Zgjidhjet holandeze mund të kenë marrë fund, por jo edhe kokëdhembja evropiane

Zgjidhjet holandeze mund të kenë marrë fund, por jo edhe kokëdhembja evropiane
  • 23 April 2017 - 11:30

Shkruan: Pieter Cleppe

BE-JA MUND TË NXJERRË MËSIM NGA RUTTE

Shteti holandez i mirëqenies sociale ka problem që t'ia dalë me një popullsi gjithnjë e më të vjetër
Popullariteti i forcave 'anti-establishment' në Holandë mund të shpjegohet nga më shumë faktorë, sesa intervenimi i tepërt në çështjet e brendshme nga BE-ja dhe kundërshtimi ndaj globalizimit politik -gjë që duhet të dallohet qartë nga globalizimi ekonomik

Vetëm pse Partia e Lirisë së Geert Wildersit nuk arriti që të marrë vota të mjaftueshme në zgjedhjet holandeze, kjo nuk dmth se pakënaqësia e gjerë, si në Holandë, po ashtu edhe në tërë Evropën, është zhdukur. Ne nuk duhet harruar se, gjatë kampanjës së tij, Wilders as që u mundua ta moderonte veten, për dallim, p.sh., nga liderja e Frontit Nacional në Francë, Marine Le Pen. Në muajin shkurt, Wilders i quajti imigrantët marokenë 'bërllok', përkundër faktit se, vetëm dy muaj më parë, ishte dënuar për nxitjen e diskriminimit kundër të të njëjtit grup. Stili i tij mund të kenë ndikuar që ai t'i humbë votat e njerëzve, të cilët mund të kenë menduar se ai ishte tepër ekstrem. Por, ka mundësi që kjo të ishte pjesë e një strategjie të qëllimshme të Wildersit, për të ndikuar në diskursin politik të opozitës. Deri në një masë të caktuar, ai ka pasur sukses në këtë drejtim. Jo vetëm në formë të qëndrimit të fortë e të ashpër të kryeministrit holandez, Mark Rutte rreth imigrantëve gjatë kampanjës - në muajin janar ai shkroi një letër të hapur, drejtuar imigrantëve, ku thoshte se "ata që nuk sillen normalisht duhet të largohen" - por edhe në formë të konfrontimit të kryeministrit Rutte me aleatin e NATO-s, Turqinë, pak ditë para votimeve. Ministrit të Jashtëm turk i ishte ndaluar hyrja në Holandë dhe ministrja turke e Çështjeve familjare ishte përzënë, sipas medieve turke, pasi që i ishte thënë se nuk ishte e mirëseardhur që ta mbante një fjalim në Konsullatën e përgjithshme të Turqisë në Roterdam.

Imigrimi i pakontrolluar

Përdorimi i shprehjes "sjellje normale" nga ana e tij ka dilema në aspektin e perspektivës së lirive të njeriut, por qëndrimi i Rutte-s ishte mbështetur gjerësisht në spektrin politik, dhe ligjet ndërkombëtare lejojnë vendet mikpritëse që ta shpallin një pjesëtar të caktuar të stafit diplomatik 'persona non grata', në çdo kohë, për çfarëdo arsyeje. Por, po të mos ekzistonte Wildersi, atëherë qeveria e Holandës mund të mos kishte shkuar kaq larg. Dy partitë e tjera tradicionale në Holandë - kristian-demokratët dhe laburistët - po ashtu kanë marrë një qëndrim më kritik ndaj BE-së. Si rezultat i kësaj, do të jetë vështirë që të bindet qeveria holandeze që të pajtohet për një bartje më të madhe të pushtetit në BE. Megjithatë, koalicioni i ri nuk ka të ngjarë që të bëhet më euroskeptik: partia centriste D66 dhe, ndoshta, edhe e majta e gjelbër, ku që të dy këto janë në favor të një transferimi më të madh të pushtetit te BE-ja, kanë një gjasë të mirë që të hyjnë në qeveri, bashkë me kristiandemokratët dhe partinë më euroskeptike të Rutte-s, VVD-në e qendrës së djathtë. Popullariteti i forcave 'anti-establishment' në Holandë mund të shpjegohet nga më shumë faktorë sesa intervenimi i tepërt në çështjet e brendshme nga BE-ja dhe kundërshtimi ndaj globalizimit politik - gjë që duhet të dallohet qartë nga globalizimi ekonomik. Po ashtu, rol kyç ka luajtur edhe imigrimi i pakontrolluar masiv, mungesa e integrimit të pakicave ekzistuese dhe terrorizmi islamik, derisa shteti holandez i mirëqenies sociale ka problem që t'ia dalë me një popullsi gjithnjë e më të vjetër.

BE-ja mund të bëhet më modeste dhe e përqendruar

Shkëputja teknologjike po ashtu ka ndikuar që, njerëzit që ishin mësuar me idenë e status quo-së, të shqetësohen në shumë mënyra, kështu që edhe në një vend me një performancë të mirë në të kaluarën, ka shumë njerëz që janë të gatshëm ta sfidojnë sistemin. BE-ja mund të nxjerrë mësim nga Rutte rreth asaj sesi të ndalet vala e populizmit dhe sesi të përkujdesemi më mirë ndaj të pakënaqurve. Ajo mund të bëhet më modeste dhe e përqendruar tek ajo ku është më e zonja: te largimi i barrierave tregtare. Përderisa ajo të mendojë se mund t'i fitojë zemrat dhe mendjet e njerëzve, duke përqendruar një fuqi më të madhe dhe më shumë para në nivel qendror, apo duke mikro-menaxhuar çështjet kombëtare dhe lokale, ajo ka më shumë gjasa që ta forcojë "brigadën anti-establishment". 

(Pieter Cleppe është kryesues i Zyrës së Brukselit të "Open Europe", një grupi ekspertësh të specializuar rreth Evropës dhe BE-së)  

(Kosova Sot)