Gazeta "Kosova Sot"- roli dhe misioni patriotik dhe demokratik i saj

Gazeta
  • 23 March 2017 - 08:07

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI, DURRËS

Më 24 mars 1999 Shtypshkronja e Gazetës "Kosova Sot" , e cila është gazeta e të gjithë shqiptarëve, përderisa shquhet për punën fisnike si media më e mirë, reale, e lirë, e pavarur, asnjanëse dhe më me përkushtim informativ, edukativ dhe patriotik u shkatërrua dhe u dogj nga regjimi barbar serb. Shkatërrimi i Shtypshkronjës së Gazetës "Kosova Sot" më 24 mars 1999 në fakt ishte fitore e saj kundër propagandës së barbarisë serbe, ashtu siç ishte fitore edhe lufta e NATO-s dhe e UÇK-së kundër Serbisë që sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Se sa e rëndësishme ka qenë veprimtaria e saj në kohët e vështira të terrorit dhe gjenocidit serb e tregon fakti se Shtypshkronja e Gazetës "Kosova Sot" u dogj dhe u shkatërrua pikërisht në kohën kur NATO filloi Luftën kundër ishJugosllavisë për lirinë dhe për Pavarësinë e Kosovës. Pra, kjo tregon se "Kosova Sot" ishte ashtu si dhe lufta e UÇK-së dhe e NATO-s, në funksion të lirisë dhe të Pavarësisë së Kosovës kundër regjimit barbar serb.

Medie e guximshme intelektualisht

Gazetës "Kosova Sot"e ka hipotekuar tashmë në histori rolin dhe kontributin e saj historikokombëtar dhe për këtë duhet të jeni dhe të ndjeheni krenarë, për atë përballje dhe kundërshti flakë për flakë dhe ballë për ballë jo vetëm me propagandën, por edhe me shtetin banditesk, kriminal, barbar dhe gjenocidal serb . Por ajo për të cilën Ju meritoni konsideratë dhe mirënjohje edhe për të sotmen është fakti se Ju edhe sot jeni avangarda mediatike si një media e guximshme intelektualisht, patriotikisht dhe profesionalisht për t'iu kundërvënë dhe demaskuar të palarat, turpet, korrupsionin dhe krimet e politikës, pushtetit dhe të padrejtësive të drejtësisë së sotme në Kosovë, pra, duke mbajtur dhe duke luajtur kështu rolin e vërtetë që i takon medias në Demokraci: pikërisht atë të opozitarit dhe jo si shumica e medieve qoftë ato të shkruara dhe ato vizive që janë bërë satelitë dhe mercenarë të politikës dhe të korrupsionit politik dhe materialist.

Emancipimi patriotik e demokratik

Pra, në mbyllje ju uroj punë të mbarë në rolin Tuaj në shërbim të zhvillimit, konsolidimit dhe të emancipimit patriotik, demokratik , të lirisë, të progresit dhe të integrimit të shoqërisë shqiptare. Gazetës "Kosova Sot" dhe stafit te saj i urojmë suksese në vijimësinë e të rolit të rëndësishëm që ajo luan si roje dhe për përmirësimin e demokracisë dhe në kontrollimin prej saj si dhe demaskimin që ajo i bën tradhtisë dhe korrupsionit politik, qeveritar dhe të pushteteve; si një medie e lirë në informimin e publikut me informacione, analiza, opinione dhe studime të spektrave të ndryshëm të shoqërisë, politikës , ekonomisë etj. si të brendshme dhe ndërkombëtare në interes të publikut, dhe jo si medie proinstitucionale, karakteristika këto për karakterin opozitar që e karakterizon Gazetën "Kosova Sot". Suksese! 

(Kosova Sot)