Rusia rrezikon sigurinë evropiane

Rusia rrezikon sigurinë evropiane
  • 18 April 2017 - 09:12

Shkruan: Senatori Ben Cardin

SHBA-ja duhet të konfrontohet ballë për ballë me Rusinë në lidhje me këtë shkelje.

Në mënyrë sistematike Rusia ka rrezikuar marrëveshjet e sigurisë, të cilat i dhanë fund Luftës së Ftohtë në mënyrë paqësore. Kjo e rrezikon Evropën.

Rusia edhe një herë e rrezikon Evropën me një konflikt potencial bërthamor. Gjatë dëshmisë së tyre në Kongres javën e kaluar, zyrtarët ushtarakë amerikanë konfirmuan se Rusia ka ndërmarrë edhe një hap drejt rrezikimit të sigurisë së Evropës, duke vendosur fshehurazi një sistem raketor të aftë për të goditur kontinentin me armë bërthamore. Vendosja e këtij sistemi nga ana e Rusisë bie ndesh me Marrëveshjen INF (Forcat bërthamore me rreze të mesme të veprimit) duke rrezikuar aleatët më të afërt të Amerikës. Që nga Lufta e Dytë Botërore, amerikanët gjithnjë e më shumë kanë kuptuar se siguria jonë në mënyrë direkte është e lidhur me një Evropë stabile dhe të sigurt. Sot, rreziku më i madh ndaj sigurisë së Evropës është Rusia, e cila nën udhëheqjen e presidentit Putin, në mënyrë sistematike ka rrezikuar të gjitha marrëveshjet e sigurisë, të cilat i kishin dhënë fund Luftës së Ftohtë në mënyrë paqësore. 

Masat defensive Ky sistem raketor, i vendosur nga Rusia, është sidomos i rrezikshëm dhe destabilizues. Ai ia mundëson Rusisë që shpejt ta sulmojë Evropën me forca bërthamore, duke mos i dhënë NATO-s kohë për të kuptuar se do të ndodhë një sulm. Me qëllim të evitimit të një situate të këtillë, presidenti i atëhershëm amerikan, Reagan, dhe homologu i tij sovjetik, Gorbachev, kishin nënshkruar marrëveshjen INF në vitin 1987, sipas së cilës SHBA-ja dhe BRSS-ja nuk lejoheshin të vendosnin sisteme të tilla bërthamore me raketa me rreze veprimi nga 500 veri 5,500 kilometra, gjë që i kishte dhënë fund konfrontimit bërthamor të superfuqive në Evropë. SHBA-ja dhe aleatët tanë evropianë ballafaqohen me sfida të shumëllojshme në formulimin e një përgjigjeje adekuate ndaj rrezikut që është shkaktuar nga Rusia, duke përfshirë edhe shkeljen e marrëveshjes INF nga ana e saj. Ne duhet të ndërmarrim masa defensive për ta mbrojtur veten dhe aleatët tonë nga agresioni rus, por ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë, e cila respekton rendin e bazuar te rregullat, e i cili rrit sigurinë evropiane, e me këtë edhe amerikane. Për më tepër, ne duhet t'ia bëjmë të qartë bashkësisë ndërkombëtare se duke mos respektuar obligimet e saj, që dalin nga marrëveshjet, Rusia në anën tjetër është munduar që ta fshehë një gjë të tillë dhe t'i mohojë aktivitetet e saja në këtë drejtim.

Veprimet e njëanshme Besoj se ekzistojnë katër parime, të cilat duhet ta udhëheqin reagimin e Amerikës, ndaj provokimeve ruse. Së pari, SHBA-ja duhet të bashkëpunojë ngushtë duke koordinuar çdo reagim me aleatët dhe partnerët evropianë dhe pacifikë. Edhe pse marrëveshja INF në fakt është një marrëveshje bilaterale midis SHBA-së dhe Rusisë, ajo ka ndikim të madh te siguria e aleatëve tanë. Sistemi i ri bërthamor i Rusisë paraqet rrezik direkt për aleatët tanë evropianë, e sidomos për aleatët tanë në pacifikë. Së dyti, SHBA-ja nuk duhet të tërhiqet, apo ta shkelë edhe vetë marrëveshjen INF. Disa prej kolegëve të mi kanë propozuar që SHBA-ja menjëherë të fillojë ta prodhojë një sistem me rreze INF-ja dhe ta ndëshkojë Rusinë duke u tërhequr nga marrëveshjet e tjera të kontrollimit të armëve. Ky do të ishte një gabim serioz. Mbajtja e një fronti të bashkuar me aleatët tanë kërkon një politikë, e cila përqendrohet te shkeljet e Rusisë dhe te rreziqet që këto shkelje paraqesin për Evropën. Veprimet e njëanshme që janë në kundërshtim me marrëveshjen mund ta zhvendosin fajin te SHBAja dhe do të ndikonin që aleatët tanë të NATOs ta vinin në pyetje përkushtimin tonë ndaj sigurisë së Evropës. Së treti, SHBA-ja duhet të konfrontohet ballë për ballë me Rusinë në lidhje me këtë shkelje. Në muajin nëntor, SHBA-ja thirri takimin e parë të mekanizmit ankimor të marrëveshjes INF (që quhet shkurt SVC) që nga viti 2003. Gjatë këtij takimi, Rusia vazhdoi që të insistonte se nuk ishte duke e shkelur këtë marrëveshje, përkundër dëshmive që i prezantoi SHBA-ja. Veprimet e fundit të Rusisë kërkojnë thirrjen e një mbledhjeje tjetër të SVC-së. Në këtë takim, SHBA-ja duhet të prezantojë dëshmitë tona të reja dhe ta shpallë Rusinë shkelëse të marrëveshjes. Për më tepër, ne duhet ta shqyrtojmë lëshimin e një ultimatumi që do t'i jepte Rusisë një afat të caktuar për t'u kthyer në një pozitë të respektimit të marrëveshjes, duke kërcënuar me masa shtesë, në një rast të kundërt. Përfundimisht, SHBA-ja dhe NATO-ja duhen menjëherë të ndërmarrin masa defensive për ta zvogëluar sa më shumë që të jetë e mundur rrezikun që vjen nga Rusia. Vendosja e sistemit në fjalë i ofron Rusisë një aftësi të re për t'i rrezikuar bazat dhe portet e NATO-s. SHBA-ja duhet ta shqyrtojë mundësinë e vendosjes së sistemeve të reja raketore në Evropë, duke përfshirë edhe sensorët për hetimin e raketave, të baterive shtesë të raketave Patriot, si dhe të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër veprimi. Vendosja e këtij sistemi nga ana e Rusisë paraqet rrezik serioz për SHBAnë dhe aleatët tanë. Nëse kjo përdoret si arsyetim për heqjen dorë nga të gjitha marrëveshjet e arritura me Rusinë për kontrollimin e armëve do të ishte një gabim serioz. 

(Kosova Sot)