Kosova a po i kërkon serbët të dyshuar për krime lufte?

Kosova a po i kërkon serbët të dyshuar për krime lufte?
  • 19 April 2017 - 08:03

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Çdo luftë shoqërohet me maltretime, dhunime,vrasje të veçanta dhe masakra masive deri në gjenocidale, në mënyrë që të pushtohet, ose të vazhdohet sundimi mbi një vend e një popull. Secila luftë bëhet për çështje ekonomike, por si mjet për nxitje vullnetare për të shkuar në luftë, përdorën mitet dhe ndjenjat nacionaliste. Në rastin e Kosovës, Millosheviqi e përdori mitin "Kosova zemër e Serbisë", duke e përkujtuar 600-vjetorin e Betejës së Kosovës (1389-1989) në mënyrë spektakulare, aq sa edhe mediet ndërkombëtare i dhanë hapësirë. Serbët të ngazëllyer dhe të brumosur me ndjenja nacionaliste, me dëshirë do të niseshin në luftë kundër shqiptarëve për t'i shpëtuar vëllezërit serbë në Kosovë, siç i kishte indoktrinuar sistemi politik i asaj kohe dhe siç po spekulon edhe qeveria aktuale serbe. Në anën tjetër, politika e Millosheviqit kishte përhapur frikën dhe panikun në mesin e serbëve, që ishin lindur dhe rritur në Kosovë, se shqiptarët po përgatiteshin për vrasje dhe dëbimin e tyre për në Serbi.

Ende nuk ka ndryshuar politika serbe ndaj Kosovës

Ato vite, televizionet e huaja jepnin lajme me imazhe të familjeve serbe, duke ikur për në Serbi, dhe thuhej se po zbrazej Kosova nga presioni i shqiptarëve. Askujt nuk i shkonte ndërmend që t'i demantonte këto gënjeshtra e të thoshte të kundërtën se pikërisht Kosovën e lëshuan mbi 500 mijë shqiptarë të moshave nga 18-35 vjeçarë. Qe informatat e Serbisë të gjejnë kredibilitet, sistemi serb manipulon dhe inskenon vetë ngjarjet duke ua lënë fajin shqiptarëve, pa hezituar të vrasin serbë e madje edhe fëmijë, siç është rasti i fëmijëve afër lumit në një fshat afër Pejës. Është për t'u habitur se për interesa të atdheut, një pjesë e popullsisë së tyre e sakrifikojnë me dëshirë jetën tyre e madje edhe moralin, siç ishte rasti me shishe gjatë vitit 1982, ku akuzoheshin shqiptarët, e në fund ishte vetë serbi që pa fije turpi ia kishte ngulur vetes shishen. Këtë fakt ne do ta marrim qesharak, mirëpo në mediet ndërkombëtare ky ishte lajm tronditës, që bëri shqiptarët të konsideroheshin barbarë të shekullit të shkuar. Si dikur edhe tani politika serbe është duke i përdorur mjetet dhe metodat e njëjta. Deklaratat e personaliteteve serbe, pas rastit të ndalimit të trenit të hynte në Kosovë, vërshuan duke thënë se do angazhonin forca për t'i mbrojtur serbët në Kosovë, nën pretekstin se jeta e tyre po rrezikohet nga shqiptarët. Çuditërisht, janë mbi 12 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Mitrovica Veriore e askush nga Qeveria nuk e merr hapin për kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre!

A kemi dosje efikase për të dyshuarit që kryen krime në Kosovë?

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të pasluftës, jeta e civilëve serbë ishte në rrezik, ku individë të mllefosur nga maltretimet, vrasjet e familjarëve, masakrave dhe më në fund ndjenja dhe euforia e lirisë kishte nxitur aty-këtu ndonjë të ri të bënte ndonjë akt vrasje, por që mbetën të izoluara. Lëvizja e lirë e serbëve në Kosovë, aktualisht është evidente dhe mund të dëgjojmë në qendër të Prishtinës, duke folur gjuhën serbishte pa ndonjë frikë, gjë që në vitet e para të pasluftës ishte e pamundur. Serbët e veçanërisht disa që dyshohen për krime lufte rreth 230 syresh shëtisin lirshëm në Kosovë, kurse shqiptarët autoktonë nuk guxojnë dhe nuk kanë mbrojtje nga qeveria jonë të vizitojnë shtëpitë ku kanë lindur. Qytetarët tanë e kanë kuptuar se populli serb është i pafajshëm, mirëpo kriminelet serbë duhet të përgjigjën para drejtësisë për krimet dhe aktet barbare që i kanë kryer mbi civilët shqiptarë, gra, fëmijë, pleq... Vite të tëra kaluan e individët serbë të dyshuar për krime lufte, mund të shëtisin në Kosovë lirshëm, sepse ne ende nuk kemi arritur t'i grumbullojmë faktet, datën, vendet, dëshmitarët, orën dhe minutën e vrasjes, emrin e mbiemrin se kush kishte bërë krime. Secili shqiptar e di se janë bërë vrasje nga forcat policore-paramilitare serbe, dhe në çdo bisedë flitet për masakrat e shumta, si: ajo e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, masakra e Krushës, Lubeniqit, Suharekës, Kleçkës, Reçakut, Likoshanit, Qirezit, Qyqavicës… e shumë të tjera ku në secilën prej tyre u vranë minimum nga 22 vetë e më shumë. Informatën lidhur më numrin e të vrarëve e të masakruarve, e gjejmë në monografi të ndryshme të autorëve tanë, mirëpo nuk ka detaje të hollësishme e të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë. Gjyqet ndërkombëtare nuk funksionojnë vetëm duke i akuzuar serbët se ata masakruan kaq civilë e dogjën kaq shtëpi, dhunuan kaq femra e burra. Jo. Pas çdo vrasjeje është një njësit, një urdhër dhe një apo më shumë vrastarë. Në çdo vrasje apo masakër ka pasur dëshmitarë të afërt e gjysmë të afërt që kanë parë e që për fatin e tyre kanë shpëtuar. Dihet që një pjesë e kriminelëve kanë qenë të maskuar dhe vështirë të identifikohen nga dëshmitarët, sepse ata janë kujdesur që mos të kenë gjurmë pas tyre.

