Ndikimi i zgjedhjeve holandeze te zgjedhjet evropiane

Ndikimi i zgjedhjeve holandeze te zgjedhjet evropiane
  • 22 March 2017 - 09:26

Shkruan: Cas Mudde 

Formimi i një koalicioni qeveritar mund të jetë i pamundur.

Zgjedhjet në Holandë mund të rezultojnë ose me një koalicion shumë të gjerë të katër a pesë partive, me apo pa partinë e Wildersit, apo një qeveri e pakicës, e cila do të varet nga koalicionet e përkohshme. Cilido që të jetë rezultati, ai vetëm do ta forcojë pakënaqësinë politike, duke krijuar një fragmentarizim dhe polarizim shtesë.

Holandezët do ta kenë rastin që të votojnë në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen më 15 mars dhe, pa marrë parasysh rezultatin e këtyre zgjedhjeve, ky votim do ta përgatisë skenën për zgjedhjet kyçe në tërë Evropën këtë vit - duke filluar me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze më 23 prill. Rrallëherë Evropa i ka përcjellë zgjedhjet holandeze kaq për së afërmi dhe rrallëherë ato kanë qenë kaq të paparashikueshme. Pra, çka mund të presë Evropa nga Holanda dhe çka mund të mësojmë ne të tjerët? Për dekada të tëra, zgjedhjet holandeze ishin më të mërzitshmet në Evropën perëndimore, ku shumica e votuesve votonin gjatë tërë jetës së tyre për partinë e njëjtë politike, gjë që rezultonte me ndryshime të vogla politike. Kjo ndryshoi në vitin 2002, për shkak të efektit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe ngritjes së populistit Pim Fortuyn, i cili u vra nëntë ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2002. Edhe pse partia politike të cilën e themeloi Fortuyn, LPF, ekzistoi për më pak se gjashtë vjet, ajo në esencë ndryshoi sistemin politik. Zgjedhjet holandeze tani janë më labile, toni është më i ashpër dhe çështjet më të gjera, ku pjesa më e madhe e kampanjave dominohen nga imigrimi dhe islamizmi.  

Dalja në votime ishte e lartë Edhe pse nuk ka lidhje me LPF-në, Geert Wilders në një masë të madhe e ka marrë rolin e Fortuyn-it të "enfant terrible", duke e transformuar veten nga një konservator autsajder, në një lider populist të së djathtës radikale. Sot është vështirë ta lexosh ndonjë artikull rreth politikës holandeze, ku nuk përmendet 'politikani me flokë të zbardhura me hidrogjen', i cili me muaj të tërë është në një betejë për postin e politikanit më të pëlqyer me ish kolegun e tij partiak, kryeministrin Mark Rutte. Ish- aleatët politikë tani janë bërë armiq. "Economist" tash vonë shkroi sesi politikat holandeze janë fanar për Evropën, duke thënë se zhvillimet në Holandë kanë të ngjarë që të përcillen nga vendet e tjera evropiane, pak vjet më vonë. Në të njëjtën mënyrë, "Politico" e kishte përshkruar Wildersin si "njeriu i cili zbuloi Trumpizmin". Që të dy këto pretendime kanë diçka të vërtetë. Por, Wilders nuk është ndër më të parët e të djathtës radikale. Dhe, përkundër asaj që holandezët kanë vënë ca trendë në politikën evropiane, kryesisht në formë të euroskepticizmit dhe islamofobisë, ata nuk ishin gjithmonë të vetëm, meqë edhe Danimarka kishte përjetuar një zhvillim të ngjashëm. Pastaj, situata më dramatike me gjasë është në Greqi, një vend i cili votimin e ka të obliguar me ligj. Në vitin 1985, përqindja e atyre që nuk kishin marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, ishte 16.2%; në vitin 2004 ishte 23.4%; dhe, në zgjedhjet e fundit, në shtator të vitit 2015, kjo përqindje ishte 44%. Me fjalë të tjera, në një vend ku votimi është i obligueshëm, në votime dolën vetëm 56%. Krahasuar me këtë, rënia e daljes në zgjedhjet në Holandë është modeste: në vitin 1986 dalja në votime ishte 86% dhe në dy zgjedhjet e fundit ajo ishte 75%. Pritet që në zgjedhjet e sivjetme përqindja do të rritet.

Evropa mund të nxjerrë mësim nga zgjedhjet holandeze Sa i përket besnikërisë (votave dhënë për partitë e konsoliduara), Holanda është në pajtim me trendët evropianë. Përgjatë viteve 1980, tri partitë e konsoliduara - Partia kristian demokrate - CDA; ajo social demokrate - PvdA; si dhe Partia konservatore - VVD, morën rreth 80% të votave. Në vitin 2002, kjo përqindje ra në 60%, si pasojë e daljes në skenë të partisë së Fortuynit, LPF, duke mbetur kështu deri në vitin 2012. Në shumicën e anketave të bëra tash vonë, tri partitë e përmendura mund të llogarisin vetëm në 40% të votave, sa gjysma e votave që kishin gjatë viteve 1980. Në të njëjtën kohë, 'zëri' (mbështetja ndaj partive populiste) ka pasur rritje të ndjeshme. Së bashku, ato kanë afër 30% të votave, ku dy të tretat e tyre i ka PVV. Kombinimi i rënies së besnikërisë dhe i rritjes së 'zërit' çon te sistemet partiake të fragmentarizuara dhe të polarizuara, gjë që e bën më të vështirë formimin e qeverive të koalicionit. Psh në Holandë formimi i një koalicioni qeveritar mund të jetë i pamundur. Zgjedhjet në Holandë mund të rezultojnë ose me një koalicion shumë të gjerë të katër, a pesë partive, me apo pa partinë e Wildersit, apo një qeveri e pakicës, e cila do të varet nga koalicionet e përkohshme. Cilido që të jetë rezultati, ai vetëm do ta forcojë pakënaqësinë politike, duke krijuar një fragmentarizim dhe polarizim shtesë dhe te një besnikëri më e vogël dhe te një "zë" edhe më i madh. Ky është mësimi kryesor që Evropa mund ta nxjerrë nga zgjedhjet holandeze.

(Cas Mudde është profesor në Shkollën e çështjeve publike dhe ndërkombëtare në Universitetin e Gjeorgjisë)

(Kosova Sot)