administrata e tij ia jep marrëdhënieve me Indinë dhe Korenë e Jugut, janë disa shenja pozitive. Duke dështuar që të ofrojë diçka konkrete në këtë drejtim, Obama mbeti vetëm te fjalët rreth strumbullarit aziatik. Trump e ka mundësinë dhe përgjegjësinë që ta ndryshojë tërë këtë. Nëse ai nuk e bën këtë, atëherë Kina do të vazhdojë që t'i sfidojë aleatët amerikanë dhe interesat e tyre, me pasoja serioze për Azinë dhe botën

(Brahma Chellaney është profesor i studimeve strategjike në Qendrën e Nju Delhit për kërkime politike) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"