Ja pse ra Qeveria!

Ja pse ra Qeveria!
  • 20 May 2017 - 08:08

Shkruan: Reshat Badallaj-Zhuriani 

Bashkimi i bandave

Dolën kinse Qeveria ra se:"...nuk mund të qeveriset me PDK-në dhe tek ata të marrin shembull nga ne se si qeveriset (Isa Mustafa)... dhe e patën rastin të qeverisin vendin dhe nuk mundën...(Kadri Veseli)...

Dje, në gazetën më të lexuar në Ballkan, në gjuhën shqipe botova opinionin tim me titull: "Të pafytyrët dhe tyxharët e bandave politike në Kosovë" dhe u premtova se do të shkruaj se si dhe pse ra Qeveria dhe kemi thënë se kemi depërtuar thellë në burimet e kësaj shamate. Ç´është e vërteta, këtë e kemi thënë më herët, pa rënë kjo Qeveri, në qoftë se është ngrënë pitja, tepsia është në vend thuhet nga anët tona. Prandaj, këtë mund ta vërtetoni në këtë gazetë. Shih për këtë, akoma pa mbërri në shtëpi nga puna në e-mailin tim kishin vërshuar letrat në përkrahje të shkrimit. Kah fundi i prillit, isha në Kosovë dhe gjurmoja thellë se çka po zihet në këtë Qeveri kuislinge, edhe pse dihej botërisht dhe kam ripërsëritur se kjo Qeveri është në grahmën e fundit, do të shkojë në theqafje, po jep shpirt, është Qeveri e dalë nga kanalet mafioze të nëntokës, e dalë me anë të pazareve, me mashtrime, vjedhje, blerje votash dhe assesi me votën e lirë të sovranit. Pse nuk i votoi sovrani, tradhtuan popullin dhe gjashte muaj filluan pazaret e këtyre bandave për kapje të shtetit...
Kundërshtitë e dy partive

Dhe, prapë u bashkuan dy partitë me kundërshtitë që nga dita e parë, duke akuzuar njëra-tjetrën si tradhtare, spiunë, UDB-ashë, dezertorë dhe ana tjetër si vrasës, kriminelë e lloj-lloj epitetesh. I bashkoi lakmia për pushtet dhe vjedhja, se tashme e kishin provuar të gjithë dhe se iu kishte bërë sëmundje nxitëse... Ju e dini se i njoh disa deputetë dhe disa kryetarë të bandave politike, por nuk i njoh kur u bënë të "mëdhenj" që erdhën në fron, por i njoh nga ilegalja dhe të paktën kam pirë kafe dhe kemi ngrënë pasul, nuk më kujtohet me mish, apo pa mish. Kam darkuar me një ish-ministër në Hanover, që kthehej nga Brukseli që ishte takuar me Solanën, njoh edhe një zv.ministër që iku para pak ditësh, i cili ishte dëshmitar me këtë të fundit, por asnjëri prej këtyre nuk më ka thënë këtë shamatë që ndodhi në mes tyre! Ma ka thënë dikush tjetër, që nuk të shkon mendja... Kur ra Qeveria, për t´i hedhur pluhur syve popullit, tashmë është bërë zakon nga këto bandat politike, duke mashtruar popullin, duke gënjyer paturpësisht ndonëse gjuanin me fjalë. Dolën kinse Qeveria ra se:"...nuk mund të qeveriset me PDK-në dhe te ata të marrin shembull nga ne se si qeveriset (Isa Mustafa)... dhe e patën rastin të qeverisin vendin dhe nuk mundën...(Kadri Veseli)...

Ish-jugosllavët nuk do të dalin pa u lagur

Shamata dhe hallakama në mes të këtyre dy bandave fillon me akuzat e PDK-së se: "Ju të LDK-së keni furnizuar me shumë dosje të shpifura, të rreme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkombëtarët, ambasadat e huaja e sidomos kundër komandantëve të UÇK-së, dhe se Gjykatën Speciale nuk e solli as Dick Marti e as Beogradi, por e sollët ju tradhtarët dhe spiunët e LDK-së dhe fillon hallakama e madhe dhe aty qenka përmendur emri im. Nga nervozizmi i kanë kapur ethet krerët e lartë të UÇK-së të PDK-së, tashmë ka filluar t'u dridhet dheu ndër këmbë. Çarten SHIK-u dhe ishjugosllavët që quhet LDK, që po ashtu përmendet emri im ku kam shkruar se krerët e kësaj bande dikur iu kanë shitur falas UDBsë famëkeqe... Isa Mustafa e tregoi veten kur pak para se të arrestohej Ramush Haradinaj, në Francë, ia përmendi liqenin e Radoniqit! Pse? Por, edhe Ramushi për interesa personale e prishi punën, shumë i pafytyrë doli, dhe tani për marre të zezë, mos ia dëgjofsha zërin dhe mos ia pafsha surratin që në gjirin e vet e mori antikombëtarin, faqeziun, që nuk e njeh kombin tonë, as flamurin faqen e zezë, Halil Matoshin...turp e për faqe të zezë se e korite gjakun farën dhe fisin! Pra sebep ishte kjo që ra Qeveria kuislinge, tradhtia, pabesia, hajnia po se po, por akuza që do të përballen me "krime lufte" në Gjykatën Speciale. Dhe kjo nuk është asgjë krahasuar se si do të ndodhë, kur të hapen dyert e Gjykatës Speciale do të dalë gjizë hesapi... Edhe një gjë u them nga tash, mos mendoni dhe e mashtroni veten se ish-jugosllavët dalin të palagur! Këtë ua them që tani. Mbajeni mend! Janë të lagur jo deri në kërthizë po deri në fyt. Fërkimet datojnë herët, kur është formuar LDK-ja, fillojnë përçarjet nga disa themelues të saj, që të mos hynë në LDK, ish të burgosurit politikë. Populli nuk harron! Edhe një gjë e keni vënë re kur disa e quajnë Ibrahim Rugovën, kryetari historik. E dini se kush janë këta? Nuk e dini. Më të zëshmin jam duke pritur në nishan nga frëngjitë e kullës se mos po reagon dhe do shikoni ju se kush është ky titist antikombëtar. Bile ky tradhtar tani jo që përmend Kosovën, por edhe Shqipërinë. Dil në pazar e lidhi kijet dhe të tregoj se kush je ti që ke ngrënë drekë me Rrahman Morinën në hotelin "Nova Jugosllavia". Dil, po ku guxon të dalësh se aq i përlyer se nuk guxon më të hysh edhe në familjen tënde. Të derdhet mielli nga thasët e turpit... Do të lexoni nga unë edhe letrën e hapur Kadri Veselit se si e mbajti krimin e fshehur me deputetin për vrasje të shqiptarëve. Do të lexoni edhe pse nuk i ka ndjekur Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Shtetit, Devollët për krim të organizuar. Për këto që shkruaj e flas mbaj përgjegjësi morale, penale e juridike

(Kosova Sot)