Beteja për shpirtin perëndimor

Beteja për shpirtin perëndimor
  • 19 March 2017 - 08:56

Shkruan: Jochen Bittner

Për Bannonistët, BE-ja mishëron çdo gjë që është e gabueshme

Njëra ndër gjërat e pakta që këtyre ditëve bashkojnë Amerikën dhe Evropën, është thellimi i mosmarrëveshjeve brenda shoqërive të tyre. Dy palë zgjedhjesh të rëndësishme janë duke u afruar, në Francë, në maj dhe në Gjermani, në shtator. Këtu nuk kemi të bëjmë me diçka të tillë si "ne kundër atyre", por "ne kundër nesh", një përleshje ideologjish brenda vetë Perëndimit. Kjo ndeshje manifestohet në forma të ndryshme, por rëndësi ka se në cilën botë do të jetonin më me qejf shtetasit e Perëndimit. T'i quajmë këto "bota Lennonit" kundër "botës së Bannonit". Asnjëra prej tyre nuk është e qëndrueshme. Bota e Lennonit është ajo e kozmopolitëve liberalë, të përshkruar në këngën e John Lennonit, me titull "Imagine": "Imagjinoni sikur nuk ekzistojnë shtetet", thotë ai "një vëllazëri njerëzish". Bota e Bannonit është e kundërt me këtë: një vend me mure dhe rregulla, e udhëhequr nga "të fortët e pakompromisë". Edhe nëse në qytetet amerikane dhe në pjesë të mëdha të Evropës, të paktën, bota e Lennonit është realitet, mbështetësit e botës së Bannonit janë revolucionarët. Sikur që shpjegoi shembulli tipik i kësaj bote, strategu kryesor i presidentit Trump, Stephen K. Bannon, "Dua që çdo gjë që shkatërrohet dhe ta shkatërroj tërë establishmentin e sotshëm".

Gjermanët kanë mësuar nga përvojat e amerikanëve

Askund kjo ndarje nuk është aq qartë e shprehur sa në Gjermani, ku një e djathtë Bannoniste, në ngritje e sipër, është pozicionuar si kundër socialdemokratëve të qendrës së majtë, po ashtu edhe kundër kristian demokratëve të qendrës së djathtë, ku që të dy këto rryma janë të prira ndaj një bote Lennoniste. Për dallim nga Franca, këtu qendra e majtë është e fortë; për dallim nga SHBA-ja, këtu qendra e djathtë nuk ka interes të bashkë- jetojë, apo të lihet nën hije nga e djathta ekstreme. Natyrisht, gjermanët kanë mësuar edhe nga përvojat e amerikanëve dhe britanikëve në vitin 2016, ku mësimi kryesor thotë se është gabim politik dhe moral që të gjithë votuesit e të djathtës ekstreme të cilësohen si të mjerë. Duhet të gjendet një kompromis, jo vetëm sa për të fituar në zgjedhjet e shtatorit, por edhe për të qeverisur më pas. Pra, cila është kjo rrugë e tretë, e mesme? Për ta ditur këtë, së pari duhet të skicohen botët konfliktuoze të Lennonëve dhe Bannonëve. Lennonimi i ka disa parime themelore. Së pari, kufijtë janë një koncept artificial. Çdo njeri është qytetar i botës dhe e drejtë universale e çdo njeriu është që të jetojë ku të dojë. Meqë individët e gëzojnë të drejtën e lëvizjes, kjo e drejtë duhet të vlejë edhe për lëvizjen e mallrave. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse përfitojnë nga tregtia e lirë. Lennonistët po ashtu besojnë se ndërkombëtarizimi është i paevitueshëm. Derisa disa qytetarë mund të kenë shqetësime rreth bashkëpunimit gjithnjë e më të afërt dhe të një sovraniteti të përbashkët, menjëherë pasi që ata t'i vërejnë benefitet, qëndrimi i tyre do të ndryshojë. Elitat vetëm duhet të provojnë më me forcë që t'i bindin ata që luhaten, meqë ata nuk dinë mjaft rreth mekanizmit që qeverisë botën e sotme, të ndërvarur. 

