Dekriminalizimi i politikës dhe vetëpastrimi i shtetit nga krimi

Dekriminalizimi i politikës dhe vetëpastrimi i shtetit nga krimi
  • 15 May 2017 - 13:21

Vendi po vuan mungesën e dy reformave kruciale, përmes ligjit të dekriminalizimit të politikës  dhe ligjit të “Vetting”-ut për vetëpastrimin e dekriminalizimin e drejtësisë dhe të gjitha institucioneve publike  të shtetit të kapur nga krimi e korrupsioni

 

Shkruan: Margarita Kadriu

Kur je jashtë partive, gjërat i shikon me një dimension tjetër, prej atij që zbulon, pasi ke vendosur të jesh e angazhuar në një subjekt, i cili zotohet se do të bëjë ndryshimet që i prêt shoqëria. Njerëzit kritikë, jokonformistë dhe jomilitantë, pasi binden se përmes sipërmarrjes së tyre te suksesshme  personale, profesionale, biznesore, mediale, nuk mund të arrijnë më shumë rezultate për shoqërinë, natyrshëm angazhohen për të kontribuar edhe në jetën politike. Kësisoj, para rreth tre vjetësh vendosa të jap kontributin tim në avancimin e proceseve dhe të zhvillimit të  demokracisë në vend, me idenë se pa qenë pjesë e vendimmarrjes nuk mund të ushtrosh ndikimin pozitiv, në favor të të gjithë  qytetarëve tanë.

Kur zgjedh një parti, nuk është e lehtë, sepse presionet shtohen nga brenda dhe nga jashtë. Të pretendosh të ruash identitetin tënd njerëzor, profesional, politik, në një mjedis partiak kosovar, është shumë e vështirë. Edhe më e zorshme bëhet një gjë e tillë, kur i bashkohesh një partie, e cila, në fakt, më vonë e merr vesh se  nuk është thjesht një subjekt politik, por një korporatë e sofistikuar dhe tejet e ndërlikuar, ku krerët kanë secili hisen e vet. Dhe, këtu nuk është fjala për kapital privat të tyre, të ndërtuar me mund e djersë për vite të tëra, siç e di nga përvoja ime në ndërmarrësi, por për atë hisen e madhe publike që merret nga shteti, së cilës kush më shumë e më pak, kur vijnë në pushtet, i gjuhen për ta ngrënë deri në fund.

Kështu, angazhimi im i sinqertë në partinë aktualisht më të madhe në vend hasi me shpejtësi që në ditët e para me një skenar të planifikuar nga brenda, sikur edhe nga mercenarët  jashtë subjektit, në pengesa, shantazhe, shpifje, bllokada, mashtrime, linçime. Kur sulmet të vijnë nga qarqe të zakonshme brenda apo jashtëpartiake, që gjithë ditën merren me thashetheme poshtë e lart, kjo nuk është shumë problematike, por kur e mëson se burimi i goditjes vjen pikërisht nga brenda, situata bëhet tepër serioze. Në rrethana të tilla, përpjekjet, sado të forta, janë të pafuqishme për ta sjellë frymën e re, për një parti më të mirë, institucione më të forta, qeverisje më transparente dhe në shërbim të qytetarëve.

Për të mos e lejuar veten që të zhytesh në këtë llum, ajo që mund të bësh si hap i parë është distancimi i plotë dhe  largimi, gjë që unë e bëra menjëherë pas disa muajsh, duke dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së atij subjekti.

Si përfaqësuese e popullit dhe deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jam munduar të ngre çështje të rëndësishme, që preknin  interesat e njerëzve, por nismat serioze nga unë, që synonin hetime të aferave, skandaleve, informalitetit, kontrabandës, monopoleve, ishin  të destinuara të mos kenë sukses. Në momentin që prek interesat e partive-korporatave, të prêt një bllokadë e jashtëzakonshme. Individualisht, pra, është një betejë e humbur, por megjithatë, mund të ketë efekt në opinionin publik, në  ndërgjegjësimin e shoqërisë.

Qysh në fillimin e mandatit si deputete e pavarur, e ngrita zërin për vjedhjen e buxhetit përmes informalitetit  e kontrabandës, pastaj për monopolet që mbushin xhepat e kontot e oligarkëve dhe zbrazin ato të qytetarëve, ose të arbitrazheve që po e godasin Kosovën financiarisht, si dhe shumë e shumë probleme të tjera, mirëpo si zë i vetëm dhe i pavarur nuk ke fuqi t`i ndryshosh gjërat. Tash, kur është koha e fushatës, shumë prej ish-kolegëve deputetë mund t’u rikthehen këtyre temave, vetëm sa për konsum elektoral, por kjo është një hipokrizi që besoj se nuk mund të shitet më te votuesit deri diku të ndërgjegjësuar  kosovar.

Pikërisht për shkak që ngrita problemet më të mëdha rreth korrupsionit e krimit të organizuar, që po zhvat qytetarët e Kosovës, shumë shpejt u “shpërbleva”  nga nëntoka e inkriminuar dhe “portalet” mercenare me fushata linçuese, bilborda, shpifje në baza ditore, shpërthimin e gomave të veturës para banesës sime në Prishtinë e deri te paralajmërimi se do të ma “mbyllin gojën përgjithmonë”!