Të paktë janë dëshmitarët që përballen me kriminelët serbë

Është shumë e hidhur të shkruhet se janë të paktë dëshmitarët shqiptarë që kanë guxim të deklarojnë para gjyqit dhe të identifikojnë vrasësin serb. Gjatë bisedave private më ka rastisur që shumica e fshatarëve të fshatit tim ( Sopijë), e dinin se cilët ishin ata serbë që e kishin vrarë Xhemë Shaban Jasharin me dy djemtë e tij, Ragip Brahimaj... mirëpo ende askush nuk ka guxim të dëshmojë para organeve kompetente. Shembulli tjetër është edhe më i dhembshëm kur në vitet e para të pasluftës në një proces gjyqësor në Prizren, ku akuzohej një serb se kishte vrarë një të ri nga Krusha, por kur babai i djalit të vrarë para trupit gjykues dhe para publikut ku isha prezent deklaroi: Nuk e di vallahi, po me duket se ky nuk është!. Në ato çaste më është errësuar salla e më shfaqej pamja e mjerueshme e fshatarit nga Krusha, që i kishte humbur dinjiteti. Ai e kishte vrasësin para sysh e deklaronte, nuk është vrasës! Çka i duhej jeta kur kishte frikë të identifikonte vrasësin e djalit?! Raste të ngjashme kemi në çdo cep të Kosovës siç e kemi rastin e vrasjeve në Ternavë, kur forcat policore të shoqëruar nga dy të minoritetit rom Afrim Qerim Greku dhe Bislim Qerim Greku, vrasin dy fëmijë të familjes Xhemaili më 20 mars 1999. Dy romët kishin mbjellë frikën ndër popullsinë shqiptare të kësaj ane, aq sa kur i zinin shqiptarët i lidhnin për pemë, dhe i kanë pyetur se me çfarë armë dëshironin të vdisnin. Të njëjtit më 17 maj 1999, janë parë në oborrin e familjes Raçi, ku forcat serbe vrasin shtatë persona e dy ende të zhdukur. Në ballë të paramilitarëve serbë dy romët e tmerrshëm: Afrimi dhe Bislimi që në mungesë të dëshmitarëve hynë e dalin nga Kosova pa një therrë në këmbë. Përkundër këtij fakti të mungesës së dëshmitarëve për t'i denoncuar kriminelët serbë, është për t'u habitur se numri i dëshmitarëve kundër shqiptarëve është shumë i madh. Gjykata Speciale ka grumbulluar fakte, dokumente, fotografi, incizime e biseda të shumta nga shumica e dëshmitarëve shqiptarë, të cilët gjatë kohës së okupimit ishin në shërbim të sistemit, disa prej tyre zyrtarë e disa jozyrtarë. Një numër i konsiderueshëm i këtyre dëshmitarëve të ndihmuar (me pagesë ose pa pagesë) nga disa individë të UÇK-së, arritën të ikin nga Kosova për të kërkuar azil politik në vende të ndryshme të botës. Disa prej tyre nga fillimi i muajt maj i kanë rezervuar biletat e aeroplanit për të dëshmuar në Gj. Speciale për të dëshmuar kundër atyre që u ndihmuan të iknin nga Kosova pa u vrarë për tradhti. Një numër tjetër të privilegjuar ekonomikisht paguan shefa të ndryshëm në Kosovën e lirë dhe e vazhduan biznesin e tyre, por që tani janë po ashtu dëshmitarë indirektë ose direktë të Speciales. Personalisht jam kundër kriminelëve serbë apo shqiptarë, kushdo qofshin ata duhet të dalin para drejtësisë, por më shqetëson fakti se pse më shumë dëshmitarë kanë shqiptarët që dyshohen për krime lufte sesa serbët?! Që të dyshuarit për krime lufte të dalin para drejtësisë, Qeveria e Kosovës duhet të angazhojë ekspertë ndërkombëtarë që bashkëpunojnë me shoqata shqiptare siç është "Ngritja e zërit" e të tjera që ekskluzivisht merren me kompletimin e dosjeve, në të kundërtën kriminelët nuk do të dënohen jo për fajin e gjyqit, por në mungesë të fakteve. Nëse Kosova ndonjëherë do t'i bëjë padi Serbisë për krime lufte, është mirë që të mos shkojnë siç bëri Bosnja me dosje të dobëta.

(Kosova Sot)