Le Pen, Trump dhe kundërrevolucioni atlantik

Le Pen, Trump dhe kundërrevolucioni atlantik
  • 25 March 2017 - 15:19

Shkruan: Gideon Rachman

DY LIDERËT QË DUAN TA KTHEJNË ORËN PRAPA

Në mesin e elitës franceze mbizotëron një nervozizëm

Dy liderët kanë shumë veti të përbashkëta, duke përfshirë edhe nacionalizmin, populizmin dhe proteksionizmin

Franca dhe SHBA-ja, që të dyja, e konsiderojnë popullin e tyre të veçantë. Por, historia e tyre ka ndjekur shpesh një tipar të përbashkët. Revolucioni amerikan i viteve 1775-83 shpejt u pasua nga Revolucioni Francez i vitit 1789 - gjë që ka bërë që, disa historianë, duke folur për fundin e shekullit XVIII, ta quajnë atë "periudhë të revolucioneve atlantike". A do të shkruajnë historianët e së ardhmes një ditë rreth "kundërrevolucioneve atlantike" të fillimit të shekullit XXI? Kjo mund të ndodhë nëse zgjedhja e Donald Trump-it si president të SHBA-së përcillet me fitoren e Marine Le Penit në zgjedhjet presidenciale franceze që do të mbahen në maj. Lëvizjet Trump dhe Le Pen kanë disa gjëra të përbashkëta - armiqësinë ndaj islamizmit, nacionalizmin, populizmin, proteksionizmin, mbështetjen ndaj Brexitit, simpatitë ndaj Rusisë dhe urrejtjen ndaj mediave kryesore. Që të dy këta liderë duan ta kthejnë orën prapa, te një periudhë më konservatore, para globalizimit dhe multikulturalizmit, me anë të një kundërrevolucioni kundër "establishmentit të urryer demokrat". Le Pen e ka përshëndetur fitoren e Trumpit si agim të një periudhe të re. Dhe, disa prej këshilltarëve të afërt të Trumpit, sikur që është edhe Stephen Bannon, kanë kultivuar lidhje të afërta me të djathtën ekstreme evropiane. Për arsye politike, Le Pen duhet ta trajtojë me kujdes lidhjen me Trump-in.

Zgjohen forcat antiglobaliste

Anketat tregojnë se presidenti i ri amerikan nuk gëzon popullaritet në mesin e votuesve francezë, as te ata të krahut ekstremist të djathtë. Por, në anën tjetër, fitorja e Trump-it paraqet balancë për Le Penin. Ajo i ka ndihmuar asaj që ta krijojë një sens të momentumit forcave antiglobaliste në Evropë. Dhe, pas fitores së Trump-it dhe Brexitit, votuesit francezë kanë më pak të ngjarë që të frikësohen se fitorja e Le Pen-it do ta stigmatizojë, apo izolojë Francën. Rrethanat ekonomike dhe sociale në Francë, nëse jo më tepër, janë më të favorshme për Le Peni-n, sesa situata me të cilën Trump ballafaqohej para zgjedhjeve të nëntorit. Viktimat e sulmeve të fundit terroriste në Francë janë më të rënda sesa ato në SHBA, pasi që vetëm gjatë 18 muajve të fundit ndodhën tri sulme të tmerrshme. Tensionet midis pakicës myslimane dhe shoqërisë më të gjerë, janë më të tensionuara në Francë sesa në SHBA. Edhe papunësia është më e lartë në Francë. Franca, për dallim nga SHBA-ja, është duke respektuar kufijtë buxhetorë të imponuar nga BE-ja, gjë që vetëm e rritë edhe më shumë ankthin nga humbja e sovranitetit. Edhe më mirë për Le Pen-in, mbështetja e elitës politike të Francës tregon se kjo elitë nuk është në kontakt me realitetin. François Fillon, kandidati i qendrës së djathtë, tani është subjekt i një hetimi formal, pasi që kishte punë- suar gruan dhe dy nga fëmijët e tij duke përdorë fonde publike. Shpresa më e madhe e qendrës pro evropiane quhet Emmanuel Macron, një kandidat rinor dhe karizmatik. Por, sikur që ka të ngjarë, një ish-bankier i edukuar në "Ecole Nationale d'Administration", institucionin më elitar në Francë, të mbështetur me pasion në Bruksel, Macron po ashtu mishëron edhe një establishment jopopullor. 

Mjeshtre e debateve televizive

Le Pen është një prezantuese e aftë televizive, e cila do t'i mbizotërojë debatet televizive, të cilat janë të prira ta kenë rolin kryesor në përcaktimin e votuesve francezë. Një dallim i qartë midis lëvizjeve Trump dhe Le Pen, është risia. Trump u paraqit nga asgjëkund (në aspektin politik) për ta marrë Partinë Republikane e më pas edhe Shtëpinë e Bardhë. Për dallim nga kjo, Fronti Nacional ka kohë që është i pranishëm në politikën franceze, sikur edhe dinastia Le Pen. Për dallim nga e kaluara, disa anketa të bëra tash vonë tregojnë se Le Pen do të gëzojë një mbështetje më të madhe se 40% në raundin e dytë. Një anketë tjetër, e bërë javën e kaluar, tregoi se ajo kishte një mbështetje prej 45% krahasuar me kandidatin Fillon; derisa dy anketa të tjera, të bëra po ashtu tash vonë, kanë treguar se Le Pen gëzon një përparësi ndaj Macronit në vlerë prej 42%. Le Pen mund të ketë rezultate edhe më të mira nëse ballafaqohet me një kandidat të ekstremit të majtë në raundin e dytë, gjë që mund të ndodhë nëse e majta i bashkon forcat. Në mesin e elitës franceze mbizotëron një nervozizëm. Në Paris javën e kaluar, zhvillova një bisedë me temën "në cilin vend të emigroj", me një çift miqsh të vjetër, për të cilët mundësia e fitores së Le Penit dukej tepër reale. Me Trumpin në pushtet në SHBA dhe me Britaninë që është duke u larguar nga BE-ja, opsionet e imigrimit duket se janë ngushtuar. 

(Kosova Sot)