Hipokritët e LDK-së

Hipokritët e LDK-së
  • 14 May 2017 - 18:09

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Hipokrit, është individi që shtiret sikur është i mirë me qëllim që të gënjej të tjerët, përkatësisht ata që mbajnë standarde të dyfishta, e cila në kulturën popullore quhet “dyfytyrësi”. Të gjithë ata ose ato që shtiren se iu dhemb zemra për LDK-në, por i thoshin “mashallah”  punës së Isa Mustafës, janë hipokrit të cilët bindjet e tyre i fshehin sa për të mbetur në Listat Zgjedhore.

Tashmë hipokrizinë, si dukuri, e ndeshim si platformë politike që po e zbaton LDK-ja që prej sa vitesh.  Këtë hipokrizi e zbatuan edhe deputetët e LDK-së të kësaj legjislature, veprimet e tyre kanë zhgënjyer të gjithë. Kur ra “Qeveria Mustafa”,  deputetëve të LDK-së iu doli hipokrizia në sipërfaqe, sepse të mos e votosh “Qeverinë Mustafa”, në fillimet e saj, dhe të shtirësh vazhdimisht kundërshtar i saj, ndërsa në ditën e fundit të bësh përpjekje për ta mbrojtur, është hipokrizi e llojit të vet, dhe veprim mjaftë i ulët për një shoqëri që pretendon se po ndërton sistem demokratik.

Asnjë nga deputetët e LDK-së nuk mori guximin për të dalë në foltore, dhe nga aty t’ia numëronte gabimet dhe dështimet shefit të tyre Isa Mustafa. Ti tregonte atij se me metodologjinë e vetëqeverisjes socialiste nuk shkohet edhe në kohë demokracie. T’ia numëronte të gjitha dështimet, humbjen në Prishtinë, t’ia përmendte 72 akuzat për qeverisje të keqe, shkeljet kushtetuese, skandalin me përzënien e popullit për të kamufluar dështimin, loja me asociacionin dhe demarkacionin etj.

LDK-ja nuk ka një hero të demokracisë

Atë ditë LDK-ja nuk pati asnjë Hero Demokratik i cili do t’i thoshte Isa Mustafës se kam qenë kundër kësaj qeverisjeje, prandaj do ta votojë Mocionin, për rrëzimin e këtij koalicioni të panatyrshëm, dhe nga aty ta ftonte Isa Mustafës, që menjëherë pas rënies së qeverisë, të jepte dorëheqje edhe nga LDK-ja, bashkë me kryesinë e partisë dhe  3/4, e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.  

Por të qenit hipokrit, nuk është gjë tjetër vetëm qëndrimi me dy fytyra, ngreh e mos shkëput, dhe këtë e kanë dëshmuar deputetët e LDK-së, të cilët pa përjashtim shanin partnerin e koalicionit qeverisës, për prishje të marrëveshjes, ndërsa në anën tjetër deri dje e kanë lavdëruar këtë koalicion, duke bërë përpjekje për ta mashtruar edhe popullin siç mashtruan e tradhtuan anëtarësinë dhe elektoratin e tyre kur e kanë bërë koalicionin. Por për fat të keq LDK-ja nuk ka personalitete të dinjitetshme për ta nxjerr nga kriza. Çdo përpjekje e tanishme për të bërë mirë dhe për ta shpëtuar LDK, është  një hipokrizi i standardit më të ulët që kanë aktivistët e LDK-së. 

Më krye hipokriti u tregua Anton Quni

Por më krye hipokriti në këtë seancë u tregua Anton Quni, i cili foli për shokët e luftës duke e lavdëruar qeverisjen e Isa Mustafës, që ishte shkaktari kryesor i dështimit të qeverisë. Anton Quni, le që nuk ka folur kurrë për bëmat e shokëve të tij, por as nuk ka pasur guxim t’i thotë këto gjera në fillim të këtij mandatit,  çuditërisht i tha në ditën e fundit. Madje ai harroi se Rugovizmi nuk toleron akuza, vulgarizim dhe nuk duron as perversitet. Si duket ky ishte vetëm një skenar i SHIK-ut, i UDB-ës dhe i KOS-it, për ta shpëtuar Isa Mustafën, ky veprim duhet të jetë vetëm lojë e  kurdisur përmes hipokritëve që shprehnin hipokrizi. Ndërsa hipokritet e rrjeteve sociale, militantët nuk pranin duke  madhëruar diskutimin e Anton Qunit i cili tërë atë sakrificë e bëri për ta shpëtuar Isa Mustafën, prandaj këtu del në pah një hipokrizi e llojit të vet, sepse gjenerali u sakrifikua për shefin e jo për demokracinë, ku na bënë për të dyshuar se ai shpreson të jetë vazhdimësia e nëntokës për ta shkatërruar LDK-në.

