Fantazitë klimatike të Donald Trump-it

Fantazitë klimatike të Donald Trump-it
  • 16 May 2017 - 14:37

Shkruan: Jeffrey D. Sachs

URDHRAT EKZEKUTIVË TË PRESIDENTIT AMERIKAN

Trump është i rrethuar nga lakenjtë, më shumë sesa nga lajkatarët

Legjenda thotë se mbreti Canute kishte çuar lajkatarët e tij në det, për t'iu treguar atyre se as një mbret nuk mund t'i komandojë valët e oqeanit, se ligjet e natyrës janë më të fuqishme sesa dekretet e njeriut. Kaq keq për Donald Trump-in, i cili me të vërtetë beson se urdhrat e tij ekzekutivë mund t'i kontrollojnë valët e detit. Trump është i rrethuar nga lakenjtë, më shumë sesa nga lajkatarët, të cilët, bashkë me mbretin e tyre të marrë e injorant, besojnë se, duke mohuar ndryshimet klimatike, mund ta kthejnë pasurinë dhe namin e qymyrit, naftës dhe gazit. Ata gabojnë. Lakmia nuk mund t'i zhbëjë ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga njeriu dhe urdhrat ekzekutivë të Trump-it nuk do ta ndalin procesin global të heqjes dorë nga qymyri, nafta dhe gazi, në të mirë të erës, energjisë diellore, të ujit, bërthamore, gjeotermike dhe të burimeve të tjera të energjisë, me pak karbon. Për më pak se 100 ditë, ne kemi marrë vesh se Trump është një njeri i cili jeton në një botë të trilluar. Ai lëshon dekrete, bën urdhra, shkruan postime në mesnatë, por kot së koti. Faktet e vërteta vazhdojnë që të intervenojnë. Ekziston fizika, ekzistojnë ligjet, ka gjykata, procedura dhe aty janë votuesit, ku vetëm 36% të tyre miratojnë performancën e Trump-it në punë. Ekziston edhe Kina, e cila fiton në aspektin teknologjik dhe diplomatik nga çdo veprim vetëndëshkues që ndërmerr presidenti amerikan.

Trump nuk mund t'i ndalë valët e oqeanit

Fantazia e tij më e re përfshin ndryshimet klimatike. Trump ka lëshuar urdhra ekzekutivë të cilat do të zhbëjnë politikat klimatike të ish- presidentit Barack Obama. Sipas Trump-it, masat që ka ndërmarrë ai do të hapin vende të reja të punës në sektorin e qymyrit, do t'ia mundësojnë SHBA-së pavarësimin në sektorin energjetik dhe do ta stimulojnë rritjen ekonomike. Për më tepër, Trump së fundmi autorizoi ndërtimin e përçuesit "Keystone XL" nga Alberta e Kanadasë, deri te Nebraska e SHBA-së, me qëllim të lidhjes së fushave kanadeze të naftës me rafineritë e naftës në SHBA. Obama e kishte refuzuar këtë projekt, me arsyetimin se do ta përkeqësonte ngrohjen globale. Motivacioni kryesor i Trump-it është që t'iu shërbejë interesave ekonomike të SHBA-së në naftë, qymyr dhe industrinë e gazit. Thënë shkurt, ky është korrupsion politik: politikat qeveritare në këmbim të fondeve për kampanjë. ExxonMobil, Chevron, Oda tregtare e SHBA-së, si dhe "Koch Industries", që të gjithë këta janë lojtarë të mëdhenj dhe gati të gjithë anëtarët republikanë të Kongresit janë të implikuar në këtë sjellje të pahijshme. Ata janë të përgatitur që të duken sikur të marrët në publik, duke mohuar vërejtjet shkencore rreth ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, përderisa kjo siguron rrjedhjen e parave, të nevojshme për kampanjë. Pa marrë parasysh a është vetë Trump aq i marrë, sa që të besojë atë që e thotë, ai e di se urdhrat e tij ekzekutiv shkojnë në favor të fuqisë së republikanëve. Por, sikur edhe me shumë vendime tjera të Trumpit, këtu ka më shumë lehje, sesa kafshime. Së pari, Trump nuk mund t'i ndalë valët e oqeanit, apo ngritjen e nivelit të tij, në rast të ngrohjes globale. Shkenca është reale, pa marrë parasysh injorancën shkencore të Trump-it. Së dyti, bota e di se kjo është e vërtetë. Çdo shtet, anëtar i OKB-së, ka nënshkruar Marrëveshjen klimatike të Parisit, në vitin 2015. Toka sapo ka përjetuar tri vitet më të nxehta, të njëpasnjëshëm në historinë e vet. Temperatura e oqeaneve është duke u rritur në mënyrë dramatike. Cinizmi dhe injoranca e Trump-it nuk kanë pasues në aspektin global. Për më tepër, veprimet e Trump-it do të sfidohen në gjyq dhe ai, sipas të gjitha gjasave, do të humbë. Ai do të ndikojë te pak votues në Virxhinian perëndimore dhe do të marrë lëvdata nga "Koch Industries", por ai nuk do të jetë në gjendje që ta ndryshojë rregulloren e EPA-s në lidhje me lirimin e dyoksidit të karbonit. Këto standarde mbrohen nga Akti i ajrit të pastër, dhe Trump-it i mungojnë votat në Kongres për ta ndryshuar këtë legjislacion. Dhe, votuesit amerikanë, në një masë të madhe, favorizojnë një kalim nga energjia e fosileve te energjia që përtëritet.

