Rebelimi demokratik i Tony Blair-it

Rebelimi demokratik i Tony Blair-it
  • 23 March 2017 - 08:21

Shkruan: Anatole Kaletsky

Çdokush që vë në pyetje politikën e qeverisë ndaj Brexitit, automatikisht konsiderohet "armik i popullit"
T hirrja e tashme e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, që ta rishqyrtojnë edhe një herë largimin nga BE-ja, bëri jehonë në debatet parlamentare para lansimit zyrtar të qeverisë të procesit të Brexitit në mars. Thirrja e Blair-it ngjan me atë se "mbreti është cullak". Edhe pse tani Blair nuk është një figurë e popullarizuar, zëri i tij, ngjashëm me zërin e fëmijës në përrallën e Hans Christian Andersenit, është mjaft i lartë sa që të ndihet mbi sigurimet e ofruara nga kryeministrja Theresa May, se bixhozi i saj lakuriq me të ardhmen e Britanisë, është vetëm pjesë e përsosjes së demokracisë. Rëndësia e fjalimit të Blair-it mund të matet me reagimin më se histerik ndaj sugjerimit të tij për rihapjen e debatit rreth Brexitit, bile edhe nga mediat që supozoheshin si objektive: "Nga disa kjo do të shihet si ftesë për luftë", thoshte BBC. E tillë është tirania e shumicës në Britaninë e pas referendumit, saqë një thirrje për debat racional, konsiderohet si rebelim. Dhe, çdokush që vë në pyetje politikën e qeverisë ndaj Brexitit, automatikisht konsiderohet "armik i popullit", tradhtia e të cilit do të shkaktojë "gjakderdhje në rrugë". 

Strategjia për t'u larguar nga BE-ja donte të thoshte hapjen e Kutisë së Pandorës

Si mund të shpjegohet një paranojë e këtillë, e papritur? Fundja, opozita politike është një rrethanë e domosdoshme për funksionimin e demokracisë dhe askush nuk do të duhej të tronditej nëse euroskeptikët do të vazhdonin ta kundërshtonin Evropën pas humbjes së referendumit. Dallimi te Brexiti është se referendumi i qershorit të kaluar ndau demokracinë britanike në dy mënyra. Së pari, vota pro largimit nga BE-ja ishte frymëzuar kryesisht nga ndjenjat që nuk kishin lidhje me Evropën. Së dyti, qeveria e ka shfrytëzuar këtë konfuzion për ta kërkuar një mandat për të bërë çkado që do të donte. Gjashtë muaj para referendumit, BE-ja as që përmendej në mesin e dhjetë çështjeve më të rëndësishme me të cilat ballafaqohej Britania. Çështja e imigracionit ishte e para, por sikur që tha Blair në fjalimin e tij, ndjenjat kundër imigrimit ishin kryesisht kundër imigrimit multikulturor, që nuk kishte shumë të bënte me BE-në. Strategjia për t'u larguar nga BE-ja donte të thoshte hapjen e Kutisë së Pandorës të pakënaqësive rreth pabarazive regjionale, pabarazisë ekonomike, vlerave sociale dhe këmbimeve kulturore. Kampanja pro mbetjes në BE dështoi tërësisht që të reagonte ndaj kësaj, meqë ajo ishte përqendruar te pyetja e cila ishte e ngushtë, duke adresuar kostot dhe përfitimet nga të qenit anëtar i BE-së. Fakti që referendumi ishte një protestë amorfe, por gjithëpërfshirëse, shpjegon efektin e tij të dytë të dëmshëm. Meqë kampanja për t'u larguar kishte kombinuar në mënyrë të suksesshme një mori ankesash të ndryshme, May tani e konsideron referendumin si mandat të hapur. Në vend që të bisedojë rreth politikave kontroverse konservatore, May tani i paraqet këto politika si kushte të domosdoshme për një "Brexit të sigurt". Çdokush që nuk pajtohet, etiketohet si elitist i cili nuk përfillë votuesit e rëndomtë. Ajo që i bën gjërat edhe më të këqija, rreziqet evidente që solli Brexiti, kanë krijuar mentalitetin e rrethimit. 

