Ngjarjet që e lajmëruan epokën e Adem Demaçit dhe Adem Jasharit - viti 1981

Ngjarjet që e lajmëruan epokën e Adem Demaçit dhe Adem Jasharit - viti 1981
  • 25 April 2017 - 08:22

SHKRUAN: PROF.DR. HAKIF BAJRAM

Një shtresë politike dhe intelektuale e LKJ-LDK (1967-1999) mendonte se Jugosllavia-Serbia një ditë do t'u thoshin shqiptarëve: "Urime Republika e Kosovës"! JO, kurrën e kurrës. Do të bridhnim edhe një mijë vjet, pa demonstrata dhe luftë të armatosur çlirimtare, Republikë të Kosovës nuk do të kishte! Shumë mendime dhe misione diplomatike janë prononcuar për demonstratat shqiptare të vitit 1981 në Kosovë. Janë lansuar akuza bizare; se i ka organizuar UDB-ja jugosllave; se i ka organizuar shërbimi sekret rus; se i ka organizuar shërbimi sekret i Shqipërisë, duke ia shtuar akuzën se janë organizuar sipas ideologjisë marksiste -leniniste, e shpifje të tjera nga arsenali i shkollës së Makiavelit, ose rankoviqiste, natyrisht për t` iu treguar shqiptarëve se si është dashur të sillet shteti burg i popujve që ishte Jugosllavia titiste. Në realitet, pushteti titist do të nxitojë që demonstratat t` i nominojë si "kontrarevolucionare", për të pasur pastaj mundësi që të dënojë shqiptarë sa e si të dojë, sepse ligjet neokoloniale totalitare këtë e lejonin. E vërteta, kam pasur rastin të hulumtoj në dhjetor 1981 në AJ. Dhe aty t` i veçojë tri analiza shkencore për Demonstratat shqiptare të vitit 1981. Në asnjërën analizë (e një shkencëtari slloven, një kroat dhe një hungarez), askund nuk pranohet termi "kontrarevolucion", sepse nuk është marrë asnjë institucion shtetëror nga demonstruesit. Edhe më qartë: atë moment kur Mustafë Hoxha nga Podujeva, e përzuri ushtrinë dhe oficerët serbianë nga Llapi (4 prill 1981) dhe u thotë: "Këtu jam komandant unë, e jo ju". Serbianët do të agresivizohen dhe me tërë "artilerinë" politike do të sulmojnë në një mbledhje të mbyllur Fadil Hoxhën (4 prill 1981), i cili nuk pranonte termin "kontrarevolucion". Por, pas insistimit të V. Bakariqit, Stipe Shuvarit dhe Milan Kuçanit, Fadil Hoxha "do të ndryshojë qëndrim". Megjithëkëtë, po atë minutë që Ruzhdi Hajdini (demonstrant ), e mori armën dhe me shokët kreshnikë në Besi i dogji kamionët dhe tanket e armikut, duke e themeluar edhe një njësi të armatosur (2-12 prill 1981), demonstratat mund të quhen përpjekje për kryengritje. Por, meqë ato kurrë nuk u ndalën, por vazhduan në forma të ndryshme deri më 1 tetor 1997, mund të quhen edhe kryengritje, së cilës populli me vështirësi iu bashkëngjit, por më në fund triumfoi vizioni patriotik i Adem Demaçit, se lufta është e pashmangshme (1964), kur të shteren të gjitha shanset për Republikë, dhe bashkim me Shqipërinë.