Niveli akademik

Tendenca për ta vrarë e poshtëruar nivelin akademik ka zënë vend në qeverisjen e LDK-së.  Si ka mundësi që FG të LDK-së ta udhëheq një kuadër vetëm me shkollë të lartë, dhe atë nuk dihet si e ka kryer, dhe të injorohet gruaja e LDK-së me grada të larta akademike, profesoreshat e universiteteve dhe shkencëtarët e kësaj partie. Prandaj Isa Mustafa ka përgjegjësinë edhe për nivelin kadrovik, qoftë në qeveri, kurse në LDK, komplet kryesia është mbushur me analfabet, fshatarë të cilët kanë stazh nëpër universitete nga një çerek shekulli, me një fjalë, gjysmak të cilët ia kanë devalvuar vlerën akademike LDK-së. Nëse Isa Mustafa e bënë edhe këtë veprim, duke e zbritur nivelin akademik me fakultetlinjë nga akademitë dhe institucionet serbe, do të zbulon fytyrën e tij se është në krye të misionit për ta shkatërruar LDK-në.

Imitimi i “Pronto” skandalit

Pas skandalit “Pronto”, Adem Grabovci dha dorëheqje nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe me kaq u mbyll ai skandal, ndërsa Garbaovci e vazhdoi punën e tij, edhe si deputet por edhe si punëdhënës i Kompanisë “Pronto”. Tash Isa Mustafa ka paralajmëruar se nuk do t’i prij Listës Zgjedhore dhe nuk e paska ndërmend të synojë postin e Kryeministrit. Nga hipokritet u cilësua si reformë e brendshme partiake, por ai la për të kuptuar se do të vazhdojë shkatërrimin e partisë, në njërën anë dhe në anën tjetër për t’u siguruar se LDK-në po e lë në duar të sigurta(?!), nëse ka frikë nga e ardhmja e tij mjaftë e pasigurt!

Punësimi dhe hipokrizia e ministrit Abrashi

Ministri Arban Abrashi dhe komplet kabineti i Qeverisë Mustafa, karshi popullit janë treguar hipokrit, sepse nuk e kanë ulur papunësinë, përkundrazi ajo është shtuar, ndërsa ajo që është thënë duket të jetë gënjeshtër e pakripë. Kalkulimi i hipokritëve nga fusha e ekonomisë dhe mirëqenies sociale vazhdimisht kanë thënë se kanë bërë punë të mëdha. Por, nëse tregut të punës në Kosovë, për çdo vit i shtohen 120.000 veta, ndërsa Arban Abrashi për tre vitet e tij i paska punësuar vetëm 50.000 veta, i bie diku më shumë se 15.000 veta në vitin kalendarik, atëherë del qartazi hipokrizia e mashtrimit, pasi për të llogaritur këtë raport nuk duhet ndonjë përgatitje e lartë akademike.

Korrupsioni dhe deklaratat hipokrite se ai qenka frenuar

U tha se kjo qeveri e ka ndalur korrupsionin çka nuk është e vërtetë fare. Një pjesë e madhe e pasurisë së Kosovës tashmë dihet se është shitur prandaj aty s’ka më korrupsion. Ndërsa për korrupsionin mund të flasin të gjithë qytetarët që kanë pasur nevojë për shërbime shëndetësore, ata duhet t’i pyesim. Pastaj për korrupsionin në drejtësi mund të flasin vetëm ata që kanë pasur nevojë për trajtim drejtësie. Për korrupsionin në administratën publike mund të flasin të gjithë qytetarët që kanë pasur nevojë për rregullimin e dokumentacionit, veçmas ata të cilët kanë pasur nevojë për të bartur pronësitë dhe pasurit e patundshme. Po më mirë le të pyeten bizneset dhe veprimtaritë ekonomike, se ata mund të flasin për nivelin e korrupsionit, e në asnjë mënyrë nuk duhet të flasin ata që kanë ndarë gjahun me zyrtarët e korruptuar. Të mos zgjatemi... sepse asgjë e mirë nuk bëhet me hipokrit të cilët udhëheqin me vendin tonë në mënyrë hipokrite – të rrejshme.

