Evropa e bashkuar e së nesërmes

Evropa e bashkuar e së nesërmes
  • 20 April 2017 - 15:57

Shkruan: Noëlle Lenoir 

Faktori kryesor që minon BE-në nuk është ekonomik, por është politik

P residenti i SHBA-së, Donald Trump, ka tronditur aleancën transatlantike që prej kohësh dukej e palëkundshme. Në një intervistë të dhënë në janar, ai e cilësoi NATO-n si "të dobët" dhe BE-në si një "mjet për Gjermaninë". BE-ja së shpejti do të bjerë në kolaps, parashikoi ai, me një numër vendesh që do të ndjekin pas Britaninë. SHBA-ja, sugjeron ai, do të jetë dakord me këtë skenar. Me Trump-in, bota po mësohet tashmë me deklarata tronditëse dhe tërheqje të paturpshme. Por, qëndrimi i tij ndaj Evropës është me të vërtetë shqetësues. Nga mbështetja e tij entuziaste për Brexit te shprehja e mosbesimit ndaj kancelares Angela Merkel, udhëheqëses së vendit më të rëndë- sishëm në Evropë, të gjitha këto duket se kanë për synim të dobësojnë BE-në në një moment kritik në histori. Trump nuk është i vetëm në administratën e tij që do të kënaqet nga shpërbërja e BE-së: strategu kryesor i tij, Stephen Bannon, përqafon partitë etnike-nacionaliste - të tilla si Fronti Nacional i Marine Le Pen në Francë, - e cila kërkon ta shkatërrojë BE-në. Ai që raportohet se është preferenca e Trump-it për postin e ambasadorit në BE, Ted Malloch, i ka thënë një televizioni grek se beson që Greqia duhej të kishte dalë nga eurozona katër vjet më parë.

Populistët dalin në skenë

Por, edhe më shqetësues sesa dyshimet që ka administrata e SHBA-së, është rritja e mosbesimit të vetë udhëheqësve të BE-së. Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, për shembull, nxiton të flasë publikisht rreth përçarjeve të thella mes vendeve anëtare mbi Brexit dhe pyetjeve të tilla nëse "hungarezët dhe polakët duan të njëjtat gjëra si gjermanët e francezët". Në nivel kombëtar, mungesa e vullnetit politik ka sjellë një gatishmëri për përdorimin e referendumeve, të tilla si plebishitet në Francë dhe Holandë mbi traktatin që themelonte Kushtetutën e Evropës më 2005, votës në Holandë mbi Marrëveshjen e asociimit mes BE-së dhe Ukrainës prillin e kaluar dhe referendumin Brexit tri muaj më vonë. Në çdo rast, votuesit thanë "jo" - rezultate për të cilat mund të konsiderohen fajtorë veçanërisht udhëheqësit kombëtarë, si ata të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët kanë vesin t'ia hedhin fajin BE-së për çdo problem të brendshëm. Në të vërtetë, mendjengushtësia e udhëheqësve të Evropës është një arsye e madhe se pse BE-ja po dështon të ruajë mbështetjen e gjerë në publik. Mungesa e vizionit historik mes gjeneratës aktuale të udhëheqësve politikë minon ndjenjën e qëllimeve të përbashkëta, për të cilën qytetarët e BE-së kanë nevojë në mënyrë që të besojnë se i përkasin të njëjtës shoqëri, pavarësisht identiteteve të tyre të ndryshme kombëtare. Kur identiteti kombëtar është i vetmi identitet i disponueshëm, populistët e krahut të djathtë mund të fitojnë mbështetje duke e mbrojtur atë kundër Evropës së "huaj". Që të jemi të qartë, shumë pretendojnë se pakënaqësitë popullore me BE-në, e për rrjedhojë, ngritja e populizmit të ekstremit të djathtë është një reagim ndaj mungesës së reformave strukturore në eurozonë. Por, ka pasur edhe progres në drejtim të trajtimit të dobësive të Eurozonës. Krijimi i një bashkimi bankar dhe themelimi i "Semestrit Evropian" që synon të fuqizojë koordinimin buxhetor nëpër të gjithë Bashkimin, janë që të dyja hapa në drejtimin e duhur. Por, për shkak se BE-ja nuk është një shtet-komb, zgjidhje të tilla mund të negociohen - një problem ky jo i lehtë për t'u zgjidhur, në kohën kur qytetarët po nxiten kundër bashkimit. Në çdo rast, duket pa gjasa që ngritja e populizmit të ekstremit të djathtë në Evropë vjen me të vërtetë nga dobësitë e Evropës, duke marrë parasysh se ajo lidhet ngushtë me ngritjen e Trump në SHBA. Ajo që kanë të përbashkët SHBA dhe BE, politikisht, është përdorimi i pretendimeve false dhe taktikave të frikësimit për t'i cytur qytetarët të tërhiqen brenda vetes.

