Pse diplomacia pushoi së funksionuari në Siri?

Pse diplomacia pushoi së funksionuari në Siri?
  • 23 May 2017 - 10:44

Shkruan: Nic Robertson

Hera e fundit kur presidenti Bashar al-Assad dukej se kishte përdorur armët kimike kundër civilëve të Sirisë, presidenti amerikan kishte mbyllur njërin sy. Assad e shkeli vijën e kuqe të presidentit Obama pa asnjë pasojë. Kësaj here, presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, thotë se ai nuk do ta kthejë kokën në anën tjetër. Se ai është 'i tmerruar' sesi 'bebet e bukura' janë vrarë nga armët kimike, që janë kaq 'vdekjeprurëse'. Por, a do të kthehet tani bota kah SHBA-ja, në kërkim të lidershipit, për t'i dhënë fund kasaphanës së ushtruar nga Assad? Për shumë arsye, përgjigja është 'jo'. Presidenti Trump zor se e ka paraqitur veten si një aleat në rast nevoje. Aleatët e tij tradicionalë ende e kanë të paqartë se a mendon ai me të vërtetë atë që e thotë. Ai, thënë ndryshe, ka qenë edhe i kundërt e edhe kontradiktor. Deklaratat e tij rreth një numri çështjesh ndërkombëtare e kanë dobësuar besimin dhe kanë ngritur shqetësime se SHBA-ja mund të mos jetë miku i atyre që ishte në të kaluarën. Deri javën e kaluar, deklarata më e ashpër që administrata e tij kishte lëshuar rreth Assad-it, ishte ajo e sekretarit të tij të mbrojtjes, James Mattis: "Rreth çështjes së Assad-it, ne jemi duke punuar hap pas hapi, sapo ta mposhtim Daesh-in [ISIS]", si dhe deklarata e sekretarit të shtetit, Rex Tillerson, që ka deklaruar: "Mendoj se statusi i presidentit Assad do të vendoset nga populli sirian". 

Vakumi i krijuar

Reagimi i Trump-it ndaj sulmeve evidente të Assad-it ka të ngjarë, që ta dëmtojë edhe më shumë besimin e aleatëve. Menjëherë pas publikimit të këtyre sulmeve, ai tha: "Këto akte të urryera të regjimit të Bashar alAssad-it janë pasojë e dobësisë dhe pavendosmërisë së administratës paraprake. Presidenti Obama deklaroi në vitin 2012 se ai do ta vinte një vijë të kuqe në lidhje me përdorimin e armëve kimike, e më pas nuk bëri asgjë". Pas skenave të tmerrshme të së martës, OKB-ja u ngut që të mblidhte diplomatët kryesorë për ta debatuar këtë zemërim. Ishin të paktë ata që besonin se rezultat i këtyre bisedimeve do të ishte ndonjë gjë më shumë sesa konfrontimet e rëndomta, sikur që ka ndodhur qyshkur presidenti Obama ka dështuar për ta imponuar 'vijën e kuqe'. Vakumi i krijuar nga mungesa e veprimit të administratës së Obama-s në Siri, ia mundësoi Rusisë që ta marrë këtë konflikt nën kontroll. Tani, presidenti rus, Vladimir Putin, dominon agjendën ndërkombëtare në Siri. Rusia tanimë është ngutur që t'i arsyetojë forcat e Assad-it, duke thënë se ato bombarduan një fabrikë kimike të terroristëve, me çka edhe u liruan gazrat helmuese. Përderisa Rusia t'i përmbahet kësaj linje, një reagim i unifikuar ndërkombëtar ndaj Assad-it është i pamundshëm. Në ndërkohë, zemërimi ndërkombëtar dhe indinjata vetëm sa janë rritur. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, deklaroi: "Ngjarjet e tmerrshme të së djeshmes demonstrojnë për fat të keq se krimet e luftës janë duke vazhduar në Siri, dhe se Ligji ndërkombëtar humanitar është duke u shkelur vazhdimisht". 