Antiamerikanizmi si hibrid i patriotizmit

Për të udhëhequr LDK-në po lakohen emra për të cilët janë përfolur skandale dhe veprime të papranueshme. Dosjet e caktuara, tradhtitë për shokët e luftës, tradhtitë për shokët në paqe, dhe ata që kanë tradhtuar LDK-në. Në këtë plan veçohen ata të cilët në LDK kanë hyrë me revolucionin antidemokratik të vitit 2007. Por përveç shkatërrimit të LDK-së dhe të largimit të saj nga shtrati i Rugovizmit dhe i tolerancës që ka pasur LDK-ja, këta sojnik kanë prodhuar urrejtje, vulgarizim dhe perversitet të pashembullt, ndërsa më e keqja është se sot në LDK po kultivohet një lloj hibridizimi antiamerikan i kamufluar me patriotizëm jugosllav. S’ka se si ndryshe kur madhërohen studentet e dal nga universitetet jugosllave, disa të tjerë janë përfolur se kanë qenë pjesë e sistemit të shërbimit sekret serb siç ishin UDB-a, KOS-i e tjerë, të cilët si duket do të rreshtohen në vendet e dukshme të listave zgjedhore, me rrezikun permanent edhe për t’i prirë procesit zgjedhor, do të prodhojnë hibridizimin më të mundshëm antiamerikan, i cili ka për qellim, LDK-në ta largoj sa ma shumë nga interesi amerikan. Ku ka ma antiamerikanizëm se sa në Listat Zgjedhore të LDK-së të defilojnë emra për te cilët është thënë se kanë lidhje me organizata ekstreme ose për kandidat për të cilët është folur se janë të implikuar për krime, fajde e biznese të dëmshme, madje edhe emrat e atyre për të cilët është thënë se para tre-katër vjetësh amerikanët nuk i kanë lënë për t’u avancuar në funksione të larta politike.

Isa Mustafa, vet duhet të largohet nga LDK-ja, ta shpërbëjë Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm, ta mandatojë një ushtrues detyre që ka gradën ma të lartë akademike dhe të jetë jashtë të gjitha strukturave të tanishme të LDK-së, i cili ka qenë pjesë e pandashme e zhvillimeve politike në LDK, dhe do të mund t’i afroj më mirë grupet dhe klanet e frustruara.

Prof. dr. Rexhep Gjergji, është një personalitet unifikues për ta shpëtuar LDK-në

Nëse LDK-ja dëshiron të dal nga kriza në të cilën e ka futur Isa Mustafa, ky e ka për detyrë ta nxjerr veten nga kriza dhe ta shpëtoj LDK-në. E kjo nuk bëhet me arnime as me fjalime patetike e patriotike të atyre që e kanë një të kaluar mjaftë të dyshimtë. Prandaj Isa Mustafa do të ishte mirë ta emëronte ushtrues detyre prof.. dr. Rexhep Gjergjin, njërin nga themeluesit e LDK-së, i cili ka udhëhequr me sektorë të ndjeshme në periudhat ma të vështira që ka kaluar LDK-ja, dhe i njeh ma mirë se kushdo tjetër zhvillimet politike në Kosovë, veçmas ato brenda LDK-së.

Prof. dr. Rexhep Gjergji, për momentin është figura ma unifikuese për ta shpëtuar LDK-në, sepse ai do t’i lidhte gjeneratat ma mirë se kushdo tjetër, sepse ai do të ishte e vetmja urë e kohërave dhe etapave nëpër të cilat kaloi LDK-ja, sepse ai do të ishte gjeneratori kujdestar për ta ruajtur traditën e themeluesve dhe do të kishte mundësi për ta bartur udhëheqjen e partisë tek një gjeneratë të cilën vet ai e ka shkolluar dhe e ka emancipuar dhe do të kishte mundësi për ta kthyer vlerën akademike në LDK.

Thirrje morale për Isa Mustafën

Kryetari i LDK-së duhet të reflektojë në këto rrethana sepse kudo në demokraci funksionale, rënia e qeverisë e vë përpara përgjegjësisë kryetarin e partisë i cili pa asnjë hezitim duhet të shkojë. Kjo thirrje publike është këshillë morale për të kuptuar Isa Mustafa se është dashur me i pranuar kritikat që i vinin nga veteranët e LDK-së. Sepse po të kishte qenë më komunikativ kurrë nuk do të kishte ardhur deri në këtë deregje, andaj ai duhet t’i kthehet arsyes dhe kësaj radhe të veproj me mençuri. Ta mandatojë menjëherë për ushtrues detyre prof.dr. Rexhep Gjergjin, i cili ruan nivelin akademik dhe vazhdimësinë në parti, por në asnjë mënyrë të mos bëjë ndryshime kozmetike, sepse ato i kthehen LDK-së dhe vet atij si bumerang. Isa Mustafa, tashmë duhet të kuptojë se asnjë veteran i LDK-së nuk ka dashur ta shohë Isa Mustafën në këtë qorrsokak, pasi ata nuk kanë dashur kurrë ta varrosin punën e tyre. Pra duke e dashur LDK-në është mbrojtur ma së miri Isa Mustafa, andaj nëse kurrë Isa Mustafa nuk e ka parë veten ku ka rënë, kësaj radhe duhet ai të këndellet dhe të reflektojë pozitivisht karshi zhvillimeve politike që ia ndërruan atij kahen e veprimit brenda një dite. 

Isa Mustafa, duhet të jap dorëheqje nga LDK-ja,  jo për mua, por për hirë të proceseve, për hir të vetes dhe për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë të përbashkët!

St. Gallen, 14.05.2017

(Kosova Sot)