Policia, edhe pse ka hapur rastin e shpërthimit të katër gomave të veturës para derës se banesës sime, deri më sot nuk kanë bërë asnjë lëvizje dhe nuk ka asnjë rezultat të hetimeve!

Dua të njoftoj opinionin publik se prej momentit kur fillova punën në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pra për 2 vjet  e gjysmë, unë pata oferta prej pothuajse të gjitha partive parlamentare, pozitë e opozitë. Ofertat vazhduan pa ndërprerë deri në momentin kur unë po shkruaj, mirëpo me insistimin e mijëra qytetarëve që më kanë përkrahur gjatë tërë këtyre viteve, unë kam REFUZUAR të gjitha ofertat e partive aktuale politike parlamentare. Për të qenë vetëm një FIGURË që merr post të lartë dhe duhet të mbyll gojën para dëmtimit e  shkatërrimit të shtetit, kam mundur të vazhdoj ta bëj nga pozita e nënkryetares së partisë ku kisha aderuar tre vjet më parë dhe ku qëndrova vetëm pak  muaj. Qëndrova e pavarur për afro 3 vjet dhe jam e sigurt se për të bërë ndryshimin nga brenda strukturave, në partitë aktuale politike në Kosovë, biles për momentin, është ende një  MISION I PAMUNDUR.

Po qe se bëhesh pjesë e sistemit të tyre, duhet të jesh “I DËGJUESHËM”, “SERVIL” ,”KUKULL” dhe mundësisht vetëm “ZËDHËNËS” i shefave, qofshin ata brenda partive apo financuesve të tyre.

Gjithsesi, duke e parë se mundësitë për të ndikuar që Kosova të bëhet shtet i qytetarëve e shtet ligjor dhe të fillohet puna e mirëfilltë për një zhvillim ekonomik dhe sundim të rendit e ligjit, për një zhvillim në  shëndetësi dhe arsim tërësisht ndryshe nga kjo që kemi, e shumëçka tjetër që duhet ndryshuar, ende nuk ka asnjë shans të bëhet nga partitë aktuale politike në vend, andaj dhe  kam vendosur që për këto zgjedhje të refuzoj të gjitha ofertat, pasi jam bindur se ndryshimi nuk mund të bëhet përmes strukturave aktuale politike.

Mirëpo, misioni im nuk përfundon me kaq. Unë do t`i kthehem familjes time, mirëpo po ashtu planifikoj që të  filloj një projekt të ri, së bashku me të gjithë përkrahësit e mbështetësit e  kauzës time për një Republikë të re, ku detyrimisht sundon rendi e ligji, si në një shtet të së drejtës, me një zhvillim të hovshëm ekonomik e mirëqenie sociale përmes punësimit në masë të qytetarëve , me një zhvillim të shëndetësisë dhe arsimit që po lëngojnë, për të ndërtuar një forcë të re e të shëndoshë politike nga e para me njerëz të rinj, të merituar e me shumë vullnet, pa u nxituar që qysh tani të jem pjesë e institucioneve, të cilat do të krijohen pas zgjedhjeve të 11 qershorit, institucione, të cilat mund të kenë punën gati të njëjtë e  pa bërë ndonjë diferencë e ndryshim pozitiv me këto aktuale. Me këtë garniturë të skenës aktuale politike, ndryshimi përfundimisht është pothuajse i pamundur.

Falënderoj votuesit e mi, të cilët me votën e tyre ma mundësuan të përfaqësoj për gati tre vjet interesat e tyre dhe të adresoj problemet thelbësore të tyre dhe të vendit. Shpresoj po ashtu që një ditë edhe partitë e tjera do të reformohen thelbësisht  nga siç janë tani, të vetëçlirohen apo të detyrohen të çlirohen nga epshi për të sunduar e për të përfituar pa meritë, ashtu që  në vend se të jenë e të mbesin  korporata përfitimi, politika duhet të pastrohet e  të dekriminalizohet e të kthehet detyrimisht  në shërbim të qytetarëve, gjë që është  shumë  e vështirë  se do të ndodhë pa i votuar në Parlament  dy  reforma të mëdha paralele: e para,  për dekriminalizimin e plotë të politikës aktuale në vend  dhe e dyta, përmes reformës së “Vetting”-ut  ose vetëpastrimit në drejtësi, dhe në të gjitha institucionet publike të shtetit të kapur. Deri atëherë, ju ftoj të punojmë dhe të gjithë aty ku jemi, së bashku të kontribuojmë,  që sa më parë të dy reformat të bëhen realitet për shpëtimin dhe zhvillimin e Republikës sonë të përbashkët, ku të gjithë qytetarët do të jenë të barabartë para ligjit, pra  ku sundon ligji e ligjshmëria, dhe jo “Maliqi”, trafikimi  e oligarkia.

(Autorja është ish—deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës)

(Kosova Sot)