Ramushi në asnjë bazë ligjore nuk mund të ekstradohet në Serbi

Ramushi në asnjë bazë ligjore nuk mund të ekstradohet në Serbi
  • 24 April 2017 - 08:30

SHKRUAN: BEHARE REXHEPISAHITAJ

Çështja e Ramush Haradinajt është mediatizuar në shtypin tonë më shumë për interesa të shitjeve të gazetave dhe për klikime në portale, sesa që i është bërë analizë e mirëfilltë aktakuzës së përpiluar në Beograd. Nuk është aspak për t'u habitur nga gazetat dhe portalet, por është për t'u befasuar nga moseksperienca profesionale e avokatëve tanë si dhe këshilltarëve të Ramushit dhe të individëve brenda AAK-së, të cilët japin deklarata nonsens, duke derdhur lot krokodili. Ne shqiptarët zakonisht marrim vendime në bazë të paragjykimeve dhe individët e fushave të ndryshëm përgjigjen për gjëra që nuk kanë njohuri dhe marrin vendime si p.sh: është fajtor nuk është fajtor, ka të të drejt nuk ka të drejtë, është kriminel nuk është kriminel … Ne, sidomos në vitet e pasluftës i madh e i vogël deklarohemi duke e gjykuar një ngjarje apo një individ , duke u bazuar në ato që kemi dëgjuar e jo në bazë të fakteve e dokumenteve. Një gjë e tillë është duke ndodhur edhe me Ramush Haradinajn, ku të gjithë shqiptarët duke i përfshirë këtu edhe avokatët e tij, se Ramush mbahet padrejtësisht. Është fakt që ai mbahet padrejtësisht, por kjo padrejtësi duhet të dokumentohet më letra e jo me deklarata sterile. Për të dhënë një mendim konkret mbi rastin e Ramushit, nuk po nisem nga fakti se ai është i pafajshëm (sepse ai është i pafajshëm për ne shqiptarët), por po nisëm nga mënyra e padrejtësisë që iu është bërë e që mund t'i bëhet edhe të tjerëve. 1. Në bazë të të gjitha ligjeve ndërkombëtare, krimi ndëshkohet në vendin ku ka ndodhur, e jo në një shtet tjetër. Për pak çaste po e imagjinojmë se Ramushi është fajtor dhe akuzat e Serbisë janë të dokumentuara. Pa asnjë dyshim se në akuzën e Serbisë, thuhet se Ramushi ka kryer vepra penale të rënda që kanë ndodhur në Kosovë. Pra, Ramushi nuk ka shkuar në Beograd për të bërë ndonjë akt, pse atëherë avokatët e Ramushit nuk kërkojnë që procesi gjyqësor të bëhet në Kosovë, ku serbët dyshojnë që janë kryer ato vepra kriminale, gjithnjë sipas Serbisë. Avokatët e Ramushit gjenden para një padie absurde, por të cilën padi ende nuk kanë njohuri si ta nxjerrin klientin e tyre nga kjo katrahurë e krijuar nga avokatët dhe këshilltarët e Ramushit. Mbrojtësit e Ramushit duhet të dokumentojnë me letra, se GJND-ja i ka dhënë të drejt krijimit të shtetit të Kosovës, dhe vendi ynë është i pavarur. Nëse e dokumentojnë këtë, atëherë duhet të kërkojnë që Ramushi të kthehet në vendin ku ka ndodhur krimi që Serbia pretendon, e jo ai të dërgohet në Beograd. Shteti i Kosovës duhet të kërkojë nga Franca urgjentisht që Ramushit t'i bëhet proces në Kosovë, e jo t'i dërgohet letër protestuese, duke shkruar se Ramushi është i pafajshëm. Qeveria nuk ka asnjë të drejt të prejudikojë i fajshëm apo i pafajshëm! Sikur të vendoste Qeveria, nuk do ekzistonin gjyqet. Pafajësia vërtetohet përmes procesit gjyqësor të çdonjërit në botë, sepse më protesta të tilla Qeveria i jep të drejta Serbisë, e cila po deklaron se gjyqet e Kosovës janë të varura nga politika. Qeveria e Kosovës dhe avokatët e Ramushit duhet të kërkojnë proces të pavarur e objektiv, e jo të protestojmë duke ngulur këmbë për padrejtësitë që iu bënë Ramushit. Nëse ende serbë vazhdojnë të thonë se gjyqet në Kosovë janë të varur nga politika, atëherë pse është krijuar GJ. Speciale? Pra, duhet kërkuar se pari proces të pavarur në Kosovë ose në Gj. Speciale, e në asnjë rast të protestojmë për pafajësi të askujt. Gjyqet janë ato që vendosin e jo shteti, as intelektualët me peticione naive, duke menduar se po bëjnë presion mbi Francën.

