Ja s'i duhet të votojnë shqiptarët

Ja s'i duhet të votojnë shqiptarët
  • 14 May 2017 - 08:05

SHKRUAN: FATON MEHMETI

Për shkak të tranzicionit të zgjatur, shoqëria shqiptare ndodhet në një situatë pa rrugëdalje, mbase për shkak të mungesës së vetëdijes. Vetëdija është një shkallë e lartë e zhvillimit social - kulturor të individit dhe shoqërisë. Individi i vetëdijshëm është në gjendje të marrë përgjegjësitë dhe detyrat e tij në shoqërinë ku jeton, dhe shoqëria e vetëdijshme, është në gjendje të përcaktojë vendin dhe kufirin e lirive dhe detyrimeve të individit. Individi i vetëdijshëm, është në gjendje ta kuptojë veten si pjesë e shoqërisë. Njeriu ynë ndodhet tashmë në gjendje kapitullimi përballë realitetit në të cilin është pjesë, herë si viktimë, ndodh edhe si hero. Si rezultat i mendësisë arkaike, refraktare pa vetëdije shqiptari i Kosovës është shndërruar në servil të politikës. Marrim shembull procesin e votimit, shqiptarët nuk janë të prirur për të marrë atë për të cilën votojnë, dhe vazhdimisht i votojnë të njëjtit njerëz, edhe pse përveç gënjeshtrave asgjë nuk iu ofrojnë votuesve. Votuesi shqiptar për këto vite ka votuar për vetë-skllavërimin e tij, mjerimin dhe izolimin nga bota. Votuesit e tillë iu mundësojnë matrapazëve qëndrimin në pushtet, por nëse është një intelektual kritik e kurajoz për sëmundjet e shoqërisë ose do t'i ofrohet ndonjë copë e majme nga njerëzit me pushtet ose ndonjë llokum dinamiti. Rasti, fatkeqësisht më i freskët i Arbana Xharrës, politika duke e margjinalizuar e "detyron" t'i ofrohet.

Proceset shoqërore kurrë nuk janë konsistente\

Për shumë prej shqiptarëve të sotëm, bota mbaron te shkallët e apartamentit, ose edhe më keq, mbas derës së tij, dhe kjo vjen si shkak i izolimi nga bota. Shqiptarët ende janë popull patriarkal dhe tradicional. Përpjekjet për t'i shpjeguar proceset shoqërore të dominimit përmes kategorive psikike, janë përpjekje që nuk i kontribuojnë ndriçimit, por errësimit të këtyre proceseve shoqërore. Pikësëpari, proceset shoqërore kurrë nuk janë konsistente, gjithëpërfshirëse. Patriarkalizmi, për shembull, mëton ta gjejë shkakun e padrejtësive, diskriminimit. Shqiptarët vazhdojnë të varfërohen, si pasojë e keqqeverisjes. Ndërkohë që sot, të dhënat zyrtare për situatën ekonomike po na injektohen me doza optimizmi, realiteti i familjeve shqiptare është i pashpresë. Rritja ekonomike e pretenduar nuk po prodhon as punësim, as të ardhura dhe për më keq kjo rëndon në familjet me të ardhura të ulëta, duke vështirësuar jetesën dhe duke rritur hendekun ekonomik e social.

Një popull që fle, edhe vdes

Në një analizë më të thellë, edhe brenda partive politike kryesore duket të reflektohen mentalitete autokratike, borgjeze, prepotente e komuniste, ashtu sikurse është e qartë se ato nuk pasqyrojnë filozofinë politike përkatëse. Pas prishjes se koalicionit, situata e tensionuar politike, natyrisht intensifikon në sasi, por edhe përmbajte taktikat elektorale që do të përdoren në zgjedhjet e afërta, çka parathotë se fushata elektorale, e cila ka nisur, nuk do të jetë mbresëlënëse, por edhe agresive. Derisa shqiptarët nuk e konceptojnë votën si besim dhe kthimin e besimit në shërbim, dhe kur nuk ndodh kjo të ndëshkohet me votë, vështirë të priten ndryshime. Nuk duhet pasur frikë nga ndryshimet, një popull që fle edhe vdes, ne duhet të tregojmë se jemi të zotët e këtij vendi. Votoni, por me mend, mos hedhni votën kot.

(Kosova Sot)