Lufta e Kaczynski-t kundër BE-së

Lufta e Kaczynski-t kundër BE-së
  • 21 April 2017 - 08:41

Polonia duhet që të jetë ose anëtare e Perëndimit gjeopolitik, ose satrapi i Rusisë.

Shkruan: Slawomir Sierakowski

Deri te tentimi i tij i djallosur që ta bllokonte rizgjedhjen e Donald Tuskut në postin e presidentit të Këshillit të Evropës, lideri de facto i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, për shumë liderë të BE-së mund të jetë dukur një politikan i ngjashëm me kryeministrin hungarez, Viktor Orbán, apo me ndonjë populist perëndimor. Por, kjo është larg së vërtetës. Dhe, tani Evropa ka shijuar paksa kulturën politike polake, e cila për një kohë të gjatë është marrë me përmbajtjen e një njeriu të çmendur. Këtë e ka bërë Aleksander Kwasniewski si president, dhe kjo e kishte preokupuar Tuskun kur ai ishte kryeministër. Tani, kjo detyrë i bie opozitës polake dhe – Evropës. Ajo çka ndodhi në Bruksel nuk ishte pjesë e ndonjë plani më të madh. Tentimi i Kaczynski-t që ta rrezikonte Tuskun nuk i solli përfitim askujt, as partisë polake në pushtet – Partisë së ligjit dhe drejtësisë (PiS), të cilën e udhëheqë Kaczynski. Kjo nuk befason, meqë Kaczynski paraqet antitezë të pragmatizmit, të cilin ai e sheh si tipar të tradhtisë dhe dobësisë. Për dallim nga Orbán, partnerin e tij në “joliberalizëm”, Kaczynski është një fanatik paranoid, e jo vetëm një oportunist cinik. Nuk mund të arrihet shumë duke tentuar që të deshifrohen planet e Kaczynski-t, qëllimet, artin e tij të politikës, apo ideologjisë. Ai nuk është egoist, në aspektin Freudian, ai është një ‘id’ i pastër, i përfshirë nga prirja për vdekje. Modus operandi i tij është sulmi ndaj kundërshtarëve, pritja që ata ta kthejnë sulmin apo ta rrisin rezistencën, e më pas të hakmerret me tërë forcën. Dhe, si gjithmonë, pikëpamjet e tij, aleatët dhe objektivat afatshkurtra të tij nuk janë të qëndrueshme, meqë ato, në fund të fundit, nuk kanë rëndësi për të. 
Komplotet infantile të Varshavës 
Duke pasur parasysh besimin e Kaczynski-t se ai ishte poshtëruar në një samit të mbajtur tash vonë, ai tani do të shfryhet kundër BE-së. Ai do të provokojë, obstruktojë, injorojë dhe do të fajësojë. Në shenjë të asaj që na pret, ministri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczykowski, deklaroi për tabloidin “Superekspres” pas samitit, se BE-ja ndiqte “një politikë të standardeve të dyfishta dhe të mashtrimeve”. Sipas Waszczykowski-t, Polonia “jo vetëm që në mënyrë drastike duhet ta zvogëlojë nivelin e besimit në BE”, por “po ashtu duhet të fillojë ta ndjekë një politikë negative”, duke “bllokuar iniciativat e tjera, apo ta luajë një lojë agresive”. Në fakt, kryeministri polak Beata Szydlo tanimë e ka lansuar këtë strategji, duke refuzuar nënshkrimin e protokollit zyrtar të samitit, sikur kjo do ta bënte rezultatin të pa pasojë për Poloninë. Komplotet e tilla infantile janë bërë tepër karakteristike për qeverinë PiS, e cila po ashtu ka refuzuar publikimin e vendimeve të Tribunalit kushtetues të Polonisë, sikur kjo t’i bënte ato vendime jo obliguese. Nuk do fjalë që qeveria e ka bllokuar gjykatën, duke komprometuar kështu sundimin e ligjit në Poloni. Kaczynski beson se edhe Këshilli Evropian meriton të njëjtin fat. Sipas tij, BE-ja zgjodhi Tuskun në mënyrë ilegale, kështu që Këshilli Evropian vazhdon që të mbetet pa president. Polonia nuk do të punojë me një entitet të