Humbja e identitetit urban të Prishtinës dhe Kosovës

Humbja e identitetit urban të Prishtinës dhe Kosovës
  • 15 April 2017 - 08:18

Shkruan: ARCH.YLBER VOKSHI -YLLI

Fakulteti Teknik - stop krimit arkitektonik!

Askush nuk mund të jetë kundër rehabilitimeve, gjegjësisht rindërtimeve, revitalizimeve, regjenerimeve, restaurimeve arkitektonike dhe urbane, zhvillimi i shoqërisë e kërkon këtë. Është ky proces i pandalshëm, nëse dëshirojmë të përcjellim dhe të aplikojmë të arriturat teknologjike në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit në botë. Për këtë ka disa rregulla dhe kritere që domosdo duhet respektuar, çka ende nuk vlen në Prishtinë dhe Kosovë. Kjo në mënyrë të padukshme do të na hakmerret, nëse nuk i ndalojmë këto veprime të çoroditura, pa i respektuar as rregullat elementare të qytetërimit

Më në fund pas 17 viteve në shekullin e ri, përjetova një protestë të arkitektëve dhe disa profesorëve me moton "stop krimit arkitektonik ", të cilët janë lodhur me gjithë atë që është duke ndodhur në Kosovë këto vite në fushën e ndërtimit. Shkas ishte ndërhyrja në fasadën e objektit të Fakultetit Teknik, gjegjësisht në degradimin total të një objekti të "arkitekturës brutaliste", që është gabimi i pafalshëm, të cilin ata që e kanë bërë këtë veprim e kanë pasur obligim ligjor dhe profesional që mos ta bëjnë. E kur kjo vjen nga ata që po na i edukojnë gjeneratat e reja se si duhet punuar duke i respektuar normat, standardet teknike, ligjet dhe konventat ndërkombëtare të ndërtimit apo rehabilitimit, atëherë kjo është shqetësuese dhe kërkohet ndërhyrje urgjente e strukturave vendimmarrëse në këtë shoqëri, sa nuk është bërë tepër vonë.

Protesta e arkitektëve të rinj

Thelbi i problemit është se edhe profesionistët tanë, të instaluar në institucionet e larta arsimore (universitete dhe kolegje), nuk e vlerësojnë dhe nuk e dinë çka është IDENTITETI URBAN I QYTETIT. Nuk ka vetëm vlera arkitektonike objektit në fjalë, i projektuar nga një arkitekt i njohur slloven me nam botëror, që askush nga këndvështrimi i sotëm nuk mundet ta kontestojnë. Është vlera historike e objektit me një të kaluar specifike identitare, i ndërtuar para 45 vite (1972) në kohën kur populli shqiptar i Kosovës filloi të frymojë pak më lirë. Atë duhet gjithsesi ruajtur me disa ikona të tjera të kohës si dëshmi të një kohe, e jo në këtë mënyrë vandale t'ia zhdukin identitetin e saj të krijuar me mund të madh. U befasova për të mirë me reagimin e një grupi të profesionistëve të rinj, pjesa dërmuese e të cilëve ishin arkitekt të rinj dhe studentë të arkitekturës, të cilët pakënaqësinë e tyre me disa punime ndërtimore në objektin e Fakultetit Teknik u detyruan ta shprehin edhe publikisht në formë demonstrate apo proteste kundër degradimit të objektit. Ishte i vogël numri i atyre që demonstruan, por ishte veprim i madh, i paparë deri tani për kauzën e drejtë, për të cilën protestuan, për ruajtjen e identitetit urban të Prishtinës, gjegjësisht të objektit të Fakultetit Teknik. 

Askush nuk mund të jetë kundër rehabilitimeve, gjegjësisht rindërtimeve

Nuk ishte kjo pakënaqësi e ndërlidhur me grupet e ndryshme të interesit, siç ka ndodhur disa herë në këto hapësira tipike të Ballkanit. Arkitektët në vitet e pasluftës, në shekullin 21 kanë ditur publikisht të demonstrojnë "me sukses" edhe kundër licencimit të tyre, në mënyrë që të ketë rregull dhe ligjshmëri në fushën e ndërtimit në Kosovë, të cilën plotësisht e kanë degraduar duke bashkëpunuar me të keqen. Askush nuk mund të jetë kundër rehabilitimeve gjegjësisht rindërtimeve, revitalizimeve, regjenerimeve, restaurimeve arkitektonike dhe urbane, zhvillimi i shoqërisë e kërkon këtë. Është ky proces i pandalshëm nëse dëshirojmë të përcjellim dhe të aplikojmë të arriturat teknologjike në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit në botë. Për këtë ka disa rregulla dhe kritere që domosdo duhet respektuar, çka ende nuk vlen në Prishtinë dhe Kosovë. Kjo në mënyrë të padukshme do të na hakmerret, nëse nuk i ndalojmë këto veprime të çoroditura, pa i respektuar as rregullat elementare të qytetërimit. Në rastin konkret, ka metoda dhe mënyra të shumta se si të izolohet objekti në aspektin termik dhe akustik e mos të degradohet, ndryshohet pamja e jashtme (fasada) e tij.

