Realiteti rreth Trumpizmit

Realiteti rreth Trumpizmit
  • 27 March 2017 - 09:30

Shkruan: Joschka Fischer

Marrëdhëniet e Trump-it me Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, mbeten të paqart.

Një krizë kushtetuese në SHBA, një largim nga globalizimi në dobi të proteksionizmit dhe politikat e reja izolacioniste të sigurisë, paraqesin shkëputje serioze me rendin ndërkombëtar, pa asnjë rend tjetër alternativ.

Pak më shumë se një muaj pas inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump, është bërë e qartë se asgjë e mirë nuk do të vijë nga presidenca e tij. Për fat të keq, pesimistët dolën të jenë realistë: gjërat me të vërtetë janë aq keq, sa që ata thanë se do të ishin. Skenarët më të këqij tani janë realistë. Çdo shpresë se do të dalë diçka që do ta bindë Trump-in që t'i respektojë normat e politikës vendore dhe të huaj, ka mbetur vetëm një dëshirë e kotë. Realiteti kërkon pranimin e realitetit të hidhur. Kur presidenti i 45-të i SHBA-së është i detyruar që të zgjedhë midis respektimit të kushtetutës, apo subverzionit të saj, ai me gjasë do të vendosë për këtë të dytën. Administrata e Trump-it nuk dëshiron asgjë më pak sesa ndryshimin e regjimit në Uashington, DC. Herët apo vonë, fërkimet midis presidentit dhe sistemit kushtetues do ta krijojnë një krizë të thellë, e cila do ta trandë SHBA-në në esencën e saj, duke e bërë politikisht të panjohshme. Sulmet e vazhdueshme të Trump-it kundër sistemit gjyqësor dhe shtypit, nuk lënë vend për interpretime të ndryshme. 

Izolimi dhe proteksionizmi Edhe nëse mbizotëron sistemi kushtetues amerikan, kaosi i cili do të pasojë gjatë presidencës së Trump-it mund të shkaktojë dëmtime të qëndrueshme. Konsideroni çka mund të ndodhë kur të ndodhë ndonjë sulm i ashpër terrorist gjatë kësaj periudhe të krizës. A do ta përjetojë SHBA-ja një kalim në autoritarizëm, të ngjashëm me atë që e kemi parë në Turqi? Na mbetet që të shpresojmë se jo, por ajo është një mundësi reale. Në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, deri tani jemi kursyer nga një shkëputje e papritur e aleancave ekzistuese dhe nga përkushtimet që dalin nga to. Por, përderisa Trump ta ndjekë politikën e tij "America first" që çon në izolim dhe proteksionizëm, këto aleanca dhe përkushtime do të mbesin të rrezikuara. Një krizë kushtetuese në SHBA, një largim nga globalizimi në dobi të proteksionizmit dhe politikat e reja izolacioniste të sigurisë, paraqesin shkëputje serioze me rendin ndërkombëtar, pa asnjë rend tjetër alternativ. Nëse gjërat shkojnë mirë, atëherë do të mbizotërojë një jostablitet i gjatë; nëse gjërat nuk shkojnë mirë, atëherë mund të vijë deri te konfrontimi e bile edhe te konflikti i armatosur. Marrëdhëniet e Trump-it me Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, mbeten të paqarta, nëse jo misterioze. Kjo pasiguri e vazhdueshme është e ndërlikuar sidomos për Evropën lindore, e cila nuk mund ta hedhë poshtë mundësinë që Trump dhe Putin ta arrijnë marrëveshjen Jalta 2.0, duke e ndarë Evropën në sfera të veçanta të ndikimit. 

BE-ja ka nevojë urgjente që ta zhvillojë një strategji të mbrojtjes Sido që të jetë, derisa Trump trandë rendin ekzistues botëror, Evropa do të përjetojë numrin më të madh të goditjeve. Pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa perëndimore qe në gjendje që të lulëzonte për shkak të dy premtimeve të mëdha amerikane: mbrojtjes ushtarake nga BRSS-ja dhe tregtisë së lirë. SHBA-ja po ashtu luajti një rol të madh si "simbol i lirisë". Por tani, me një Evropë gjithnjë e më të rrezikuar nga revanshizmi rus, ky rol tanimë mund t'i ketë takuar së kaluarës. Në ndërkohë, plagët e rënda të BE-së e kanë lënë atë tepër të dobët që ta zhvillojë një alternativë ndaj status quosë së paqëndrueshme. Nëse marrëveshjet evropiane të pas Luftës së dytë botërore që kanë të bëjnë me sigurinë dhe ekonominë zbehen, apo shkatërrohen, sikur që tani duket se ka të ngjarë që të ndodhë, atëherë themelet mbi të cilat ka qëndruar Evropa e lirë, do të fillojnë që të lëkunden. Në atë rast, shkaktari më i afërt i një zhvillimi të tillë me gjasë do të jetë raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale franceze. Një fitore e Marine Le Penit do të ndikonte në shpërbërjen e Eurozonës dhe BE-së. Franca dhe vendet e tjera anëtare do të pësojnë dëme të mëdha ekonomike dhe do të vijë më pas një krizë globale. Nëse Le Pen nuk fiton, atëherë do të thyhet vala e nacionalizmit, të paktën përkohësisht, duke ia ofruar Evropës një shans të dytë. Ky shans nuk duhet të humbet. BE-ja ka nevojë urgjente që ta zhvillojë një strategji të mbrojtjes si nga rreziqet e brendshme, po ashtu edhe nga ato të jashtme, si dhe të zhvillojë në qetësi negociatat rreth Brexit-it. Pa marrë parasysh se çka do të ndryshojë, interesat gjeopolitike dhe të sigurisë në Britani do të mbesin të njëjta. Brexit nuk do ta ndryshojë faktin se ky bashkëpunim është i domosdoshëm për një mbrojtje të përbashkët, për luftimin e terrorizmit dhe mbrojtjes së kufijve. BE-ja nuk duhet të pranojë asgjë që do të rrezikonte unionin e mbetur të 27 vendeve anëtare. Por, negociatat në të dyja anët duhet të kenë kujdes edhe evitimin e çdo rezultati të dëmshëm për raportet me Britaninë. Sikur që na mëson përvoja, jeta vazhdon edhe pas shkurorëzimit. Interesat tona të përbashkëta do të mbesin dhe tani ato përfshijë menaxhimin e krizës që vijnë presidenti i ri brutal i Amerikës. Joschka Fischer ka mbajtur poste me rëndësi në Gjermani për një periudhë të gjatë kohore

(Kosova Sot)