Kina, Evropa, e bile as regjioni i Gjirit, nuk do të ndikohen nga veprimet e Trump-it

Po ashtu, Trump nuk mund ta ringjallë sektorin e qymyrit, që është në vdekje e sipër. Çdo gjë është kundër qymyrit këtyre ditëve. Ai shkakton sëmundje të mushkërive te minatorët dhe te njerëzit që jetojnë afër termoelektranave që përdorin qymyr. Ai liron më shumë CO2 për njësi të energjisë, sesa nafta dhe gazi dhe ai është duke u lënë gjithnjë e më shumë prapa nga format më ekologjike të energjisë. Sa iu përket vendeve të punës, minierat e qymyrit janë duke u bërë aq të automatizuara, saqë tërë sektori punëson vetëm disa dhjetëra mijëra punë- torë, në një fuqi punëtore prej më shumë se 150 milionësh. Për të njëjtën arsye, mund të them se tubacioni përçues "Keystone XL", i cili do të kushtojë disa miliarda dollarë, nuk do të ndërtohet kurrë. Bota nuk ka nevojë për ranishtat e Kanadasë me naftë, duke pasur parasysh nevojën urgjente që të kalohet te burimet e energjisë që nuk lirojnë karbon. Ranishtat naftërore të Kanadasë janë shtrenjtë që të shfrytëzohen, shkaktojnë ndotje të madhe të ajrit dhe janë larg tregut. Pa marrë parasysh miratimin e Trump-it, ka të ngjarë që investitorët ta mohojnë një përçues i cili me gjasë do të falimentojë para se të fillojë që të përdoret. Kina, Evropa, e bile as regjioni i Gjirit, nuk do të ndikohen nga veprimet e Trump-it. Kina ka për qëllim zvogëlimin e sasive të dyoksidit të karbonit të liruar, për ta pastruar ajrin e vet dhe për t'u bërë lidere e shekullit XXI në teknologjitë me pak karbon, sikur që janë fotovoltaizmi dhe veturat elektrike. Evropa është në rrugë të mbarë kah një ekonomi që nuk liron fare karbon. Shtetet e Gjirit janë duke zhvilluar kapacitete të mëdha në energjinë që përtërihet, sidomos në energjinë e diellit. Në fund, ne mund të mahnitemi nga budallallëku i presidentit amerikan dhe nga korruptimi i Partisë republikane të SHBA-së. Por, ne nuk duhet të besojmë se fantazitë klimatike të Trump-it do ta ndryshojnë realitetin global, apo do ta ndryshojnë implementimin e Marrëveshjes klimatike të Parisit.
(Jeffrey D. Sachs është profesor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Universitetin "Columbia") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)