Shkelje gjithandej

Kur në vitin 2010 tentova të sensibilizoj komunitetin profesional të arkitektëve dhe të tjerëve, të reagojnë me ndonjë deklaratë publike, peticion apo demonstrim pakë- naqësie lidhur me degradimin e madh të disa komplekseve dhe objekteve me vlera arkitektonike dhe historike, hasa në zërin e shurdhët të atyre që më së shumti u përkiste mbrojtja e tyre, arkitektëve që vepronin në numër të madh në tërë Kosovën. Shkas ishte ndërrimi skandaloz i fasadës së hotelit 'Grand' në Prishtinë, mu në qendrën e ngushtë të kryeqytetit, të tëra këto veprime kaluan pa reagimin më të vogël të arkitektëve dhe intelektualëve të shumtë, që veprojnë dhe jetojnë në Prishtinë. Personalisht isha tmerruar me këtë veprim dhe u detyrova të bëjë një reagim publik personal me një shkrim kritik, i cili pati reagime të shumta e asgjë tjetër. Kjo tregoi një të vërtetë të hidhët se sa ne dimë dhe çmojmë identitetin urban të krijuar me mund të madh me dekada dhe shekuj. Se si ne dimë me e harruar të kaluarën, e cila më së miri dokumentohet me objekte të ndërtuara në vazhdimësi deri më sot. Nuk është ky rasti i vetëm, kështu është vepruar edhe me disa objekte të tjera në Prishtinë, kësaj dukurie të shëmtuar nuk kanë mundur t'i ikin edhe shumë objekte në qendrat e tjera komunale në Kosovë si: •Fasada e qelqit në objektin e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë, e cila të jep përshtypjen e një 'arrne" të shëmtuar, degraduese nga aspekti arkitektonik, vepër e arkitektit të njohur Juraj Neidhart. Kush ishte ai që e bëri këtë krim arkitektonik, nga mosdija apo me qëllim. •Bastardimi i objekti të pallatit të shtypit, (ish-Rilindja), autori i punimit (prof. Konstadinovski), as që e njohu veprën e tij kur ishte në vizitë në Prishtinë. •Zhdukja e gjurmëve të ish-hotelit " Iliria" e me të edhe të një pjese të historisë së Prishtinës, ku u ndërtua një strukturë e re hoteliere ('Swiss Diamond'). •Rrënimin e hotelit të vjetër "Pashtriku" në Gjakovë, që me aq mund u inkorporua në strukturën e re të qendrës së qytetit. •Rrënimin e shumë monumenteve arkitektonike si objektet sakrale (xhamitë) e shumë shtëpia banimi karakteristike, monumenteve kulturore, të cilat ishin nën mbrojtjen e shtetit për vlerat e tyre të pamohueshme arkitektonike dhe historike, aq me lehtësi janë zhdukur nga faqja e dheut këto vite.

Zhdukja e vlerave historike

Përse është i rëndë- sishëm identiteti urban shumë pak i trajtuar në tërë Kosovën me theks të veçantë në kryeqytet. Sa lehtë e anashkalojmë e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira. Gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën tonë, e cila më së miri identifikohet me objekte, të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet, ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur, e të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe tani me paturpësi në shekullin 21, kjo është e pafalshme. Kjo çështje nuk i përket vetëm një objekti të degraduar me renovimin e tij, është e ndërlidhur me filozofinë primitive jetësore të mjedisit ku jetojmë e veprojmë, të trashëguar me dhunë nga pushtuesit e ndryshëm gjatë shekujve të kaluara. Ndryshe nuk ka shpjegime logjike për veprimet vetëshkatërruese tona. A mos jemi "popull i marrë" që me dorën tonë po zhdukim identitetin tonë arkitektonik, urban dhe historik? Uroj që në të ardhmen të mos kemi ndërmarrje të tilla destruktive, të mos detyrojmë gjeneratat e reja që me këto forma të shprehin mospajtimet e tyre, pasi vendimmarrësit kosovarë duhet të kuptojnë dhe të vetëdijesohen se një herë e përgjithmonë ka kaluar koha kur kanë bërë çka kanë dashur në fushën e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Arkitekturës. Janë të obliguar të zbatojnë format bashkëkohore të komunikimit, me pjesëmarrjen aktive të komunitetit në proceset vendimmarrëse me transparencë të duhur. Kërkohet të ketë veprime konkrete për të ndryshuar situatën e krijuar e jo të jemi indiferent ndaj identitetit urban, si deri më tani, duke i lejuar këto veprime të dëmshme për të gjithë ne.

(Autori është ish-kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK) 

(Kosova Sot)