Rasti i shqiptarëve të robëruar sot është duke u studiuar në shumë akademi

Përfundim i të gjitha analizave është se më në fund më 1981, do të zhvishet "parajsa nacionale" jugosllave dhe njëkohësisht po ngriste kokë ideologjia për Serbinë integrale dhe Jugosllavi homogjene, fakte këto që paralajmërojnë një politikë të tipit të përzier çetnikokomunist(shiko: A. CK SKJ më KEF/81/XI, dok, i klasifikuar nga Shërbimi anglez pranë Ambasadës në Beograd, i "hedhur në mbeturina, për nevoja kontrainformative). Dokumentet që i botojnë Sabit Syla dhe Hamit Kaba (Demonstrata e shqiptare të vitit 1981) në bazë të dokumenteve me proveniencë sekrete britanike, dhe në bazë të analizave të mëvonshme, dalin se e drodhën nga themelet burgun e popujve që quhej shteti i RSFJ-së; se në esencë ishin vepër e rinisë patriotike shkollore shqiptare. Këto ngjarje ishin një Lëvizje EKLIPTIKE politike patriotike dhe në qendër të tyre qëndronte njeriu atdhetar i viseve të okupuara dhe shumë të prapambetura shqiptare, nga Jugosllavia titise. Edhe sot mund të gjenden shqiptarë që emocionalisht ishin dhe janë të lidhur me sistemin e shkuar në varrin e historisë. Ky soj nostalgjikësh ende fizikisht nuk janë në gjendje ta kuptojnë apo të bëhen të vetëdijshëm se ishin në robëri të thellë. Të gjithë këta, demonstratat ende i rezervojnë t`i vlerësojnë nga këndi i tyre emocional titist, dhe realiteti fizik rankoviqist, sepse Kosova gjithnjë e më tepër po shënonte ngecje në të gjitha fushat, krahasuar me viset e tjera të vendit. E vërteta, pozita shoqërore e kësaj shtrese tradhtare ishte gjithnjë stabile ekonomikisht. Prof. Dr. Hamit Kaba dhe Prof. Dr. Sabit Syka, në publikimin prej 132 dokumenteve, prezantojnë një rrafsh të panjohur vlerësimesh nga më të ndryshmet, kuptohet nga këndet e shikimit diplomatik, të investigimit dhe të përshkrimit të ngjarjeve në disa raste të vogla. Me rëndësi është, se këta autorë seriozë në punën e tyre kanë sjellë përforcime të reja shkencore argumentuar se: Demonstratat nuk ishin kontrarevolucionare, por ishin një lëvizje patriotike ekliptike shqiptare, e në qendër të tyre ishte njeriu i pakënaqur dhe shumë i vetëdijshëm politikisht dhe ideologjikisht shqiptar, gjithnjë për t`u bërë i barabartë me kombet e tjera të vendit. E, pas saj barazie, ekliptika e re qartësohet jo atëherë (më 1981), por me daljen në skenë të UÇK-së, dhe me themelimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, më 17 shkurt 2008. Kjo do të thotë se rruga nuk ishte e shkurtër, por as lufta, sepse liria kurrë nuk sigurohet pa traditë patriotike. E, këtë fakt e zbërthejnë shumë dokumente në këtë publikim, ku janë ndërthur shumë kundërthënie dhe dy mendësi edhe në rrafshin ndërkombëtar, duke shtruar pyetje hamletiane: a janë shqiptarët në gjendje ta shkatërrojnë Jugosllavinë?Rasti i shqiptarëve të robëruar sot është duke u studiuar në shumë akademi si Epokë e neoluftës çlirimtare, jo vetëm në Evropë, por në tërë Globin. Vlera e këtij publikimi dokumentuar është pra polidimensional . Publikimi i Dr. Sabit Sylës dhe Dr. Hamit Kabës është me vlerë shkencore historike, politike, diplomatike, gjeostrategjike dhe nga këndi i filozofisë së historisë ngrihet në udhërrëfim patriotik dhe revolucionar për kombet e shtypura dhe të shfrytëzuara, për të bërë ndryshim rrënjësor të pozitës së tyre me këtë rrugëtim, kuptohet me specifikat që adaptohen kudo. Këtij modeli të luftës së shqiptarëve në ishJugosllavi, kanë filluar t` i frikësohen shumë shtete, që kanë përbrenda këso plagësh, të këtij lloji, prandaj po e luftojnë Kosovën me të gjitha mjetet edhe sot. Dokumentet që i botojnë Dr. Hamit Kaba dhe Dr. Sabit Syla dëshmojnë se shqiptarët e robëruar po faktorizoheshin kombëtarisht, jo me emocione, por duke shtruar kërkesa reale-konkrete dhe racionale, të tipit demokratik. Shqiptarët në këto ngjarje, vërehet nga raportet, dëshmojnë këta studiues me demonstratat e vitit 1981, kanë arritur emancipim solid arsimor, kulturor, politik, të kultit ndaj punës, shëndetit, ambicieve dhe mbi të gjitha për të drejtat e tyre nacionale, me të cilat nuk mundet më të luajë askush. Shqiptarët, del nga dokumentet se "nuk pranojnë më të drejta të porositura nga Beogradi", por nuk janë as simpatikë e as antipatikë të pushtetit të Tiranës totalitare, për shumë arsye.