Sikur në kohë lufte, çdo kritikë konsiderohet tradhti

"Një Brexit i suksesshëm" është bërë çështje e mbijetesës kombëtare, duke bërë që edhe propozimet më të buta për kufizimin e opsioneve negociuese të qeverisë, të konsiderohen akte të sabotimit. Sikur në kohë lufte, çdo kritikë konsiderohet tradhti. Për këtë shkak Partia Laburiste ka bashkëpunuar në rrëzimin e përpjekjeve parlamentare për t'i moderuar planet e vështira të May-it rreth Brexitit. Ngjashëm me këtë, kërkesat më ambicioze nga partitë më të vogla opozitare, për një referendum të dytë rreth marrëveshjes finale të daljes, nuk kanë hasur në mbështetje, qoftë nga proevropianët më të përkushtuar. Sër Ivan Rogers, i cili muajin e kaluar u detyrua që të jepte dorëheqje si përfaqësues permanent i Britanisë në BE, vetëm pse vuri në pyetje qasjen negociatore të May-it, këtë javë parashikonte një ndarje "të përgjakshme, të hidhur dhe të mbrapshtë" midis Britanisë dhe Evropës. Por, ky skenar nuk është i paevitueshëm. Një mundësi më konstruktive tani është duke u paraqitur përgjatë vijave të propozuara nga Blair. Në vend që të tentohet për ndikimin e kotë në qëndrimin e fortë të May-it në negociata, prioriteti i ri duhet të jetë rifillimi i një debati racional rreth raportit të Britanisë me Evropën dhe rreth bindjes së publikut që ky debat është legjitim dhe demokratik. Kjo nënkupton sfidën e idesë se referendumi përjetësisht qëndron mbi të gjithë mekanizmat e tjerë të politikave demokratike dhe bindjes së votuesve se një mandati i një referendumi i referohet një çështjeje të veçantë, në rrethana të veçanta, në një kohë të veçantë. Nëse rrethanat ndryshojnë, apo nëse pyetja e referendumit merr domethënie tjetër, atëherë votuesit duhet që të lejohen që ta ndryshojnë mendimin e tyre. Procesi i kthimit të domethënies së vërtetë të demokracisë, mund të fillojë brenda javëve të ardhshme. Katalizatorë të kësaj mund të jenë amendamentet ndaj legjislacionit të Brexitit, që tani janë duke kaluar nëpër parlament. Qëllimi duhet të jetë parandalimi i krijimit të një raporti midis Britanisë dhe BE-së para se ai raport të miratohet nga votimi parlamentar, i cili do ta mundësonte vazhdimin e mbetjes në BE. Një amendament i tillë do ta bënte status quo-në një opsion 'default', nëse qeveria do të dështonte ta 'kënaqte' parlamentin me aranzhime të reja të negociuara gjatë dy viteve të ardhshme. Lejimi i parlamentit që të vendosë rreth raportit të ri me Evropën, në vend që kjo çështje t'i lihet në tërësi May-it, do ta rikthente parimin e sovranitetit të parlamentit. Për më tepër, kjo do ta legjitimonte një debat të ri politik në Britani rreth kostove dhe përfitimeve të vërteta të qenit anëtar i BE-së, gjë që mund të çojë deri te një referendum i dytë rreth planeve qeveritare në lidhje me Brexitin. Mu për këtë shkak May kundërshton dhënien e cilësdo rëndësi parlamentit rreth rrjedhjes së negociatave në lidhje me Brexitin. Supozohet që ajo do ta bllokojë çdo kërkesë të tillë. Por, nëse me të vërtetë fillon një debat i vërtetë rreth Brexitut, atëherë demokracia nuk do t'ia lejojë asaj që ta mbyllë këtë proces.

(Anatole Kaletsky është ekonomisti kryesor i "Gavekal Dragonomics") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot. 

(Kosova Sot)