Partitë politike, në ethet zgjedhore

Partitë politike, në ethet zgjedhore
  • 15 May 2017 - 08:33

Shkruan: Reshat Sahitaj

Metodat për ta manipuluar masën

Politika kosovare ka nevojë për një elitë, e cila nuk duhet të thirret në emër të luftës, as në emër të Ibrahim Rugovës e as në familjarizëm e klane mafioze, por duhet të thirret në emër të zhvillimit ekonomik dhe gjeneratave të reja t'u lejohet hapësirë. Ka kaluar koha e patriotizmit folklorik, sot patriotizëm është zhvillimi i Kosovës e jo nxitjet për luftë

Zgjedhjet e rregullta ose të jashtëzakonshme janë një lloj stimulimi për aktivizim qe nga krerët e deri të militantët e fundit, të cilët angazhohen më tërë forcat e tyre për ta përvetësuar numrin më të madh të elektoratit. Ethet zgjedhore i kapin të gjithë liderët pa përjashtim, të cilët janë të shqetësuar qe nga dita e parë e shpalljeve e deri në momentin e rezultateve. Liderët dhe stafet e tyre përdorin të gjitha mjetet dhe metodat për ta manipuluar masën se ata janë më të mirët se kundërshtari i tyre, e në fakt të gjithë pa dallim e kanë vazhdimësinë e mandatit të tyre dhe përmirësimin e gjendjes materiale personale, si dhe ruajtjen e jetës luksoze nga privilegjet shtetërore.

Si krijohen liderët?

Në kushte të okupimit janë personalitete të ndryshme intelektuale të cilët rebelohen më sjellje, veprime dhe shkrime kundër gjendjes okupuese, nga të cilët disa vriten e disa burgosen e kur numri i tyre zgjerohet disa mbetën gjallë. Ata që vdesin shndërrohen në martirët e parë, të burgosurit në simbol të qëndresë e të mbijetuarit në liderë. Si ilustrim për këtë mund të marrim shembull Jusuf Gërvallën, Enver Hadrin e Enver Maloku të cilët u vranë nga shërbimet sekrete të Serbisë, në anën tjetër e kemi Adem Demaçin, i cili u shndërrua në simbol të rezistencës, ndërsa në kategorinë tjetër ishte Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja të cilët me shkrimet e tyre kundër krijuesve të "Francuska 7", u shndërruan në liderë të pakontestueshëm të popullit gjatë viteve 1981-1999. Ngritja e zërit kundër sistemit okupues ishte koha më e vështirë ku secili liderë dhe secilit aktivist i rrezikohej jeta e tij dhe e familjes në çdo çast. Çdo veprimtar e veprimtari gjatë kohës së okupimit konsiderohet si koha e artë e zgjimit të vetëdijes kombëtare dhe përgatitjes psikologjike për luftë çlirimtare. Gjatë viteve të fundit të luftës liderët ishin anonim për shkak të fshehjes se tyre pas nofkave, mirëpo me daljen e tyre publike në liderë u shndërrua Rexhep Selimi e më vonë Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj që më vonë vargu i liderëve të luftës u shtua paskajshëm deri në devalvim duke i fabrikuar biografitë e tyre dhe të tjerëve. Nga çlirimi e deri në shpalljen e Pavarësisë më 2008, për shkaqe konkurrence u vranë një numër i madh intelektualësh, për të cilët ende nuk u zbardhën këto vrasje se u bënë nga vetë partitë e tyre apo nga ato kundërshtare.