Institucioni që prodhonte nacionalizëm

Intelektualët dhe punëtorët shqiptarë në Kosovë e kanë respektuar realitetin në Shqipëri (1970-1981) dhe për këtë, shumica dërmuese nuk duan që dikush nga burokratët e tyre ose ndonjë naivë t`i quajë "agjentë të UDB-së së Beogradit". E, po ta kritikonin sistemin politik në Shqipëri, populli këtë gabim nuk do t`ua falte kurrë. Ka fakte kur nëna analfabete i ka thënë djalit që kishte doktoruar duke iu drejtohet të birit në prezencë të mysafirëve: "Ti ke qenë në Shqipëri, atje e ke njohur realitetin. Atje çdo gjë lulëzon dhe kështu duhet të mbetemi ne në shpresë, se Nëna do të na ndihmojë një ditë. Dihet, se Kosova (1970-1981)kishte plotë hoxhallarë. Një ditë, një intelektual që e kishte vizituar Shqipërinë e pyet hoxhën: "A është haram që kam pi raki për t'u dehur dhe mos të kritikohet Shqipëria?" Hoxha shumë fanatik fetar përgjigjet: "Çdo veprim në dobi të Shqipërisë Nënë nuk është haram"!Këtu qëndron realiteti objektiv, pse e kemi dhe duhet ta admirojmë Shqipërinë. Informatat që na i sjellin Dr. Hamit Kaba dhe Dr. Sabit Syla, nga Arkivi i Londrës, për demonstratat shqiptare 1981, nuk janë dokumente të tipit: "e folur, e shkruar" , por janë informata objektive të sajuara, me fare pak kolorit politik. Edhe më qartë, këto dokumente nuk kanë të bëjnë me fabrikime krahasimtare, sepse kanë për qëllim objektivizmin e çështjes shqiptare. Dhe, nëse krahasohen me dokumentet e zhanrit të tillë rus dhe jugosllav, të cilat lustronin dhe ilustronin realitetin, na japin guxim të konkludojmë se shqiptarët ishin rreshtuar DREJT më 1981, dhe me mësimet e Adem Demaçit paralajmëronin Epokën e Adem Jasharit. Botimi i këtyre dokumenteve e hap një çështje strategjike, se demonstratat shqiptare dhe reaksioni jugosllav ishin në luftë kundër të hapur në mes dy rreshtave: Decentralizmit që rreshtoheshin shqiptarët dhe centralizmit dhe homogjenizimit, që rreshtoheshin të gjithë sllavët, sepse të gjithë sllavët deri më 1985 ishin në një front kundër shqiptarëve. Ky fakt duhet të thuhet se për të flasin dokumentet sekrete. Madje, Platformën Politike për Kosovën 1981 e skicoi (shkroi) Milan Kuçan (funksionar i lartë slloven), ndërsa ia dha dorën e fundit Vladimir Bakariqi ( funksionar i lartë kroat). Madje tërë sigurimin shtetëror në fillim e drejtonin sllovenët. Në dokumente prezantohen edhe analiza të zyrtarëve të "paguar", drejtuar "qarqeve sovjetike", se në qendër të ngjarjeve revolucionare të shqiptarëve të Jugosllavisë është istikamizuar Universiteti i Prishtinës. Se ky institucion ka prodhuar nacionalizëm edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi, ku jeton një pjesë e shqiptarëve, që më 1945 kanë mbetur jashtë kufijve të shtetit etnik; janë shfrytëzuar ekonomikisht deri në ekstrem. (shiko dok. në origjinal në DSASIP B, i klasifikuar, por ai që u dërgua në Londër ishte "krehur").