tillë, meqë, sipas Waszczykowski-t, “ajo që ndodhi të enjten, është shenjë se ne do të mashtrohemi”. Ne mund të presim që qeveria polake, e pavë- mendshme rreth pasojave ekonomike ose gjeopolitike, tani do ta përdorë veton ndaj masave të Këshillit të Evropës, do të obstuktojë dhe bojkotojë samitet dhe do t’i shkelë ligjet e BE-së. Një manovër e mundshme është arrestimi i Tuskut, gjë që do ta detyronte BE-në që të negocionte me Kaczynski-n për lirimin e tij. “Financial Times”, raporton se Kaczynski i ka thënë kancelares gjermane Angela Merkel, se Polonia do ta kërkojë arrestimin e tij. Kjo mund të duket absurde, por nuk është më absurde sesa propozimi i kandidaturës së Jacek Saryusz-Wolski-t për ta zëvendësuar Tuskun. Dhe, nuk është aspak më absurd sesa logjika për lëshimin e një fletarrestimi: besimit të Kaczynski-t se Tusk ka bërë konspiracion me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në vitin 2010 për rrëzimin e avionit, ku vdiq vëllai i tij, presidenti i atëhershëm polak, Lech Kaczynski. Është bërë e qartë se Kaczynski nuk do të ndalet derisa ta burgosë Tuskun. Kjo paraqet problem për BE-në, meqë president i Këshillit të Evropës është një kriminel i supozuar. 
Luftërat e Kaczynski-t kurrë nuk mbarojnë me kompromis
Problemi për Poloninë dhe për Evropën, në lidhje me luftën e Kaczynski-s kundër BE-së, është që ajo, në fund, të rezultojë me një “Polexit” – një dalje të Polonisë nga BE-ja. Tani pasi që ai ka konstatuar se BE-ja e ka tradhtuar Poloninë njëherë, ai do ta përsëritë këtë konstatim vazhdimisht. Dhe, luftërat e Kaczynski-t kurrë nuk mbarojnë me kompromis. Ai nuk u ndikua aspak nga vërejtja e presidentit francez, François Hollande, se “Polonia mund të ketë parime, por ne i kemi fonde strukturore”, meqë atij nuk ia ndien për kostot. Sikur që ka deklaruar për “Reuters”-in, qeveria e tij është “një revoltë dhe, në aspektin afatgjatë, ajo ia vlen, edhe nëse vjen deri te rënia e hapit aktual të rritjes ekonomike”. Por, BE-ja mund ta gjejë aspektin pozitiv në sjelljen e zemëruar të qeverisë polake, nëse përdorë ngecjen aktuale për ta emancipuar veten nga diktatet më të këqija të vendeve anëtare. Dhe, me qyqe të tilla, sikur Kaczynski, në çerdhe, BE-ja ka nevojë të madhe që të emancipohet. Nëse BE-ja mund ta refuzojë një shtet anëtar një herë, ajo mund ta bëjë një gjë të tillë edhe më pas. Kjo nënkupton përdorimin efikas të votimit të shumicës së dyfishtë, të cilin zyrtarët e BE-së frikësoheshin që ta përdornin, por i cili mund ta bëjë BEnë më efikase dhe më të integruar. Në fund të fundit, BE-ja do të fitojë, meqë polakët e rëndomtë shumë shpejt do ta kuptojnë se pavarësia e vendit të tyre nuk ka kuptim pa BE-në dhe NATO-n. Ajo nuk mund të mbijetojë për një kohë të gjatë nëse është e painkuadruar dhe i duhet që të jetë ose anëtare e Perëndimit gjeopolitik, ose satrapi e Rusisë. Për ta kuptuar se çka do të ndodhte, nëse polakët do të dilnin nga BE-ja, ata nuk kanë nevojë të shikojnë më larg, sesa te Ukraina fqinje, e cila në vitin 2014 mbeti pa Krimenë e tani jeton me separatistët e mbështetur nga Rusia në pjesët lindore të saj. Ata duhet ta dinë se ukrainasit me gjithë dëshirë do t’i ndërronin vendet me ta. 
(Slawomir Sierakowski, themelues i lëvizjes politike “Krytyka Polityczna”, është drejtor i Institutit për studime të avancuara në Varshavë). Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”  

 

(Kosova Sot)