Pas pavarësisë u shtua numri i liderëve

Pas çlirimit të Kosovës dhe vrasjeve të shumë intelektualëve tanë për t'i eliminuar nga skena e konkurrencës, skena politike kosovare mbeti e zbrazët me vdekjen e Ibrahim Rugovës, me eliminimin djallëzor të Adem Demaçit nga jeta politike dhe me propagandën sistematike kundër Rexhep Qosjes. Nga ky vakum, partitë tona politike e filluan luftën e brendshme për pushtet, të cilat u klasifikuan si krahu i luftës dhe ai pacifist. Krahu pacifist thirret në vlera dhe trashëgiminë e Ibrahim Rugovës, e që në fakt nuk kanë asgjë të përbashkët me të, por i eliminuan nga konkurrenca e brendshme aktivistët e devotshme të krahut të tyre. Krahu i luftës thirret në vlerat e luftës, por që pjesa dërmuese e tyre nuk kanë të bëjnë asgjë me luftën, e nga skena politike i injoruan dhe larguan nga skena politike aktivistët e vërtetë duke iu dhënë hapësirë individëve me biografi të fabrikuara. Nga këto eliminime të aktivistëve të ditëve të vështira që ndodhën në dy krahët, u lirua skena politike duke e krijuar një shtresë të politikanëve të korruptuar e të paskrupullt, nga të cilët Kosova u shndërrua në një vend mafiozësh, ku më askush nuk kujdeset për zhvillimin dhe përmirësimin e gjendjes së popullit. Liderët politikë, për interesa të tyre i privatizuan partitë dhe pavarësisht numrit të votave të kandidatëve të tyre, ata deputetët dhe ministrat e emërojnë sipas dëshirave të tyre duke i zgjedhur më të dëgjueshmit dhe më zvarranikët, të cilët pakkush në mesin e tyre do të merrte guximin t'i kundërshtonte. Nga kjo shtresë politikanësh, Kosova e humbi prestigjin dhe kredibilitetin në skenën botërore e bota e civilizuar ta konsiderojë Kosovën si vend ku lulëzojnë: krimi i organizuar mafiozo-politik, prostitucioni, droga, korrupsioni … Liderët e luftës në asnjë vend të botës nuk shquhen për politikë të mirëfilltë, madje në SHBA me ligj u ndalohet të jenë ministër i mbrojtjes. Në Kosovë është e kundërta, ish-komandantët merren me politikë dhe i kanë futur familjarët e tyre kudo në struktura të shtetit. Komandantët e gjeneralët, si dhe luftëtarët nuk kanë njohuri diplomatike për të udhëhequr një shtet, sepse ata janë profilizuar gjatë luftës që të veprojnë dhe të vendosin shpejt për sulme të ndryshme, të gjykojnë ushtarakisht e të japin dënime ushtarake. Kapja e pushtetit nga gjeneralët dhe komandantët e shndërrojnë vendin në sistem totalitar, siç është bërë Kosova, ku intelektuali e as qytetari i rëndomtë nuk e ka jetën e sigurt, e siç do ta ilustrojnë shembujt e vrasjeve të: Xhemail Mustafës, Bardhyl Ajetit e së fundmi rrahja brutale e gazetares Arbana Xharra. Luftëtarët dhe komandantët duhet t'i respektojë deri në maksimum për kontributet e tyre siç veprojnë të gjitha shtetet e botës. Kyçja e komandantëve e gjeneralëve në politikë ka ndikuar që Kosova ende të jetë zonë e rrezikuar e të mos dalim nga sindroma e luftës ku qytetari jeton më frikë të përditshme, ku qytetari nuk e ka të rregulluar gjendjen e sigurimit shëndetësor, nuk të rinjtë nuk e kanë të siguruar punësimin, ku në Kuvend nuk merren vendime për mirëqenien e qytetarit, por diskutohet më arrogancë e dhunë.

Kuadrot e partive politike kosovare PDK

Partia PDK ishte ajo që më vetëdëshirë e rrëzoi qeverinë. Ta rrë- zosh qeverinë të cilën e ke krijuar me mundim të madh është autodesrtuktive, përveç se kur paraprakisht je i sigurt që përsëri me manipulime të ndryshme mund ta kapësh duke i keqpërdorur partnerët e tjerë. Në PDK ekziston një garniturë kuadrosh, të cilët thirrën në emër të luftës dhe të nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambuje. Një pjesë e madhe e tyre (të cilët i njoh personalisht) e kanë eksperiencën e luftës ilegale gjatë kohës së LPK-së, por të cilët nuk dinë të punojnë në kushte legale. Në ilegalitet para vetes e ke vetëm një armik-okupuesin, ndërsa më çlirimin e vendit metodat e luftës ndryshojnë rrënjësisht, ku më armiku nuk ekziston, por këta e krijojnë duke e imagjinuar si në ilegalitet, ku shoku i celulës tani të bëhet konkurrent, ku intelektualët të rrezikojnë postin. Nga kjo bazë e krijuar në PDK, ka lindur shtresa e politikanëve me kompleksin e superioritetit, të cilët për të treguar shkathtësitë e tyre janë zhytur në krimin ekonomik. Po të veprohet me këtë logjikë duke u thirrur vetëm në emër të luftës, Kosova kurrë nuk mund të krijohet shtet i mirëfilltë për një jetë të sigurt të qytetarit.
PDK-ja ka nevojë për ristrukturimin e kuadrove, duke i larguar bosat e korruptuar, e duke u lënë hapësirë gjeneratave të reja.

LDK 

Në këtë parti politike zhvillohet një luftë tjetër që ndryshon nga ajo e PDKsë në dukje, por në fakt efektet negative janë të njëjta. Në LDK është krijuar kompleksi i inferioritetit dhe për të dalë nga kjo, si moto e marrin idenë e Ibrahim Rugovës, pa pasur asnjëri guxim të dalin me strategji tjetër të re. Asnjërit nuk i shkon ndërmend se Ibrahim Rugova ka vepruar në një kohë tjetër ku rrethanat dhe kushtet ishin krejt ndryshe, dhe po të ishte gjallë do ta ndërronte strategjinë për t'iu përshtatur kushteve dhe rrethanave të reja. Po të veprohet me të njëjtën strategji të tij, Kosovën e ka hangër dreqi siç e ka hangër deri tash. Si në LDK edhe në PDK ka kuadro të afta, por që zëri i tyre ngulfatet nga elefantët e korruptuar.

