Për interes të qytetarëve

Për interes të qytetarëve
  • 24 May 2017 - 08:35

SHKRUAN: YMRET RESHITI

Për interes të qytetarëve. Ky është refreni më i shpeshtë, i politikanëve tanë të pamoralshëm. Politikanët tanë çdo gjë që e bëjnë në politikë, e arsyetojnë kinse e bëjnë për "interes të qytetarëve". Bile, që në momentin kur ata hyjnë në politikë, thonë se e bëjnë për interes të qytetarëve. "Unë po sakrifikoj veten time që po hyj në politikë" - thonë me mburrje. Politikanët tanë gjatë realizimit të agjendave të tyre personale dhe partiake, po i referohen termit "qytetar", në vend të termit "votues". Politikanët tanë thirren në interes të qytetarëve edhe atëherë kur falin tokën e Kosovës dhe urdhërojnë policinë që të ndalojnë zërin e mijërave qytetarëve, që protestojnë kundër demarkacionit. Politikanët tanë thirren në interes të qytetarëve edhe atëherë kur brenda Kosovës krijojnë pushtetin ekzekutiv serb dhe urdhërojnë policinë që të rrahin, burgosin dhe persekutojnë mijëra qytetarë, që protestojnë kundër 'Zajednicës'. Politikanët tanë thirren në emër të qytetarëve edhe kur lidhin koalicione gjatë natës, edhe kur prishin koalicione gjatë ditës. Kështu janë politikanët tanë, llomotisin si papagaj ndërsa sillen si hiena.

Shpeshherë qytetarët e Kosovës bien në konfuzion

Dhe nuk ndodh rastësisht që politikanët tanë ngatërrojnë termat. Ata kanë një prapavijë të zymtë. Por dallimi në mes termit qytetar dhe votues, është mjaftë i madh. Nocioni "qytetar" është nocion shumë i gjerë në krahasim me nocionin "votues". Qytetarë të Kosovës janë të gjithë persona fizikë të lindur dhe në rrethanat e caktuara ligjore edhe fetusi në barkun e nënës. Votues janë të gjithë personat fizikë me të drejtë vote, e kuptohet që e drejta e votës fitohet pasi që personi fizik arrin 18 vjet. Numri i votuesve kurrë nuk është i barabartë me numrin e qytetarëve. Politikanët tanë nën petkun e termit "qytetar", përpiqen që ta shtrijnë ndikimin tyre politik përtej votuesve dhe simpatizuesve të partisë së tyre. Politikanët tanë duke u thirrur në emër të qytetarëve dhe jo të votuesve të tyre, tentojnë që të fitojnë terren politik ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, kinse këta po "mendojnë dhe punojnë" për interesat e gjithë qytetarëve, dhe jo vetëm të votuesve të tyre. Shpeshherë qytetarët e Kosovës bien në konfuzion, kur dëgjojnë deklaratat e politikanëve që thirren në emër të qytetarëve. Ky konfuzion nxitet qëllimisht nga këta politikanë, sepse sa më shumë që shkaktojnë konfuzion, aq më lehtë e kanë që t'i manipulojnë qytetarët.

Vetëm institucionet shtetërore realizojnë agjenda shtetërore

Asnjë lider partie ose parti politike nuk ka të drejt që të thirret në emrin e qytetarëve, ngase ata nuk përfaqësojnë interesat e gjithë qytetarëve. Ata përfaqësojnë vetëm interesat e një pjese të qytetarëve, të cilët e votojnë dhe rreshtohen pas tij. Këta quhen votues të partive politike. Si mund ta dëshmojnë partitë politike se interesi i qytetarëve të Kosovës është "x" çështja. Çfarë mekanizmi ato përdorin për të kuptuar se cili vërtet është interesi i qytetarëve? A mund të përmendet një rast i vetëm në Kosovë që ka ndodhur kur një parti politike ose disa sosh, kanë ndërmarrë një veprim në interes të qytetarëve?! Politikanët tanë punojnë vetëm për interesat e votuesve dhe anëtarësisë së partisë së tyre. Bile, disa parti angazhohen vetëm për interesa klanore, e ndonjëra vetëm për interesa të liderit të tyre. Ligjërisht dhe praktikisht asnjë parti politike ose subjekt politik nuk ka mundësi për të punuar, dhe as që punon për interesin e gjithë qytetarëve. Partitë politike nuk realizojnë agjenda shtetërore por agjenda private. Agjendat e partive politike janë programet dhe planet, ku qëllimi i tyre i vetëm është marrja ose ruajtja e pushtetit. Të gjitha premtimet e tyre, se kanë projekte të ndryshme për "interes të qytetarët " janë vetëm iluzione optike në sytë e qytetarëve, sa për t'i mashtruar ata, dhe për t'ua vjedhur vullnetin e tyre politik -votën e tyre. Vetëm institucionet shtetërore realizojnë agjenda shtetërore, ku në fokus kanë mbrojtjen e interesave të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Vetëm institucionet shtetërore kanë të drejtë dhe obligim që të thirren në emër të qytetarëve dhe të punojnë në interes të qytetarëve. Politikanët tanë me propagandën e tyre në "emër të qytetarit", dëshirojnë që ta përvetësojnë mendjen e qytetarit të Kosovës, të cilin e shohin vetëm si mjet vote për t'u ngritur në pushtet. Politikanët tanë betohen në emër të qytetarit, e punojnë për xhepat e tyre. U premtojnë mirëqenie sociale qytetarëve ndërsa u sjellin mjerim social. U premtojnë mijëra vende të reja pune qytetarëve, ndërsa ua japin eksodin. U premtojnë shpresë qytetarëve, ndërsa ua vjedhin edhe të ardhmen. I bindur se kam të drejtë them: Nëse një kriminel vret një njeri, ai ka vrarë një individ. Nëse një politikan vret të ardhmen e një vendi, ai ka vrarë një popull. Politikanët tanë kanë vrarë të ardhmen tonë, qytetarë!

(Kosova Sot)