Kufiri mbizotërues social

Kur flitet për besimin, Lennonistët besojnë se religjioni nuk duhet ta ndajë njerëzimin dhe se islamizmi është fe e paqes. Religjioni islam duhet të konsiderohet tërësisht ndaras nga islamizmi si koncept politik. Dhe, natyrisht, ndalimi i hyrjes së myslimanëve në SHBA është shkelje brutale e të drejtave të njeriut. Edhe roli i femrave ka rëndësi të madhe. Një kufi mbizotërues social është "tavani i qelqtë" ("glass ceiling"): meshkujt së tepërmi janë mësuar me ushtrimin e pushtetit politik, ekonomik dhe kulturor, sa që nuk e vërejnë hegjemoninë e vet. për këtë shkak feminizmi ngelë një lëvizje legjitime dhe e nevojshme e emancipimit. Përfundimisht, BE-ja është manifestimi më i madh i të gjitha këtyre parimeve dhe mjet për çuarjen e tyre përpara. Për këtë shkak, kushdo që e sulmon unionin, ka sulmuar paqen, progresin dhe pasurinë. Bannonizmi e pozicionon vetveten si reagim ndaj këtyre parimeve, por ai është më shumë sesa kaq. Ai i sheh kufijtë si parakusht që shtetet ta ushtrojnë të drejtën e tyre të identitetit kulturor. Lëvizja e lirë e qytetarëve nuk është anatemë, por ajo duhet të matet varë- sisht nga interesi i saj. Rregullat e njëjta aplikohen edhe te lëvizja e mallrave. Tregtia e lirë është O.K., përderisa ajo nuk është cak më vete. Lennonizmi, sikur edhe Bannonizmi, pak a shumë është laik, edhe pse hapësirë më të madhe i jep judeo-krisherizmit. Dallimi qëndron te besimi i këtij të fundit, se islamizmi nuk është fe, por më parë një ideologji antiperëndimore agresive, jo tolerante, që ka për qëllim pushtimin e botës. Në bazë të kësaj, del se ndalimi i hyrjes së myslimanëve në SHBA është i justifikueshëm. Por, Bannonizmi është edhe kritikë e Lennonizmit. Ai thotë se, pas rënies së Murit të Berlinit, në vitin 1989, elitat liberale harruan interesat legjitime të shtetit komb. Besimi i ngjashëm ekziston edhe sa iu përket dallimeve midis meshkujve dhe femrave, duke përzier të drejtat e barabarta me barazinë. Bannonistët besojnë se feminizmi është një ideologji polarizuese, e ndërtuar mbi halucinacionin se shtetet perëndimore vazhdojnë që të jenë patriarkale dhe se meshkujt janë armiq të femrave. Është e tepërt të thuhet se, për Bannonistët, BE-ja mishëron çdo gjë që është e gabueshme. Sipas tyre, Brukseli i mban vendet anëtare të dobëta dhe të dobëta, në vend që t'i bëjë ato të forta dhe të mëdha. Kriza financiare e cila filloi në vitin 2008 do të duhej ta ofronte një shans për gjetjen e një pike të përbashkët; në vend të kësaj, të dyja palët vetëm sa u fshehën edhe më shumë në të menduarit fisnor, duke demonizuar njëritjetrin, duke u etiketuar si racist, apo si naiv. Kancelarja gjermane Angela Merkel,e cila do ta kërkojë mandatin e saj të katërt këtë vjeshtë, e ka bërë të qartë se dëshiron që vendi i saj t'i evitojë krizat të cilat u shkaktuan nga përleshjet brenda perëndimit, në Britani dhe SHBA. Në fakt, njëra prej arsyeve pse ajo garon, është që të mbetet barrierë kundër Trumpizmit: "Ne nuk duam që ta urrejmë njëri-tjetrin, më me qejf do të donim të diskutonim, të diskutonim si demokratë,", tha zonja Merkel në intervistën e parë pas vendimit që t'i hyjë kampanjës parazgjedhore. "Pyetja është se çka mund të bëj unë për kohezionin e një shoqërie aq të polarizuar?"

Efekti i Trump-it është evident

Përgjigja e saj ende nuk është e qartë. ajo që është e qartë, është se pretenduesi socialdemokrat për postin e kancelarit, Martin Schulz, ka krijuar një kampanjë e cila mund të shndërrohet në bisedën të cilën kanë nevojë ta kenë Lennonistët dhe Bannonistët. Schulz, ish-presidenti i Parlamentit Evropian, e ka paraqitur veten si një njeri tipik të vogël (ai me krenari thekson faktin se nuk ka mbaruar shkollën e mesme), duke u përbetuar se do ta bëjë Gjermaninë përsëri një shoqëri të drejtë. Efekti i Trump-it është evident: i shtyrë nga e djathta populiste, debati politik gjerman është duke u hapur, ku të dy partitë kryesore të establishmentit më nuk angazhohen për të njëjtin vend të sigurt në qendrën politike. Gjatë muajve të ardhshëm mund t'i presim tri gjëra: një qëndrim më të ashpër të qeverisë ndaj imigrantëve ilegalë, me qëllim të frenimit të efekteve të politikës së Merkelit, të kufijve të hapur; një debat rreth mënyrës së largimit të mosmarrëveshjeve sociale dhe ekonomike, të krijuara nga evropianizimi; dhe një ripërqendrim te një pjesë e elektoratit e cila ndihet e lënë prapa nga një debat publik i cili është marrë së tepri me çështjet sikur gjinia dhe tepër pak me problemet akute, sikur mungesa e strehimit. Ajo rreth çka pajtohen Merkel dhe Schulz, është se ata duhet ta rrisin ndjenjën e përkatësisë kombëtare, pa shkuar te një retorikë antagoniste, apo nacionaliste, të tipit "Gjermania në rend të parë". Një dozë e vogël e politikës së identitetit, mundet, midis tjerash, që të ndihmojë edhe që myslimanëve të rinj t'iu ofrohet një atdhe psikologjik më atraktiv, sesa atë që ua shet islamizmi politik. Kështu, derisa Brexit, presidenti Trump dhe e djathta ekstreme evropiane do të vazhdojnë që të shkaktojnë valë, ne po ashtu mund ta shohim edhe paraqitjen e një dialogu të ri, premtues nga qendra: një rritje të vëmendjes ndaj pabarazisë dhe padrejtësive të brendshme dhe një përkushtim të vërtetë ndaj jetëve të atyre që ndihen të lënë prapa. Hillary Clinton mund të ketë dështuar mu në këtë pikë, duke lejuar Bannonistët që të fitojnë në Uashington. Por, ky është vetëm fillimi i storjes, e jo edhe fundi i saj. Kapitulli i ardhshëm do të zhvillohet në Gjermani.

(Jochen Bittner është redaktor politik i të përjavshmes "Die Zeit") 

(Kosova Sot)