Populizmi i mirë e mundi atë të keqin

Populizmi i mirë e mundi atë të keqin
  • 27 April 2017 - 10:15

Shkruan: Cas Mudde 

Autoritarizmi dhe nativizmi ishin fituesit e vërtetë të zgjedhjeve në Holandë 

Nëse mund t'iu besojmë medieve botërore, atëherë javën e kaluar elektorati guximtar holandez mposhti populizmin duke mos pranuar ofertën që ia kishte bërë Partia e Lirisë (PVV) e "Trump-it holandez", Geert Wilders. Se a është ky vetëm një fenomen holandez, apo mos populizmi në përgjithësi ka filluar të bjerë, tani duket se është bërë temë e re e spekulimeve edhe pse disa analistë thjesht e kanë zhvendosur vëmendjen e tyre në Paris, për ta aplikuar analizën e njëjtë edhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale franceze. Zgjedhjet në Holandë asnjëherë nuk ishin për fitoren, apo humbjen e populizmit. Me vite të tëra anketat kanë treguar se, partia më e madhe në vend - qoftë ajo PVV, apo Partia popullore për liri dhe demokraci (VVD) e kryeministrit, Mark Rutte - në rastin më të mirë do të merrnin çerekun e votave, me gjasë edhe më pak dhe do të ishin të detyruara t'ia fillonin procesit të vështirë të ndërtimit të koalicionit qeveritar, të përbërë prej 4-5 partive. Edhe sikur PVV të ishte përfshirë në këtë koalicion (përkundër asaj që të gjitha partitë e tjera e kanë mohuar një mundësi të tillë) ajo do të ishte partia e vetme populiste në qeveri. Kjo zor se do të mund të konsiderohej fitore për këtë fenomen. 

"Beteja ballë për ballë" midis Ruttes dhe Wilders-it

Gjithmonë kanë ekzistuar dy zgjedhje holandeze: njëra në mediat ndërkombëtare, ku këto zgjedhje janë përshkruar si përsëritja më e re e luftës midis populizmit të trimëruar dhe establishmentit të sulmuar; si dhe zgjedhjet e tjera, në mediat holandeze, të cilat përpiqeshin ta kapnin gamën e plotë të zhvillimeve politike, duke përfshirë edhe paraqitjen e disa partive të reja populiste-radikale të së djathtës (sikur FvD dhe VNL), rritjen e suksesit të partive kozmopolite (D66 and GL), ngritjen e partisë "turke" (DENK), si dhe rrënimin e pashmangshëm të socialdemokratëve (PvdA). Thënë të drejtën, "beteja ballë për ballë" midis Rutte-s dhe Wilders-it, ka kohë që ka dominuar edhe në pjesën më të madhe të mediave holandeze. Kryeministri Rutte bëri një përpjekje për ta prezantuar veten si politikanin e vetëm që mund ta pengojë ardhjen e Wildersit në pushtet, edhe pse duke përmendur më shumë politikën e tij "të papërgjegjshme dhe joserioze", sesa populizmin. Në fakt, natën e zgjedhjeve Rutte mbajti fjalimin e tij fitues, duke thënë se Holanda kishte ndalur "llojin e gabuar të populizmit", duke bërë me dije se ekziston edhe lloji i mirë i populizmit dhe duke sugjeruar se ai është përfaqësues i tij. Gjithkush në Holandë e di se Wilders, njëri ndër politikanët me karrierën më të gjatë në vend, angazhohet për nativizëm, autoritarizëm dhe populizëm. Kjo në përgjithësi është agjenda e njëjtë që mbështetet edhe nga politikanët si Marine Le Pen (FN) në Francë, Frauke Petry (AfD) në Gjermani dhe nga Donald Trump në SHBA.

Një anti-islamist i përbetuar

Dallimi i vetëm midis Wildersit dhe vëllezërve e motrave të tij ideologjike, ka të bëjë me qëndrimin e tij të pakompromis ndaj islamizmit, gjë që e ngrehë islamofobinë në një nivel tërësisht të ri. Gati gjysma e manifestit të tij zgjedhor, me titull "Holanda përsëri e jona", i ishte kushtuar "deislamizimit" të vendit dhe përfshinte propozimet për mbylljen e të gjitha xhamive dhe shkollave islame, si dhe ndalimin e Kuranit. Rutte nuk është politikani i vetëm tradicional i cili sugjeron se populizmi "i keq" mund të mposhtet vetëm nga "populizmi i mirë". Ky qëndrim është i përhapur edhe në radhët e partive socialdemokrate në Evropë, duke përfshirë edhe Partinë Laburiste në Britani. Në të shumtën e rasteve, kjo duket ta nënkuptojë një formë paksa më të lehtë të populizmit, por edhe të autoritarizmit dhe nativizmit. Dhe, në zgjedhjet holandeze, kampanjat e dy partive kryesore djathtiste, demokristianëve CDA dhe konservatorëve VVD, karakterizoheshin gjithnjë e më shumë nga autoritarizmi dhe nativizmi. Liderët e të dy këtyre partive pretendonin të mbronin vlerat "holandeze", apo edhe "kristiane" kundër rrezikut të supozuar nga islamizmi dhe myslimanët, por edhe nga laikët e krahut të majtë. Edhe pse shumica e holandezëve preokupim kryesor e kishin kujdesin shëndetësor dhe shtetin e mirëqenies sociale, lideri i CDA-së, Sybrand Buma dhe kryeministri Rutte, mbronin traditat 'e krishtera' sikur vezët e pashkëve dhe pemët e Kërshëndellave, si dhe traditat raciste, si "Zwarte Piet". Për më tepër, Rutte sugjeronte se ekzistojnë njerëz të mirë holandezë dhe holandezët "në provë", respektivisht ata me prejardhje myslimane, duke apeluar te këta të fundit që "të silleshin në mënyrë normale", apo të "iknin" (se ku duhej të shkonin ata, mbetet e paqartë). Duke pasur parasysh se koalicioni i ardhshëm qeveritar sipas të gjitha gjasave do të udhëhiqet përsëri nga Rutte, dhe në qendrën e tij do të ketë partitë CDA dhe VVD, shtrohet pyetja se çfarë domethënieje do të ketë në të vërtetë "humbja" zgjedhore e Wildersit. Nëse dallimi midis populizmit "të mirë" dhe atij "të keq" thjesht ka të bëjë me intensitetin, apo shkallën, respektivisht sa autoritar dhe nativist është ai, apo ky, atëherë duket se, megjithatë, Wilders do të jetë ai që do të qeshet i fundit. 

(Kosova Sot)