Bashkësia ndërkombëtare me gjasë nuk do të bëjë asgjë rreth kësaj çështjeje

Vetë besimet e BE-së, që vijnë sikur ndodhë edhe më parë, pas viteve të konflikteve, paraqesin një rikujtues se vendosmëria ndërkombëtare këtyre ditëve nuk është më e madhe sesa mbledhja e copave pas një fatkeqësie. Franca ka apeluar te Guterres, që t'i mbledhë fuqitë e botës në tavolinë, në OKB. Javën e kaluar, në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, ministri i Jashtëm i Francës u duk kritik ndaj qëndrimit të Trump-it ndaj Assad-it, duke kërkuar që Rex Tillerson të ofrojë më shumë detaje ndaj ambivalencës amerikane në lidhje me vazhdimin e autoritetit të Assadit. Sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson, shtoi zemërimin e tij në këtë aspekt: "Të gjitha dëshmitë që i kam parë, sugjerojnë se këto sulme i kreu regjimi i Assad-it, duke qenë tërësisht të vetëdijshëm se ishin duke përdorë armë ilegale në një sulm barbarik kundër vetë popullit të vet. Do të doja t'i shihja fajtorët duke paguar një çmim për atë që kanë bërë dhe nuk di sesi mundet një qeveri e tillë të ketë ndonjë legjitimitet për ta administruar popullin e Sirisë". Kampanja e Trump-it, në një masë të madhe ishte ndërtuar mbi retorikën e bombardimit të ISIS-it deri te shkatërrimi i tij. Rrallë në fjalimet e tij përmendej Siria dhe Assadi. Në të vërtetë, ngrohtësia e tij e hershme ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, forcat e të cilit janë rreshtuar me ato të Assad-it, dukej se nënkuptonte një mundësi që Assad të lihej i lirë, me kusht që të mposhtej ISIS-i. Pas sulmeve më të reja, SHBA-ja propozoi një rezolutë të OKB-së. Në propozimin e asaj deklarate kishte dënime, shprehje, apele, theksime dhe kërkesa, por asnjë insistim. Po ashtu e paqartë ishte edhe ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, e cila deklaroi se "kur OKB-ja vazhdimisht dështon që ta kryejë detyrën e saj duke vepruar së bashku, atëherë ka momente, kur jemi të detyruar që vetë të ndërmarrim veprime". Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare me gjasë nuk do të bëjë asgjë rreth kësaj çështjeje. "Nofulla, nofulla (dhëmbët)" - deklaroi kryeministrja britanike Theresa May më herët, këtë javë, duke cituar Winston Churchillin edhe pse në një çështje krejt tjetër - është një reagim më i mirë sesa "lufta, lufta". Por, në rastin e Sirisë, derisa OKB-ja t'i tregojë dhe përdorë dhëmbët, lufta e Assad-it dhe e Rusisë do të vazhdojë që të bëjë masakra. ,Nuk është mirë që përgjegjësinë për tmerret në Siri dhe për reagimin ndaj tyre ta lëmë para derës së Trump-it edhe pse është vështirë të mos vërehet se këto sulme ndodhën më pak se një javë pasi që Shtëpia e bardhë u largua nga politika e mëparshme amerikane, që kërkonte largimin e Assad-it nga skena politike. Mënyra në të cilën paraardhësi i Trump-it reagoi ndaj sulmit paraprak me armë kimike në Siri, ndikoi në formësimin e trashëgimisë së tij ndërkombëtare: Obama ishte i dobët kur u vu në sprovë. Kjo është theksuar edhe në deklaratën e zëdhënësit të Shtëpisë së bardhë Sean Spicer javën e kaluar, se Trump trashëgoi një dorë të dobët rreth Sirisë. Por, si do t'i përdorë Trump kartat që i ka në duar, mund ta kufizojë trashëgiminë e tij në lidhje me botën e jashtme. Pas komenteve, të cilat Trump i bëri duke qëndruar afër mbretit Abdullah, Assad do të pyetet a ka vendosur Trump një vijë tjetër të kuqe për të dhe, nëse po, atëherë sa larg mund të shkojë ai në të vërtetë. Aleatët e Trump-it do të shqetësohen se presidenti i ri me gjasë mund t'ia ketë vënë vetes kleçkën.

(Nic Robertson është redaktor i CNN-it, që ka marrë shpërblime ndërkombëtare)

(Kosova Sot)