Angela Merkel dhe rreziku që Donald Trump paraqet për Evropën

Angela Merkel dhe rreziku që Donald Trump paraqet për Evropën
  • 26 April 2017 - 14:15

Shkruan: Natalie Nougayrède 

Ky ishte paraparë të ishte një takim i rëndësishëm. Angela Merkel, liderja më e fuqishme evropiane, e orientuar kah vlerat, mirëpritja e refugjatëve dhe e njohur për rezistencën ndaj Putinit, përfundimisht u takua me Donald Trumpin, shkatërruesin potencial të Perëndimit dhe të demokracisë liberale. Dallimi nuk do të mund të ishte më i madh, e as rreziqet më të mëdha. Pamë qëndrimin e qetë dhe të përkushtuar evropian, duke u ndeshur me një njeri, injoranca e të cilit rreth çështjeve të jashtme duket e pafundme dhe truri i të cilit duket se është i kufizuar te vulgariteti dhe provokimet. Natyrisht, linjat e betejës ishin vizatuar shumë kohë para vizitës. Gjatë kampanjës së tij, Trump kishte quajtur politikat migruese të Merkelit si "katastrofale". As Merkel nuk i ngeli borxh atij, duke deklaruar se bashkëpunimi me SHBA-në mund të ekzistojë vetëm në bazë të vlerave, të cilat nënkuptojnë respekt ndaj dinjitetit të patjetërsueshëm të njerëzimit, pa marrë parasysh origjinën apo besimin e njerëzve. Pas kësaj ka pasur edhe fërkime të tjera, jo direkte midis tyre rreth tregtisë, tarifave dhe rolit të Gjermanisë në eurozonë. 

Pak gjëra ndodhin në Evropë pa 'izën' e Merkelit

Ndoshta nuk do ta teprojmë po të themi se kurrë që nga Lufta II Botërore, një president amerikan dhe një lider gjerman nuk janë urryer kaq shumë. Bile edhe gjatë problemeve me të cilat ballafaqohej aleanca transatlantike rreth luftës në Irak, në vitin 2003, mosmarrëveshjet midis George W Bushit dhe Gerhard Schröderit ishin menaxhuar me një diplomaci dekorative. Kësaj duhet shtuar edhe dimensionin gjinor. Takimi midis dy liderëve duhej të ishte më i rëndësishmi për marrëdhëniet midis Evropës dhe Amerikës që nga përfundimi i bllokut sovjetik. Pak gjëra ndodhin në Evropë pa 'izën' e Merkelit. Megjithatë, BE-ja është duke kaluar nëpër një rrugë të vështirë edhe pse pretendimet rreth shkatërrimit të saj, deri më tani janë treguar si të tepruara. Projekti evropian ka vështirësi, përkundër kokëdhembjes përçarëse të shkaktuar nga procesi Brexit. Mirëqenia e tij, në mos edhe ekzistimi, do të duhej të kishin rëndësi për SHBA-në, deklaroi Merkel gjatë fjalimit të saj, të mbajtur në Konferencën e sigurisë në Munih, duke vërejtur se BE-ja paraqet 22% të GDP-së globale, SHBA-ja 25% dhe Kina 15%. Ekzistojnë shkarjet globale për të cilat jemi dëshmitarë edhe ne, theksoi ajo. Biznesi është rruga që të çon kah truri i Putinit, gjë që ishte e qartë edhe gjatë vizitës së Merkelit në SHBA. Nuk ka dyshim se Trump është ideja e ankthit të natës së Merkelit, rreth asaj sesi mund dhe duhet të duket një president amerikan. E rritur në bllokun komunist, ajo gjithmonë e kishte parë Amerikën si depo kryesore të vlerave perëndimore. Ronald Reagan, me të cilin ajo ishte takuar në vitin 1991, derisa ishte ministre e re në delegacionin e Helmut Kohlit, ishte simbol i vendosmërisë, i cili e fitoi Luftën e Ftohtë. Në rastin më të mirë, ajo do të donte që ta përmbante armiqësinë e Trumpit ndaj BE-së, me qëllim të neutralizimit të dëmit të cilin ai mund t'ia shkaktojë asaj. Asnjë lider në këtë anë të Atlantikut mund ta bëjë këtë më mirë se Merkel. Kjo do të mbetet një betejë e vështirë. Është evidente se Trump nuk ka haber rreth BE-së dhe ekuilibrit të tij kompleks të demokracive të zgjedhura, të sovranitetit të ndarë në emër të paqes dhe demokracisë - fjalë të cilat ai rrallë i përdorë. BE-ja thjesht nuk përshtatet me parullën e tij "America-first". Dhe, ai është në tërësi i helmuar nga ideologjia e njeriut të tij kryesor, Steve Bannon. E tëra ajo që sheh Trump është një entitet mbinacional, dominues dhe represiv. Në janar Merkel i dha fund nevojës që t'i jepte Trump-it shpjegime rreth Konventës së Gjenevës për refugjatë. Detyra e Merkelit, përderisa do të mbetet në postin e kancelares gjermane, do të jetë që t'ia mësojë Trumpit mësimin "Europe 1.0".