Dokumentet konfidenciale

Dokumentet janë edhe prononcime rreth vdekjes "enigmatike" të Mehmet Shehut në Tiranë, dhe reflektimit të këtij incidenti në psikologjinë shoviniste në Beograd. Lidhur me këtë, shihet roli i Beogradit në përhapjen e lajmeve triler politike, si nga Tirana ashtu edhe nga Prishtina, krejt me qëllim që opinioni jugosllav dhe ai botëror të dezinformohet dhe demonstratat të kalojnë si ngjarje në plan të dytë. Këtë kërkesë do të bëjnë shumë zyrtarë sllovenë, të cilët në cilësinë e sigurimsave, të paktën deri më 18 prill 1981 ishin "zot shtëpie në Kosovë", madje arritën edhe të organizojnë diversion në Ambasadën e tyre në Tiranë; ndërsa Beogradi sodiste nga bregu, për të tubuar energji për sulme frontale. Ky realitet tregon se çështja e Kosovës ishte bërë "brengë ushtarake" serbiane, prandaj edhe ishin përgatit tri pista (nga Podgorica, Prishtina, Ohri), për të sulmuar Tiranën. Lidhur me këtë, dokumentet konfidenciale angleze dëshmojnë se edhe Tirana zyrtare ishte vënë në gjendje gatishmëria me tërë arsenalin ushtarak për ta mbrojtur Kosovën. Fjala "sulm" dhe fjala "mbrojtje", do të jetë objekt analizash për shumë përfaqësi diplomatike që të dallohet, se "kush ia ka nisur sulmit i pari". Por një fakt dihet, se rinia shqiptare e Kosovës ia ka nisë e para, dhe ata vështirë se do të zmbrapseshin nga kërkesat e tyre legjitime dhe publike, sepse nuk po demonstrohej më ilegalisht. Parullat e demonstrantëve nuk janë luftënxitëse, vlerësojnë sidomos britanikët, janë disi një "filantropi popullore", për ta gëzuar lirinë si të tjerët; që duan barazim me kombet e tjera të Jugosllavisë, që si duket është duke u hamendur, pse është decentralizuar së tepërmi më 1974, sidomos serbianët. E shqiptarët nuk duan më vetëm aq sa fituan më 1974, këta të rinj e të reja, po duan diçka më tepër, po duan REPUBLIKE të barabartë në federatë. Nëse kjo nuk plotësohet, kërkesat do të metastazojnë në pambarim, e ndoshta deri te shkatërrimi i kësaj perandorie komuniste, që aq shumë lavdërohej nëpër botë. (shiko; DASIPB. Konfidencial, 01/81- Raport i pabotuar dërguar Londrës, nga Beogradi më 22 VI 1981). Në dokumente prezantohet edhe roli qendrës britanike e nominuar si "Departamenti Sovjetik", si filial inteligjent anglez gjithnjë lidhur me përgjegjësinë e drejtuesve politikë shqiptarë, duke i shtruar në mënyrë tendencioze, si: "marrëdhënie ShqiptareJugosllave". Shtruarja e çështjeve në këtë mënyrë, shpjegojnë shumë analiza të kohës, se në takimet me të huajt, lidhur me këto çështje, jugosllavët kur ishte në pyetje Kosova dhe viset shqiptare që i okuponin, thirreshin në Kartën e Atlantikut (14 gusht 1941, neni 1,), në Kartën finale të Helsinkut (1975), po nuk shpjegonin kurrë se këto principe të kodifikuara ndërkombëtare, pikërisht jugosllavët i kishin shkelë në Istër dhe në Vojvodinë, ku kishte pasur ndryshim të kufijve. Pikërisht këto pyetje do t`i shtrohen Lazar Mojsovit (funksionar shovinist jugoslalv) dhe Tihomir Vlashkaliqit (drejtues i LKS), në Beograd, para se të vijnë në vizitë në Prishtinë më 8/9 tetor 1981, kuptohet për të shpërndarë akuza dhe për të zgjeruar diktatin politik, ushtarak dhe policor, në tërësi të drejtuar nga LKJ, kundër një populli të tërë (shqiptar). Dr. Kaba dhe Dr. Syla , vlen të theksohet se pikërisht gjatë tetorit 1981, e kanë sjellë një informatë që ka mbetur "misterioze" ; do të lëvizet një Peticion i Universiteteve të Beogradit, Zagrebit dhe Lubjanës nga 133 studentë, do t` i dërgojnë Kryesisë Federale, për dënimet shumë të egra ndaj studentëve shqiptarë.(shiko: në publikim f. 427; krahaso me: A. CKSKJ. 6 XI 1981 Beograd, peticioni i 133 studentëve , i regjistruar si dokument konfidencial!).

