Rama e Thaçi, rrënuesit e bashkimit kombëtar

Rama e Thaçi, rrënuesit e bashkimit kombëtar
  • 26 April 2017 - 08:26

SHKRUAN: FLORIM ZEQA 

P as deklaratës "bombastike" të kryeministri Rama: "Nëse BE nuk e fut Shqipërinë në BE, atëherë do të bashkohet me Kosovën", menjëherë u pasua me të njëjtën deklaratë edhe presidenti Thaçi! Mirëpo, as njërit dhe as tjetrit (përveç medieve) nuk u kushtoi vëmendje opinioni i gjerë shqiptar. Ngase, si Rama ashtu edhe Thaçi, idenë e bashkimit kombëtar e përdorin vetëm si slogan për efekte elektorale, për t'i mbuluar dështimet dhe ikur nga problemet madhore që kanë në vendet e tyre. Kështu dy liderët shqiptarë, duke e përdorur kartelën e nacionalizmit si diskurs politik për t'i mbuluar dështimet e tyre në zhvillimin ekonomik, zvogëlimin e papunësisë, daljen nga izolimi ndërkombëtar dhe për mbijetesën në politikë e përmendin shkarazi idenë e bashkimit kombëtar vetëm sa për të hedhur pluhur në ajër dhe asgjë më shumë.

Tkurrja e territoreve kombëtare

Deklaratat stereotipe të kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Kosovës rreth bashkimit kombëtarë, janë deklarata boshe vetëm për konsum të brendshëm politik e jo deklarata për ta sinjalizuar BE-në për një qëllim të tillë. Momentumi politik, në të cilin ndodhen Shqipëria e Kosova, deklaratat e tilla vetëm sa e stopojnë rrugëtimin dhe prodhojnë efekte negative në marrëdhëniet ndërkombëtare të të dyja shteteve. Deklaratat e Ramës e Thaçit janë mashtrim dhe maskaradë radhës për opinionin publik, për elektoratin shqiptar në prag të zgjedhjeve parlamentare, e të cilat rrjedhimisht vijnë edhe si pasojë e mungesës së platformave zhvillimore dhe avancimit të politikave të jashtme të të dyja shteteve shqiptare. I pari, kryeministri shqiptar Edi Rama deklaratën e tij e përdor si mburojë nga presioni i protestave të pandërprera të opozitës shqiptare me "çadrën" e hapur në shesh, ndërsa i dyti, presidenti kosovar Hashim Thaçi, idenë e bashkimit kombëtar e përdor si "xhoker" për rehabilitim nga dështimi i fundit në iniciativën e tij për bërjen e Ushtrisë së Kosovës përmes një projektligji dhe për heqjen nga koka e tij "Shpatën e Demokleut" (Gjykatën Speciale). Nëse i analizojmë Ramën e Thaçin, në praktikë njëri edhe tjetri me veprimet e tyre janë kundër idesë së bashkimit kombëtar. Që të dy bëjnë pazare dhe negociojnë me Serbinë dhe Malin e Zi për tkurrjen e territoreve kombëtare. Logjika e thjeshtë e jep përgjigjen në maskaradat mashtruese të Ramës e Thaçit për idenë e bashkimit kombëtar. Ata liderë, që në mendje e shpirt e mbajnë idenë fisnike të bashkimit kombëtar, nuk vrapojnë pas përqafimeve me armiqtë e kombit shqiptar në Beograd dhe Bruksel. Imitimi i Ramës nga ana e Thaçit, të kujton tifozërinë e një adoleshenti sportiv ndaj idolit të tij shpirtëror. Presidenti i Kosovës sikur harroi shumë shpejt se paraprakisht idesë së bashkimit kombë- tar, Edi Rama kishte dalë me idenë e krijimit të së ashtuquajturës "Federatë e Re Jugosllave", nën sqetullën e së cilës parashihet të hyjnë Shqipëria e Kosova së bashku me të gjitha trojet etnike të pushtuara nga serbosllavët. Njëmend Thaçi, i lodhur nga dështimet e njëpasnjëshme, kohëve të fundit nuk po di as të imitojë si duhet idetë e idolit të tij shpirtëror Edi Rama. Pas deklaratave "bombastike" të javës së kaluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për bashkim kombëtar, rruga drejt BE-së zgjatet dhe mbetet akoma më e paqartë për Shqipërinë dhe Kosovën. Angazhimi serioz për interesa kombëtare i liderëve shtetërorë shqiptarë, para së gjithash duhet të dëshmohet me përkushtimin e tyre në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për t'i bërë Kosovën e Shqipërinë shtete të forta në fushën e sundimit të ligjit.

Fundja e patriotizmit folklorik

Kështu siç janë aktualisht Shqipëria dhe Kosova, shtete të mbërthyera nga korrupsioni e krimit të organizuar, liderët e të cilave janë të implikuar në kanabis dhe korrupsion, që kanë kapur të gjitha institucionet shtetërore për qëllimet e tyre personale dhe klienteliste, jo vetëm që nuk mund të bëhen asnjëherë pjesë e BE-së, rrezikojnë të mbetën vrimë e zezë në këtë pjesë të kontinentit evropian. Deklaratat joserioze të Ramës e Thaçit, jo vetëm që prishin imazhin e shqiptarëve, pra të Kosovës dhe Shqipërisë, e dëmtojnë rëndë të ardhmen evropiane të të dyja shteteve shqiptare. Shqipëria dhe Kosova pa reforma në drejtësi, pa luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pa zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe stabilitet politik, jo vetëm që do të mbesin edhe për shumë kohë jashtë BE-së, ideja e bashkimit kombëtar në kokat e shqiptarëve do të mbetët vetëm një iluzion i pambarim! Përfundimisht, frazave dhe demagogjive politike të Ramës e Thaçit, jo vetëm që nuk u beson më askush në Shqipëri dhe Kosovë, me deklaratat e fundit qesharake janë zhveshur para opinionit kombëtar si mashtruesit më ordinerë dhe rrënuesit më të mëdhenj të idesë së bashkimit kombëtar, të cilët përveçse e kanë bastarduar skajshmërisht idenë fisnike kombëtare, vendet tona i kanë katandisur në vendet më të padenja dhe të prapambetura në rajonin e Ballkanit. Si pasojë e kësaj katandisje, edhe mërgimtarët shqiptar në vendet evropiane po e pësojnë shkaku i imazhit të lënduar të dy shteteve shqiptare, duke u mbajtur gjithnjë në thumb të shënjestrës për veprimtari të mundshme kriminale. Ajo çka është e keqja dhe tepër e dhimbshme, shkaku i katandisjes së dy shteteve tona (Shqipëri e Kosovë) si pasojë e kapjes nga klanet mafioze dhe kriminale, në mesin e mërgimtarëve ka filluar të bie dashuria ndaj atdheut dhe inspirimi për investime kapitale në vendlindjen e tyre. Kjo paraqet fundin e patriotizmit folklorik të krerëve shtetëror në Shqipëri e Kosovë dhe fillimin e ndërgjegjësimit të subjekteve politike dhe popullatës për një qasje ndryshe ndaj idesë së bashkimit kombëtar.

(Kosova Sot)