LVV 

Lëvizja VV e ka ndryshuar strategjinë që e kishte në fillimin e saj. Fjalimet e tyre janë kontradiktore që elektorati i tyre e ka kuptuar para tri vitesh. Liderët e kësaj partie nuk hezitojnë t'i akuzojnë për krime, për korrupsion, për hajni të gjithë liderët e partive pa dallim, mirëpo për elektoratin e tyre dhe për masën popullore është e pakuptueshme se si ata e akuzojnë PDK-në e bëjnë koalicion për të marrë pushtetin në Prishtinë pikërisht me armikun e tyre? LVV e akuzonte dhe ende e akuzojnë Isa Mustafën e të tjerët duke quajtur madje edhe njeri besnik të Millosheviqit e në anën tjetër koalicionin e krijuan pikërisht me Isa Mustafën për ta krijuar VLAN derisa ky i tradhtoi duke iu bashkangjitur Hashim Thaçit. LVV e kritikonte Ramush Haradinaj dhe partinë e tij e quante "partia e haraçit" e për interesa të tyre bëri koalicion me Ramushin. LVV janë të përkushtuar që të krijojnë sistem totalitar, duke i manipuluar militantët e tyre, për interesa të disa liderëve. Në këtë parti nuk vlerësohen intelektualët por ata që përmbysin vetura, hedhin gaz lotsjellës, pikërisht për këtë arsyeje LVV nuk ka as femra e as burra që mund ta udhëheqin shtetin. Po të vazhdojnë në këtë mënyrë Kosova do shndërrohet me një sistem totalitar e të izoluar nga bota dhe vetvetja.

AAK & NISMA

Këto dy parti që e kanë formuar koalicionin, janë në mungesë të kuadrove profesionale, jo që në mesin e tyre nuk ekzistojnë, por që ata nuk kanë qasje në vendimmarrje të strategjisë për ardhmërinë e vendit dhe të partive. Vendimet në këto dy parti merren nga dy liderët në mënyrë arbitrare, pa pasur nevojë të konsultohen me të tjerët. Objektivi i këtyre dy partive është ngritja e kultit të individit dhe se Kosova ka nevojë për këta e nuk bëhet pa këta. Po të vazhdojnë me këto politika, këto rrezikojnë të shndërrohen në parti familjare e numri i tyre të zvogëlohet.

Alternativa

Kjo është një nismë e re, nga personalitete të zhgënjyera nga politika ditore, që zhvillojnë partitë tjera, të cilët të gjitha shpresat i kanë në brezin e ri. Një parti e re që si objektiv e kanë marrjen e pushtetit nga brezi i vjetër dhe i korruptuar skajshmërisht, që t'ia dorëzoj gjeneratave të reja. Është evidente që Alternativa nuk i kanë mundësitë materiale t'i bëjnë konkurrencë partive që deri sot e zhvatën pasurinë e Kosovës, mirëpo më vullnetin e tyre nga një parti e vogël mund të krijohen në parti të madhe.

AKR

Kjo parti në zgjedhjet e kaluara për një numër të vogël votash nuk arrit të shndërrohet në parti parlamentare. Është krijuar përshtypja se në këtë parti shkojnë për t'u pasuruar e jo për të punuar për shtetin e mirëfilltë. Duke menduar se më para mund të arrihet çdo gjë, kjo parti intelektualëve ua mbyll derën.

Konkludim

Bazuar në strukturën e kuadrove dhe strategjisë se partive politike, mund të vijmë deri te një konkludim se qytetarët tanë kanë nevojë për ndryshime, por kush janë ata që na sjellin ato ndryshime, ende mbetemi në ethe të zgjedhjeve. Politika kosovare ka nevojë për një elitë e cila nuk duhet të thirret në emër të luftës, as në emër të Ibrahim Rugovës e as në familjarizëm e klane mafioze, por duhet të thirret në emër të zhvillimit ekonomik dhe gjeneratave të reja t'u lejohet hapësirë. Ka kaluar koha e patriotizmit folklorik, sot patriotizëm është zhvillimi i Kosovës e jo nxitjet për luftë. Në këto vota populli duhet të jetë syçelë e t'i votojë ata/ato personalitete që nuk janë të korruptuar, nuk janë në afera devolliane mafioze, por t'i hulumtojnë kandidatët nga gjeneratat e reja që i njohin e jo ato që u servirohen nga partia. Komisionerët nuk duhet t'i shesin votat siç kanë vepruar gjer më tani, sepse shitja është sinjifikim i vazhdimit të robërisë suaj dhe tonë.
 

(Kosova Sot)