Trump ia dorëzon 'zotshpillakun' Kinës

Trump ia dorëzon 'zotshpillakun' Kinës
  • 22 April 2017 - 08:34

Shkruan: Fareed Zakaria
Ende nuk e kemi agjendën për takimin që do të mbahet muajin e ardhshëm në Florida, midis presidentit Trump dhe presidentit të Kinës, Xi Jinping. Por, pas 75 vjetësh të lidershipit amerikan në skenën botërore, samiti në Mar-aLago mund ta shënojë fillimin e një dorëzimi të pushtetit nga SHBA-ja te Kina. Trump ka përqafuar një politikë të tërheqjes nga bota, duke krijuar një boshllëk, i cili në një masë të madhe do të plotësohet nga Partia komuniste e Kinës. Trump ishte deklaruar kundër Kinës gjatë kampanjës parazgjedhore, duke thënë se ky vend është duke e "dhunuar" SHBA-në. Ai ishte përbetuar se, sapo ta merrte pushtetin, do ta cilësonte Kinën si vend që manipulon me valutë. Por, në ballafaqimin e tij të parë me Kinën, ai u nënshtrua. Disa javë pas inaugurimit të tij, Trump spekuloi duke thënë se mund t'i intensifikojë marrëdhëniet me Tajvanin. Si reagim ndaj kësaj, Xi ngriu të gjitha kontaktet midis Pekinit dhe Uashingtonit, në të gjitha çështjet, duke kërkuar nga Trump që t'i tërhiqte fjalët e veta - gjë që edhe ndodhi. 

Ndikimi i Kinës do të rritet

Vizioni i administratës së Trump-it për deangazhim nga bota, është dhuratë e dërguar nga Zoti për Kinën. Nëse shikohet buxheti i propozuar i Trump-it, atëherë shihet se ai propozon shkurtime në "fuqinë e butë" - diplomaci, ndihmë të jashtme, organizata ndërkombëtare - për 28%. Në anën tjetër, Pekini ka trefishuar buxhetin e ministrisë së tij të jashtme gjatë dekadës së kaluar. Dhe, këtu nuk përfshihen vetëm shpenzimet masive në ndihma dhe zhvillim në tërë Azinë dhe Afrikën. Le të shikojmë vetëm disa nga përkushtimet zhvillimore të Kinës. David Shambaugh nga Universiteti "George Washington" i vlerëson atë në 1.4 trilion dollarë, krahasuar me Planin Marshall, i cili në paratë e sotme do të vlente sa 100 miliardë dollarë. Rëndësi ka edhe rritja e fuqisë diplomatike të Kinës. Një kryeministër aziatik më tha tash vonë se, në çdo konferencë rajonale, "Uashingtoni dërgon 2-3 diplomatë, derisa Pekini me dhjetëra sish. Kinezët janë të pranishëm në çdo takim komitetesh, e ju nuk jeni". Ai tha se, rezultat i kësaj, është që Pekini, gjithnjë e më shumë, është duke e caktuar agjendën aziatike. Administrata Trump dëshiron ta zvogëlojë financimin e OKB-së nga SHBA-ja. Kjo është muzikë për veshët kinezë. Pekini është përpjekur që të ketë ndikim në këtë organizatë botërore tash e sa vite. Ai e ka rritur financimin e OKB-së dhe me gjithë dëshirë do ta paguajë shumën e mbetur, nëse SHBA-ja e zvogëlon kontributin e saj. Sikur që vëren revista e politikës së jashtme, "Colum Lynch", Kina tanimë është bërë kontribuuesi i dytë, më i madh, i misioneve paqeruajtëse të OKB-së dhe ka më shumë paqeruajtës sesa katër anëtarët e tjerë të përhershëm të KS të OKB-së së bashku. Natyrisht, si rezultat i kësaj ndikimi i Kinës do të rritet, duke filluar nga emërimet kyçe, e deri te ndryshimet politike nëpërmes sistemit të OKB-së. 
Roli global i SHBA-së gjithmonë ka nënkuptuar të qenit i pari në shkencë, edukim dhe kulturë
Veprimi i parë i madh i administratës Trump ishte tërheqja e SHBA-së nga Partneriteti TransPaqësor (TPP), një marrëveshje, e cila do të hapte ekonomitë kaherë të mbyllura, sikur ato të Japonisë dhe Vietnamit, por po ashtu do ta krijonte një bllok, i cili do ta pengonte një rritje gjithnjë e më të madhe të dominimit të Kinës në tregtinë e Azisë. TPP-ja, sipas fjalëve të kryeministrit të Singaporit, ishte "test lakmusi" i kredibilitetit të SHBA-së në Azi. Me tërheqjen e Uashingtonit, edhe aleatët më të zjarrtë të Amerikës, sikur p.sh. Australia, kanë filluar të ngurrojnë. Kryeministri australian Malcolm Turnbull ka përmendur mundësinë që Kina të anëtarësohet në TPP, duke shndërruar në esencë një grup, i cili duhej ta pengonte përparimin e Kinës, në një degë tjetër të ndikimit kinez. Roli global i SHBA-së gjithmonë ka nënkuptuar të qenit i pari në shkencë, edukim dhe kulturë. Edhe në këtë fushë Uashingtoni është duke u zmbrapsur, derisa Pekini është duke përparuar. Në buxhetin e propozuar nga Trump, Institutet kombëtare të shëndetit, NASA dhe laboratorët kombë- tarë ballafaqohen me shkurtime sakatuese, sikur edhe shumë programe të këmbimit, të cilat kanë sjellë gjenerata të liderëve të rinj, për t'u trajnuar në SHBA dhe për t'u ekspozuar ndaj vlerave amerikane. Në ndërkohë, Pekini ka vazhduar me zgjerimin e "Instituteve Confucius" në tërë botën dhe tani ofron 20,000 bursa për studentët e huaj që shkojnë për të studiuar në Kinë. Financimi i saj për shkencën 'e madhe' është në rritje çdo vit e më shumë. Teleskopi më i madh në botë gjendet në Kinë, e jo në SHBA. Administrata Trump dëshiron një ushtri më të madhe. Por, kjo kurrë nuk ka qenë mënyra në të cilën Kina ka kërkuar që të konkurrojë me fuqinë e SHBA-së. Liderët kinezë më kanë thënë se kjo ishte strategjia e udhëheqësve sovjetikë gjatë Luftës së ftohtë, e cila përjetoi një dështim të mjerë. Konkludimi ishte: Të lihet Uashingtoni të çojë kot pasuritë në Pentagon, derisa Pekini do të përqendrohej te ekonomia, teknologjia dhe fuqia 'e butë'. Këshilltari i ri i Trump-it për siguri kombëtare, H.R. McMaster, në një rast pati theksuar se, përpjekja që dikush të matet me SHBA-në në mënyrë simetrike - tank për tank - ishte ide e marrë. Strategjia e mençur do të ishte asimetrike. Duket se kinezët e kanë kuptuar këtë.  

(Kosova Sot)