Demokracia apo sovraniteti?

Demokracia apo sovraniteti?
  • 19 April 2017 - 09:23

Shkruan: Lucrezia Reichlin

Ruajtja e sovranitetit nacional, recetë e dështimit.

Çështja qendrore, me të cilën ballafaqohet Evropa, nuk është sovraniteti, sikur që thonë populistët e krahut të djathtë, por demokracia. Ajo që i duhet Evropës sot është një marrëveshje, e cila e zgjeron legjitimitetin demokratik në nivel të BE-së.

E ardhmja e BE-së mund të mos jetë nxjerrë zyrtarisht në votime në zgjedhjet e ardhshme në Holandë, Francë, Gjermani dhe Itali, por rezultatet e këtyre zgjedhjeve pa dyshim se do të ndikojnë në përcaktimin e fatit të Evropës. Ndjenjat kundër BE-së janë më të përhapura, sesa ndonjëherë më parë, sikur që demonstrohet nga kampanjat e zjarrta të politikanëve populistë të ekstremit të djathtë, sikur që është Geert Wilders në Holandë dhe Marine Le Pen në Francë. Por, ka po ashtu shenja të mbështetjes për riorganizimin dhe ribërjen e BE-së, një mesazh ky që është transmetuar nga kandidati presidencial francez, Emmanuel Macron dhe nga politikani gjerman. Martin Schulz. Çdo kampanjë pro-BE-së, që të jetë bindëse, duhet t'i adresojë problemet që dalin nga euroja. E miratuar nga 19 nga 28 (27 pas daljes së Britanisë) shtetet e BE-së, valuta e përbashkët është bërë burim i madh i zhgënjimit me integrimin evropian. Edhe pse forma më akute e krizës së euros ka kaluar, Eurozona mbetet një konstrukt i brishtë. Në rast të rithellimit të krizës, dyshimet rreth mbijetesës së saj mund të kthehen me lehtësi. Në qendër të brishtësisë së valutës së përbashkët janë të metat në kornizën e Traktatit të Mastrihtit, të cilat diktojnë që vendet anëtare të Eurozonës ta kenë një politikë të përbashkët monetare, por politika të veçanta fiskale. Por, vetëm ekzistimi i rregullave fiskale është parë se nuk mjafton, meqë nuk ekziston asnjë mekanizëm imponues në nivel të BE-së për ta siguruar një disiplinë adekuate fiskale. 

Shkarja fundamentale Nëse kjo nuk ndryshon, atëherë gjithmonë do të ekzistojë rreziku që vendet më të dobëta do të grumbullojnë borxhe të papërballueshme, duke detyruar anëtarët më të fortë që të përcaktohen midis ofrimit të transferimeve të paqëndrueshme në aspektin politik dhe duke i lejuar vendet anëtare që të dalin, duke krijuar një jostabilitet, i cili mund ta shkatërrojë tërë projektin. Një fitore e forcave pro-evropiane në zgjedhjet e ardhshme, mund ta ofrojë mundësinë, ndoshta mundësinë e fundit, që të bëhen ndryshimet e nevojshme të Traktatit të Mastrihtit. Këto ndryshime nuk do të mund të bëhen lehtë. Evropianëve do t'u duhet që ta pranojnë një shkarje fundamentale në bazë të legjitimitetit të Eurozonës, duke kaluar përtej një përkushtimi të thjeshtë ndaj qeverisjes së bazuar te rregullat. Pa një union politik, miratimi i një qasjeje ndaj qeverisjes, të bazuar te rregullat, është veprim i kuptueshëm. Ai përshtatet me logjikën e pavarë- sisë së bankës qendrore: politikëbërësit, që nuk janë zgjedhur në zgjedhje janë të përkushtuar ndaj një game të tërë rregullash, sikur që është shënjimi i një shkalle të caktuar të inflacionit, ndaj të cilit ata mund të konsiderohen përgjegjës. Por, një logjikë e tillë nuk ka funksionuar për Eurozonën, ku rregullat e caktuara janë dëshmuar joadekuate për ta parandaluar presionin për ridistribuimin, të cilin votuesit nuk e mbështesin. Tani kur kjo është bërë evidente, disa mbështesin një rol më të madh të tregut në imponimin e disiplinës. Propozimet për një kornizë, e cila lejon ristrukturimet e rregullta, reflekton këtë arsyetim. Një propozim kërkon nga Mekanizmi i stabilitetit evropian që ta adoptojë një sistem të ngjashëm me atë të FMN-së, me qëllim të parandalimit të dhënies së huave vendeve jo solvente dhe të detyrojë ri profilimin apo ristrukturimin, pasi që të tejkalohet një prag i caktuar i borxhit. Do të ishte naive të besoje se një skemë e tillë do ta zgjidhte problemin. Frika nga 'infektimi' mund të justifikohet gjithnjë në një union monetar, ku eksternaliteti i një krize të borxheve në një vend gjithmonë rrezikon që ta infektojë pjesën tjetër të unionit. Duke pasur parasysh këtë, një kornizë e bazuar ekskluzivisht te mekanizmat e tregut, mund të jetë e prirë për jostabilitet. 

Koordinimi me parlamentet kombëtare Kjo nuk d.m.th. se një kornizë e ristrukturimit të borxheve, e bazuar te tregjet, nuk ka vend në një reformë të eurozonës. Por, për ta mbështetur një qëndrim të përbashkët fiskal dhe për ta arritur një kombinim më të madh të politikës monetare dhe fiskale, nevojitet një komponent i tretë: një autoritet i pavarur federal fiskal i përqendruar te krijimi i mekanizmave të ndarjes së rreziqeve. Një autoritet i tillë do të kishte nevojë për një buxhet të vogël dhe një fuqi diskrete, me qëllim që të jetë në gjendje që ta përshtatë qasjen e tij si reagim ndaj ngjarjeve. Natyrisht, nëse një sistem i tillë mendohet se rrezikon sovranitetin e shteteve anëtare, ai nuk do të ishte politikisht i qëndrueshëm. Kritikët e tij do të duhet të bindeshin për legjitimitetin e tij politik. Pa një union të plotë politik, kjo mund të arrihet me një përqendrim te transparenca, pavarësia dhe te një rol më i madh i Parlamentit evropian, mundësisht në koordinim me parlamentet kombëtare. Fundja, çështja qendrore, me të cilën ballafaqohet Evropa, nuk është sovraniteti, sikur që thonë populistët e krahut të djathtë, por demokracia. Ajo që i duhet Evropës sot është një marrëveshje, e cila e zgjeron legjitimitetin demokratik në nivel të BE-së. Ruajtja e sovranitetit nacional, të bazuar në institucionet e dizajnuara për një ekonomi shumë më pak të integruar të shekullit XIX, është recetë e dështimit. 

(Lucrezia Reichlin, ish-drejtor i kërkimeve në ECB, është profesor i ekonomisë në Shkollën e biznesit në Londër). Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"