Fillimi i vdekur, ende pa lindur

Fillimi i vdekur, ende pa lindur
  • 30 April 2017 - 07:58

SHKRUAN: FATON MEHMETI

Kohët e fundit kryetari i Kuvendit, njëherësh edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka nisur fushatën, edhe pse jo zyrtarisht. Ai në të gjitha tubimet "këshilluese" po përdor sloganin "për një fillim të ri". Si togfjalësh, por edhe si koncept tingëllon shpresëdhënës sikur ta thoshte dikush tjetër, dikujt të cilit vërtet i ka hije fjala. Kur e dëgjon këtë slogan nga Veseli përveçse nuk i besohet aspak, është edhe mjaft neveritëse në konceptin e moralit të politikës dhe shoqërisë. Shoqëria e mungesave të mëdha prodhon prototipa të Kadri Veselit, të cilët përveçse me biografi të errët tejshkojnë aq lart sa mbajnë edhe leksion për moral dhe shtet të së drejtës. Në thelbin e tyre shoqëria shpërfytyron të drejtin, njeriun e ndershëm duke ngritur në piedestal individë të dhunshëm, agresivë dhe të pamoralshëm, deri edhe te kriminelët. Parashtrohet pyetja Si arritëm deri këtu?, të katandisemi aq shumë sa një shtresë fundërrina të na vrasin shpresat, ku çdo ditë abortojmë shpresat se këtu mund të jetosh i ndershëm.

Fillimi i ri, me koncept të vjetër

Si mund të lindë diçka që ka vdekur moti, me njerëz si Kadriu që kanë zhbërë këtë shtet dhe shoqëri deri në palcë. Këta që kanë vjedhur jo vetëm paratë, por edhe ëndrrat tona, si mund të lindë diçka nga këta, në fakt mund të lindë çdo gjë por jo shpresë, dinjitet dhe shtet të së drejtës. Më dhemb ta kujtoj të vërtetën e hidhur, që një shoqëri që nderon kriminelët ajo s'mund të ketë të ardhme të ndritur. Fillimi i ri me koncept të vjetër, me njerëz që kanë rrënuar ekonominë, që kanë bërë popullin shqiptar më të varfrin dhe me të izoluarin jo vetëm në Evropë, me njerëz që Kosovën e kanë shndërruar në vendin më të korruptuar në Evropë dhe me jo vetëm, aty ku krimi lulëzon e kriminelët enden të lirë ndërsa çlirimtarët e vërtetë ose janë në varre ose mbi varr të vdekur për së gjalli, ky është mision për të vjedhur edhe më shumë popullin. Nuk dyshoj se militantët që sollën këta harbutë në pushtet edhe do të vazhdojnë t'u besojnë, t'i votojnë edhe t'i trajtojnë edhe si heronj, por asnjëherë qytetarët e vërtetë të Kosovës që janë mbi 65 % që nuk votojnë në zgjedhje, asnjëherë s'do të jenë të përfaqësuar as nga Kadri Veseli dhe as nga prototipat si ai. Ata që gënjejnë dhe plaçkitin çdo gjë që munden, Kosovën e shikojnë si kazermë të boshatisur, aty ku lukuni mjeranësh grabisin çdo gjë.

Këtu është e vështirë të jetosh me parime dhe nder

Kadriut edhe mund t'i realizohet dëshira për t'u bërë kryeministër i Kosovës, këtu çdo gjë mund të ndodhë, mjafton të kesh dëshirë edhe mos të jesh i ndershëm. Të keni pas disa servilë, injorantë dhe kriminelë, që kërcënojnë çdo njeri që nuk i përkrah. Këta banditë nuk mund t'ia sjellin vendit "fillimin i ri", Kosova po vazhdon të lëngojë nga këta maskarenj. Këtu është e vështirë të jetosh me parime dhe nder, në një vend ku krimi ka kapluar çdo gjë, ku çdo gjë shitet dhe blihet, ku s'ka parime, por pazare. Kadriu ka vrarë ëndrrat tona, "nisja e re" s'mund të jetë për ne, dhe as me ata që kanë rrënuar që 17 vjet këtë popull martir. Kosova një ditë do ta ketë "fillimin e ri ", vetëm atëherë kur Kadriu dhe klani i tij të jenë aty ku e kanë vendin, përpara drejtësisë.

(Kosova Sot)