Çfarë demokracie po frymon Kosova?

Çfarë demokracie po frymon Kosova?
  • 14 April 2017 - 08:19

SHKRUAN: SALIHE SALIHU - PHD KANDIDAT
Kosova e pasluftës u përcaktua për sistem demokratik dhe ky përcaktim u bë në mënyrë rupture nga një sistem i trishtë komunist. Pra, sistemi i mëparshëm ishte një sistem që ishte ideologjikisht krejtësisht ndryshe nga sistemi i tanishëm, pra sistemi demokratik. Por, mënyra e kalimit nga një sistem në sistemin tjetër nuk ishte e lehtë për Kosovën, dhe fillesat e kultivimit të demokracisë reale janë shënuar pas përfundimit të luftës së fundit. Mirëpo, selektimi i modelit të demokracisë nuk kishte marrë kornizat e qarta dhe demokracia në kuptimin e gjerë ka hasur në pengesa duke eklipsuar vërtetë vlerat genuine të demokracisë. Për çfarë demokracie po dominon sot në Kosovë? Llojet e ndryshme të demokracisë nuk janë në përputhje të plotë me llojet e deritanishme ekzistuese të demokracisë. Mund të mendohet se ekziston një lloj hibritizimi i demokracive, por edhe ky supozim nuk mund të jetë i qëndrueshëm. Kjo luhatje vjen ngase kombinim jokompatibël i llojeve të demokracive, të cilat nuk po mund të jenë të përshtatshme për rrethanat kosovare. Po të ndalemi në dy llojet e demokracive bashkëkohore, të demokracisë liberale apo të demokracisë deliberative shihet qartazi një gap mes tyre dhe diskongruencë signifikante.

Ku mbështetet ky mendim?

Së pari, demokracia liberale ka disa norma të cilat parashohin që shtetasit, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjuhësore etj., kudo që jetojnë brenda një shtetit dhe gëzon të gjitha të drejta si gjithë qytetarët e tjerë, atëherë këta shtetas kanë edhe obligime ndaj këtij shteti. Pra, këta shtetas, pavarësisht mënyrës se si e kanë fituar shtetësinë e Kosovës, sipas parimit 'jus soli' apo 'jus sanguinis', duhet të jenë shtetas aktivë për përforcimin e shtetit dhe mirëqenies shtetërore e personale. Pa përforcimin e shtetit nuk ka mirëqenie për asnjë shtetas. Mirëqenia shtetërore krijon kushte të favorshme që secili shtetas individualisht të ketë benefite për veten dhe familjen e tyre duke jetuar të sigurt dhe duke krijuar kushte më të mira për të ardhmen. Urdhrat juridike dhe normative në demokracinë liberale apo deliberative janë në interesin shtetëror dhe në të mirë të çdo shtetasi që e konsideron veten shtetas të këtij shteti.

Çdo tolerancë në dëm të shtetit është e papranueshme

Shikuar nga demokracia deliberative, e cila është një formë e veçantë dhe në zhvillim e sipër në botën perëndimore, megjithatë edhe në këtë formë ka kritere të caktuar për të funksionuar një shtet. Pikësëpari ky lloj i demokracisë si kriter fundamental ka formën e komunikimit që të mundësojë të zhvillohen proceset politike. Ky lloj i demokracisë konsiston nga komunikimet konstruktive që pritet të debatohen dhe të shqyrtohen të gjitha alternativat e mundshme. Rrjedhimisht, kjo formë i paraprin procedurave për vendimmarrje racionale, të cilat duhet të rezultojnë në opercionalizme të drejta dhe të matura dhe të cilat janë fitimprurëse për të gjithë shtetasit brenda një shteti. Pra, në radhë të parë janë interesat e shtetasve, por gjithherë duke respektuar vendimet e marra dhe duke pasur si pikë të parë referenciale interesat shtetërore edhe në asnjë mënyrë nuk tolerohen ndonjë interes tjetër që e minojnë apo e dëmtojnë interesin shtetëror të një shteti. Në këtë pikë nuk mund të ketë tolerancë, sepse çdo tolerancë në dëm të shtetit është e papranueshme.
Privilegjet që ka një shtetas kosovar nuk duhet të keqpërdoren, por të jenë në përdorim të drejtë për të mirën individuale dhe të shtetit ku jeton

Kështu që shtetasit e Republikës së Kosovës duhet të obligohen që të respektojnë vlera demokratike dhe të janë të gatshëm që të lejojnë që të zbatohet në praktikë. Që të dyja këto lloje të demokracisë që u përmenden më lartë janë modele më të avancuarat deri më tani. Avantazhi i këtyre modeleve nuk mund të jetë efektiv nëse nuk aplikohen si tërësi apo ka kundërshtime apo qëllime që janë në dëm të interesave të shtetit të Kosovës. Asnjë shtetas nuk mund të pretendon që të jetë më luajal ndaj ndonjë shteti tjetër duke cenuar dhe duke penguar shtetin ku jeton dhe aty ku konsiderohet si shtetas me të drejta të plota. Prandaj, privilegjet që ka një shtetas kosovar nuk duhet të keqpërdoren, por të jenë në përdorim të drejtë për të mirën individuale dhe të shtetit ku jeton. Vetëm në respektim të së drejtës si shtetas i Kosovës mund të kalkulojmë një siguri shtetërore. Me këtë premisë duhet të parashtrohen obligime në formë legale dhe të kërkohet përgjegjësi për çdo veprim që është në kundërshtim të së mirës së shtetit. Vetëm kur të arrihet ky stad i respektimit të drejtave dhe dhënies së përgjegjësisë, atëherë mund të japim një pasqyrim të mirëfilltë për të prezantuar aplikimin e një lloj demokracie genuine në Kosovë .

(Kosova Sot)