Aleanca duket e sigurt tani për tani

Ekziston një arsye e thjeshtë për këtë: pa një fat të përbashkët demokratik evropian Gjermania thjesht nuk mund të veprojë me efikasitet. Shtyllat kryesore të saj në aspektin e politikës së jashtme janë strukturat euroatlantike, bashkë me tregtinë e hapur të mundë- suar nga sigurinë të cilën e ofrojnë ato. Të paktën deri më tani, Trump nuk ka bërë asgjë për ta shpërbërë NATO-n, e as për dobësimin e planeve për rritjen e sigurisë në lindje. Aleanca duket e sigurt tani për tani. Gjatë përgatitjes së vizitës së Merkelit në Uashington, burimet në Berlin kishin përmendur edhe ndikimin negativ të Brexitit që kishte pasur në qarqet e afërta me Shtëpinë e Bardhë të re, sidomos te fondacioni djathtist "Heritage". Dihen simpatitë e vjetra të Nigel Farage-it me presidentin aktual amerikan. Por, më pak ishte i njohur fakti që tipat si Daniel Hannan dhe konservatorët tjerë britanikë, me qëndrim kundër BE-së, kishin kohë që flirtonin me të djathtën ekstreme të Amerikës. Nga pikëpamja gjermane, ky soj toksik i "marrëdhënieve të veçanta" paraqet rrezik për Evropën. Ai nuk ka të ngjarë që t'i lehtësojë negociatat e Britanisë me BE-në e as ta forcojë vullnetin e mirë që mund të mbetet në kontinent. Bindja e Trump-it se BE-ja është duke vdekur dhe se Brexiti është vetëm gërhitja e saj e parë, mund të bie ndesh me realitetin e fleksibilitetit evropian. Mposhtja zgjedhore e politikanit holandez të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, mund t'i ketë ndihmuar Merkelit që ta bartë mesazhin. Tanimë ka pasur disa tentime për ta kundërshtuar propagandën Brexit në Uashington. Zyrtarët gjermanë kanë biseduar me zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence, duke i bërë presion atij që ta bëjë Trump-in që të thotë diçka pozitive rreth BE-së, në vend që të vazhdojë me njollosjen e saj. Trump më pas deklaroi për "Reuters": "Jam tërësisht në favor të BE-së". këto fjalë zor se mund të merren si siguruese. Dhe, në konferencën e tij të shtypit me Merkelin, Trump thuajse nuk e përmendi aspak BE-në. Është vështirë të merret vesh ndikimi të cilin Trump mund ta ketë te BE-ja. Ndoshta presidenti i ri amerikan është aq i pështirë për evropianët, saqë ata do ta gjejnë një rrugë të re që të lidhen me njëri-tjetrin. Por, nuk ka dyshim se Merkel e sheh si përgjegjësi të veten detyrën për shpërndarjen e rrezikut eurofobik që vjen nga Uashingtoni. Ajo çka mori ajo nga Trump-i publikisht, ishte një pranim i "vlerave të përbashkëta" dhe "të drejtën e popujve të lirë që ta menaxhojnë fatin e tyre". Shumë shpejt do ta dimë se çka arriti ajo të bënte në prapaskenë. 

(Kosova Sot)