Pse kemi nevojë për islamizmin politik?

Pse kemi nevojë për islamizmin politik?
  • 20 May 2017 - 11:06

Shkruan: Shlomo Ben-Ami 

SHOQËRITË E DEVOTSHME NË BOTËN ARABE, KUNDËRHELM VITAL NDAJ XHIHADIZMIT GLOBAL

Për të qeverisur në mënyrë efikase, duhet ndërtuar aleanca dhe koalicion

Krijimi i hapësirës për një shprehje të butë të islamizmit në publik, ka rëndësi kyçe për mposhtjen e xhihadizmit global. Vetëm kur lufta kundër xhihadizmit kalon nga fushëbeteja tek arena politike, shoqëritë arabe mund të shkojnë nga një e ardhme më e sigurt dhe më përparimtare
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka lënë anash një urdhër ekzekutiv, i cili do ta cilë- sonte Vëllazërinë Myslimane si grup terrorist. Ai as që duhet ta aktivizojë ndonjëherë këtë urdhër. Qeveritë gjithëpërfshirëse që janë parë të përfaqësojnë shoqëritë e devotshme në Botën arabe, janë kundërhelm vital ndaj xhihadizmit global. Thënë të vërtetën, Vëllazëria myslimane nuk është se gjithmonë ka mishëruar në tërësi vlerat demokratike. Për shembull, në Egjipt, qeveria e presidentit Mohamed Morsi e trajtonte demokracinë si "fituesi i merr të gjitha", prandaj edhe u rrëzua pas pak më shumë se një viti. Por, adresimi i mangësive të tilla, duke përjashtuar në tërësi opsionet legjitime religjioze-politike, vetëm sa forcon argumentin rekrutues të xhihadistëve, se dhuna është mënyra e vetme për të siguruar reforma. Kjo edhe ndodhi kur Abdel Fattah elSisi - presidenti që erdhi pas Morsit, pas puçit të vitit 2013 - praktikoi një tolerancë zero ndaj Vëllazërisë myslimane. Aty ku partive islamike iu është dhënë hapësirë për veprime politike, atë kanë shfaqur një kapacitet për të përfituar nga ajo, shpesh duke u përcaktuar ndaj pjesëmarrjes politike, si një alternativë superiore ndaj dhunës. Dhe, me të vërtetë, partitë islamike, duke e përfshirë edhe Vëllazërinë myslimane, janë të përfshira në aktivitete të ligjshme politike në shumë vende - aktivitete, të cilat shpesh kanë bërë që ato t'i zbusin pikëpamjet e tyre.

Politika nuk është një fushë e të vërtetave të përjetshme

Për dallim nga feja, politika nuk është një fushë e të vërtetave të përjetshme, por e kalkulimeve racionale. Për të qeverisur në mënyrë efikase, duhet ndërtuar aleanca dhe koalicione, duke përfshirë edhe partitë laike dhe liberale. Duke pasur parasysh këtë, angazhimi politik natyrshëm i tërheqë partitë nga moderimi, një fenomen të cilin e kemi parë më shumë se një herë në Botën arabe. Në Marok, kur Partia e drejtësisë dhe zhvillimit (PJD) hyri në politikë, në vitin 1997, "islamizimi" ishte në qendër të platformës së saj zgjedhore. Ngjashëm me këtë, partia e Turqisë, "Ennahda" (Ripërtëritja) në fillim bazohej te të arriturat e Revolucionit iranian dhe te mendimet kritike të islamikëve radikalë, kundër Perëndimit, sikur ato të Sayyid Qutb, një teoricien kryesor i Vëllazërisë Myslimane gjatë viteve 1950. Por, si PJD, po ashtu edhe "Ennahda" - të cilat erdhën në pushtet në vendet e tyre në vitin 2011 - me kalimin e viteve kanë shkuar kah modernizimi, bile edhe laicizmi. Ato e kanë larguar vëmendjen nga disa prej parimeve të tyre radikale, me qëllim që t'u jepnin përparësi parimeve kyçe të demokracisë laike, sikur që është pluralizmi kulturor dhe liria e fjalës. Në vitin 2003, si reagim ndaj një sulmi terrorist në Kazablanka, PJD bëri një ndarje të qartë midis partisë politike dhe lëvizjes fetare, e cila e kishte krijuar atë, duke e dënuar pa kushte dhunën. Për dallim nga ndonjë grup xhihadist, i cili me dëshirë do ta merrte meritën për një sulm të tillë, PJD donte ta bënte të qartë se as nuk kishte frymëzuar, as nuk mbështeste veprimet e tilla. Në vitin 2015, edhe partia "Ennahda" e ndau lëvizjen që promovon vlerat fetare, nga partia e cila i përmbahet logjikës sekulare të lojës politike. 