2. Luajmë rolin e viktimës

Ne jemi mësuar që nga vitet e '90-ta e këtej të luajmë rolin e viktimës, duke u ankuar, por jo duke dokumentuar ngjarjet me fakte. Ankimet dhe roli i viktimës që e luajmë duke protestuar dhe duke dërguar peticione, e vështirëson gjendjen e të dyshuarit, mirëpo në Kosovë është krijuar një traditë e tillë që pastaj më gjeste e deklarata të tilla të shesim mend se kemi kryer një akt patriotik. Çudi se si deri më sot, asnjë avokat, asnjë qytetar, e as Qeveria kurrë nuk u deklaruan dhe nuk protestuan p.sh. pse për kriminelet serbë që kryen masakrën në familjen Berisha, nuk u kërkua proces gjyqësor në Kosovë?! Dënimet që ua shqiptuan kriminelëve serbë për këtë masakër janë qesharake. Mirëpo para ndërkombëtarëve Serbia ka dhënë fakte se ata po i dënojnë kriminelet e luftës dhe popullsia serbe nuk po proteston për proceset e tyre dhe qeverinë dhe gjyqësinë e Beogradit ta quajnë "tradhtar" apo që po e "zhvlerësojnë" luftën e tyre. Serbët nuk protestojnë në këtë formë, sepse ndërkombëtarëve u japin fakte se nuk ka drejtësi. Kriminelet serbë e kanë kryer krimin në Kosovë dhe ekzistojnë prova e fakte materiale, mirëpo ne nuk i kemi bërë kërkesë Serbisë dhe institucioneve ndërkombëtare, që ata të sillën ne vendin e krimit. Pse Belgjika i ekstradonte vrasësit e Enver Hadrit nga Spanja apo vende të tjera dhe procesi të mbahej në Bruksel e jo në Beograd?

Kush protestoi kundër dënimeve qesharake të kriminelëve serbë për masakra makabre që kanë bërë në Kosovë? Ne më kotë mund të çirremi duke protestuar apo duke nënshkruar peticione se lufta po zhvlerë- sohet, se luftëtarët tanë janë të pafajshëm. Pikërisht këto deklarata kanë ndikuar që të krijohet GJ. Speciale. Pafajësia vërtetohet vetëm pas një procesi gjyqësor. 3. Deklarata e ambasadorit francez në Prishtinë nuk është objektive. Është e pakontestueshme ndihma e Francës për çlirimin e Kosovës dhe njohjen e shtetit tonë, por ambasadori francez ka njohuri shumë dhe kurrë nuk do të lejonte që një kriminel që ka kryer krime në Paris të dënohet p.sh. në Berlin, Algjeri apo Afganistan. Andaj ambasadori francez në Prishtinë është dashur të deklaronte që Ramushi mund të ekstradohet në Hagë ose të kthehet në Kosovë, sepse Franca për gjëra që ndodhin në territorin francez ka vepruar dhe vepron kështu, ndaj atyre që kryejnë akte të tilla në Francë, siç bëri Belgjika për vrasësit e Enver Hadrit. Gjendja e Ramushit është e rënduar, por nuk është e komplikuar. Përfundimi i kësaj odiseje të Kolmarit (Colmar) ka dy rrugë: e para, të kthehet në Kosovë që është vendimi i drejtë, e dyta të kthehet në Kosovë në pritje të ndonjë padie të mundshme për GJ. Speciale. Ekstradimi i Ramushit në Serbi do të ishte vendim arbitrar i padrejtë dhe antidemokratik. Kosova nuk mund të trajtohet si territor i Serbisë, pavarësisht që mbi këtë lojë luan Serbia, duke manipuluar më rezolutën 1244, duke e përdorur "flluskën", duke spekuluar mbi gjyqet e varura nga politika... Për fund, duhet që Qeveria të hartojë planin strategjik për mos ekstradimin në Serbi të asnjë shqiptari që dyshohet për krime lufte. Kjo nuk do të mjaftonte duke aprovuar rezoluta në Parlamentin tonë, por me dokumente dhe duke angazhuar ekspertë ndërkombëtarë.

(Kosova Sot)