Demonstruesit nuk kishin shprehur ndjenja antiperëndimore

Dokumentet e prezantuara nuk shpjegojnë "çdo gjë", për ato ngjarje që kishin në qendër rininë dhe popullin e shtypur shqiptar, por hapin horizonte të reja, për ta kuptuar se kur filloi Epoka e UÇK-së, dhe për ta kuptuar edhe Bashkësia ndërkombëtare se "shqiptarët nuk kthehen prapa dot, pa i realizuar synimet e tyre për Republikë të Kosovës, e diçka më tepër…".(shiko; A. CKSKJ, transkripti i bisedës Ambasadorit të Britanisë me Lazar Mojsovin në dhjetor 1981. Madje Mojsovi do të potencoi aty se "shumica e funksionarëve shqiptarë janë regjistruar jugosllavë", për të treguar se janë lojal, por ndaj tyre nuk do të ketë mëshirë, do të shpërthejë në bisedë Lazar Mosjov, që pretendon të dëshmohet më serbian se serbianët, edhe pse në esencë ishte bullgar! Dok KEF. 1-6/81). Në këto dokumente sheshëzohet edhe një fenomen që kishte lënë mbresë tek të gjithë diplomatët perëndimor, të akredituar në Jugosllavi se "me asnjë fjalë, me asnjë veprim demonstruesit nuk kishin shprehur ndjenja antiperëndimore". Përkundrazi, kishte finesa antisovjetike, që nuk nënkuptonte as me më të voglin dyshim, se dikush i ka porositë nga Tirana, apo Moska". (shiko: AJ. KEF/XI/81). Dokumentet e prezantuara në mes rreshtave e sheshëzojnë një brengë se rinia shqiptare i është nënshtruar një represioni të egër, si në hetime ashtu edhe në burgje gjatë mbajtjes. Numri i hetimeve dhe të të burgosurve lakohet nga 600-750 000 shqiptarë që kishin dosje të reja në policinë e partisë, pasi nga vitit 1966 LJK e drejtonte policinë e jo kundërta, si ishte zakon deri atëherë. Sido që të jetë, në të dy sistemet e UDB-së(1945/66) dhe të LKJ (1966/1999), pozita e shqiptarëve ishte konstante, popull shqiptar mbetej i dyshimtë, që duhej të mbetej qytetar i rendit dytë. Këtu është erupsioni i Revolucionit studentor 1981, dhe këtë diagnozë autorët e prezantojnë në nivel të lartë "selektiv" dhe eksplikativ dokumentar. Madje e kanë plasuar para shkencës së historisë si kapital me vlerë të lartë politike, diplomatike dhe gjeostrategjike edhe për sot. Autorët i urojmë për punën e shkëlqyer që kanë bërë në dobi të shkencës së historisë. 

(Kosova Sot)