Izraeli duhet ta trajtojë Gazën sikur kjo e fundit të ishte shtet i pavarur

Kritikët, të cilët thonë se këto parti thjesht, bënin manovra praktike, nuk e kanë tërësisht gabim. Por, veprimet e tilla taktike mund të çojnë deri te ndryshimet strategjike, bile edhe ideologjike. Në fakt, pasi që u ndanë njëherë nga prangat e dogmës fetare, degët politike të të dy partive u distancuan nga rrënjët e tyre të fundamentalizmit islamik. Përfshirja në politikë po ashtu pati një ndikim moderues te Vëllazëria myslimane. Derisa Morsi ishte president, ai e respektonte marrëveshjen paqësore të Egjiptit me Izraelin, bile luajti një rol kyç në arritjen e armëpushimit në vitin 2012, midis Izraelit dhe Hamasit. Këto vendime demonstronin vendosmërinë e tij që ta ruante rolin e Egjiptit si forcë e stabilitetit regjional, gjë që nënkuptonte moslejimin që ideologjia e tij të ndikonte në formësimin e një politike të jashtme më radikale. Islamikët e Algjerisë morën një rrugë paksa më të ndryshme, duke moderuar politikën e tyre pas humbjes në luftën shkatërrimtare civile të viteve 1990. Derisa kujtimet e kësaj lufte tani janë duke u zbehur, shembujt e konflikteve në Siri dhe Libi mjaftojnë që shumicën e algjerianëve të rinj t'i largojnë nga xhihadizmi. Sikur që pjesëmarrja politike mund ta inkurajojë modelimin, po ashtu edhe përjashtimi (izolimi) politik mund ta inkurajojë radikalizmin. Merreni shembullin e Hamasit, i cili nuk është lëvizje xhihadiste globale, por një organizatë nacionaliste islamike, sundimi me grusht të hekurt i së cilës në Gaza nuk lejon shfaqjen e pakënaqësive. Dikush mund të thotë se refuzimi i bashkësisë ndërkombëtare që ta pranonte fitoren e Hamasit, kur ai erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2006, pengoi potencialin e kësaj lëvizjeje për moderim. Fundja, për dallim nga grupet xhihadiste globale, sikur ISIS dhe Al Kaida, Hamas shpesh ka flirtuar (edhe pse në mënyrë indirekte) me një qasje më pajtuese ndaj Izraelit. Edhe pa ndonjë njohje politike, thuhet se Hamas ka vendosur publikimin e një Karte të re, ku nuk do të përfshihej antisemitizmi i theksuar, që gjendet në Kartën aktuale të tyre. Ka po ashtu arsye për të besuar se Hamas do ta pranojë një zgjidhje me dy shtete dhe do ta shpallë pavarësinë e vet nga Vëllazëria myslimane, me qëllim të lehtësimit të pajtimit me Egjiptin dhe me shtetet e tjera kryesore arabe. Nëse Hamas dëshmon se është duke përqafuar një pragmatizëm më të madh politik, atëherë ai duhet të inkurajohet. Në veçanti, Izraeli duhet ta trajtojë Gazën sikur kjo e fundit të ishte shtet i pavarur dhe ta promovonte stabilitetin e saj. Kjo nënkupton përfundimin e bllokadës së vënë nga Izraeli, e cila vetëm sa e ushqen ekstremizmin dhe luftën, duke ua siguruar banorëve të Gazës një kontroll ndaj portit të tyre detar, për të bërë tregti dhe për të udhëtuar. Krijimi i hapësirës për një shprehje të butë të islamizmit në publik, ka rëndësi kyçe për mposhtjen e xhihadizmit global. Vetëm kur lufta kundër xhihadizmit kalon nga fushëbeteja tek arena politike, shoqëritë arabe mund të shkojnë kah një e ardhme më e sigurt dhe më përparimtare. 

(Shlomo Ben-Ami, ish-ministër izraelit i Punëve të Jashtme, është zëvendëspresident i Qendrës ndërkombëtare për paqe "Toledo") Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot''

(Kosova Sot)