BE-ja ka qenë gjithmonë në thelb një projekt politik

Në Francë më 2005, forcat anti-BE pretenduan se ratifikimi i traktatit kushtetues mund të sjellë anulimin e të drejtave për abort si dhe detyrimin e Francës për ndërhyrje ushtarake në Irak. Më 2014, Juncker i tha David Cameron, në atë kohë kryeministër i Britanisë, i cili më vonë nisi referendumin Brexit, që të mos i portretizonte më evropianolindorët si kriminelë. Gjatë fushatës Brexit, Boris Johnson argumentoi se Brexit do të sjellë 350 milionë funte më shumë për javë për Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë. Shkurt, faktori kryesor që minon BE-në nuk është ekonomik, por është politik. Në fund të fundit, megjithëse tregu i përbashkët është arritja më e madhe e Evropës, BE-ja ka qenë gjithmonë në thelb një projekt politik. Kjo është arsyeja se pse e ardhmja e Evropës qëndron në ristrukturimin e Eurozonës si një entitet politik, bazuar në bashkëpunim më tërësor. Siç e pati deklaruar në vitin 1950 ministri i Jashtëm i Francës Robert Schuman, "është në thelb solidariteti" themeli i ndërtimit të Evropës. Në një farë mase, armiqësia e Trump-it ndaj Evropës, pa përmendur rritjen e gjuhës luftënxitëse nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mundet në fund ta ndihmojë BE-në, duke demonstruar se anëtarët e saj kanë nevojë shumë për njëri-tjetrin, veçanërisht për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë. Edhe para se Trump të fillonte të denigronte NATO-n, Komisioni Evropian pati publikuar një strategji botërore, në të cilën theksonte se NATO nuk mund të jetë më e vetme përgjegjëse për garantimin e sigurisë së Evropës. Një "mbrojtje më e besueshme evropiane" është e nevojshme. Për këtë qëllim, Komisioni Evropian ka premtuar Fondin Evropian të Mbrojtjes, i cili mund të fuqizojë kërkimin e përbashkët për mbrojtjen dhe t'i lejojë vendet pjesë- marrëse të reduktojnë kostot përmes blerjes së përbashkët të aseteve ushtarake. Përpjekja nga Franca dhe Gjermania për të themeluar një "seli qendrore të përbashkët dhe të përhershme për forcat ushtarake të BE-së" me detyrë për të mbikëqyrur operacionet e trupave evropiane nëpër botë, është gjithashtu një hap në drejtimin e duhur. Një politikë e përbashkët sigurie do të jetë me rëndësi thelbësore për të trajtuar sfidat e tjera të mëdha të BE-së, si kriza e migrimit. Vendet evropiane duhet të punojnë bashkërisht për të shkatërruar operacionet e trafikut të qenieve njerëzore dhe për të imponuar sanksione të rënda penale për organizuesit e tyre. Përpjekjet për të kontrolluar migrimin duhet të ndërmerren paralelisht me luftën kundër terrorizmit islamik, për shkak se publiku - në mënyrë të drejtë apo të gabuar - ka mbërritur në pikën kur beson se të dyja çështjet janë të lidhura. Le Pen, anti-BE dhe anti-imigrantë mund të mos jetë në vetvete kandidatja e vetme presidenciale në Francë që i trajton këto shqetësime. Pavarësisht se çfarë thotë Trump nuk është e pashmangshme që Brexit të shkatërrojë Evropën. Përkundrazi, për shumë qytetarë të Evropës - nga Irlanda në Greqi, e madje edhe Hungari dhe Poloni - Brexit qe në vetvete një zile zgjimi. Votuesit evropianë do të testohen edhe një herë në gatishmërinë e tyre për të ruajtur BE-në në zgjedhjet e ardhshme në Holandë, Francë dhe Gjermani. Zgjidhja e tyre është mes një Evrope të pasigurt dhe të prirë nga lufta e së djeshmes, dhe Evropës me besim dhe të bashkuar të së nesërmes.

(Noëlle Lenoir është presidente e Institutit evropian në "Hautes Etudes de Commerce" në Paris) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot

(Kosova Sot)