Fjalët e ashpra të Trump-it, të lehta, por pa domethënie

Fjalët e ashpra të Trump-it, të lehta, por pa domethënie
  • 24 May 2017 - 14:00

Shkruan: Fareed Zakaria 

Tani kemi të bëjmë me reflekse, kryesisht retorike

Derisa grumbullohen krizat ndërkombëtare dhe sfidat e politikës së jashtme, bota i ka drejtuar sytë kah SHBA-ja, për një strategji më të gjerë dhe konsistente, e cila mund të shërbejë si pikë mbështetjeje në të ardhmen. Por, politika e jashtme e presidentit Trump duket se po ndryshon nga mbledhja në mbledhje, krizë pas krize. Presidenti nuk i mohon këto ndryshime të vazhdueshme. Në fakt, ai i sheh ato si veti të dobishme, duke e përshkruar veten si fleksibil. "Jam krenar për këtë fleksibilitet", ka deklaruar ai këtë javë, duke shpjeguar ndryshimin e plotë të pikëpamjeve rreth intervenimit ushtarak amerikan në Siri. Në vitin 2013, javën kur inteligjenca e SHBA-së për herë të parë vlerësoi se Bashar al-Assad kishte përdorur armët kimike kundër popullit të tij, Trump shkruante: "Ne duhet të qëndrojmë vendosmërisht jashtë Sirisë, 'rebelët' janë po aq të këqij sa edhe regjimi aktual. Çka do të fitojmë për jetët tona, apo për miliardat e shpenzuara? Asgjë. Përgjatë vitit 2013, derisa dëshmitë rreth krimeve të luftës, të bëra nga regjimi sirian, ishin duke u rritur, Trump kishte shkruar disa herë në mediet sociale: "Mos e sulmoni Sirinë". Por, këtë javë, pas sulmeve të reja siriane me armë kimike, Trump e befasoi botën, duke deklaruar se "qëndrimi im rreth Sirisë dhe Assad-it ka ndryshuar shumë". Natyrisht, presidenti ka të drejtë që ta ndryshojë mendimin e tij rreth Sirisë, edhe pse nuk e dimë se cili do të jetë ky ndryshim. Dhe, ky episod na lë me përshtypjen se politika e jashtme e administratës Trump nuk është bërë me kujdes, duke vlerësuar opsionet e ndryshme, duke matur koston dhe fitimin, e më pas të bëhej përzgjedhja e rrugës së drejtë. Në vend të kësaj, tani kemi të bëjmë me reflekse, kryesisht retorike, duke reaguar në mënyrë instinktive ndaj situatës.

Reflekset e dobëta të administratës

Trump Rreth disa çështjeve zyrtarët e SHBA-së janë duke bërë deklarata të ashpra dhe agresive. Më pak se dy javë me administratën e re, këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn bëri me dije se Uashingtoni "po e njofton Iranin" pas një testi raketor. Një zyrtar i lartë deklaroi se "do të bëjmë veprime përgatitore", derisa vet presidenti premtoi se do ta shtrëngojë Kinën në aspektin diplomatik, duke shtuar se do ta përdorë Tajvanin si fuqi balancuese për të nxjerrë lëshime nga Kina. Të hënën, ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, deklaroi se, nëse KS i OKB-së nuk do të ndërmerrte asnjë veprim kundër regjimit të Assad-it, atëherë SHBA-ja mund të veprojë e vetme, po ashtu, këtë javë, presidenti vlerësoi se, nëse Kina do të refuzonte të paguante, SHBA-ja do të merret me rrezikun e Koresë Veriore në mënyrë të njëanshme. Fjalët e ashpra të superfuqisë së vetme tingëllojnë mirë, derisa të kuptohet se ato nuk kanë kurrfarë domethënieje. Tërheqja e vërejtjeve ndaj Iranit nuk u shoqërua me ndonjë veprim të dhunshëm. Uashingtoni do ta ketë tepër të rrezikshme që të përdorë forcën ushtarake nga Koreja e Jugut. Dhe, një sulm me bomba kundër Assadit nuk ka të ngjarë që të ndryshojë ndonjë gjë në konfliktin kaotik të Sirisë. Rezultati i përgjithshëm është se SHBA-ja ka bërë një varg kërcënimesh boshe, të cilat kanë ndikuar që SHBA-ja të shihet si vend i dobët. 

Njerëzit tek ai kanë shpresa për ndihmë

Reflekset e dobëta të administratës Trump janë manifestuar në një formë tjetër në Lindjen e Mesme. derisa në një masë të madhe ka vazhduar kampanjën e presidentit Obama kundër islamizmit radikal, administrata Trump e ka përforcuar përdorimin e dhunës gati në çdo fushë. Ajo e ka dyfishuar numrin e trupave amerikane në Sirinë veriore, ka dërguar më shumë ushtarë në Irak dhe ka zgjeruar përfshirjen e Amerikës në Jemen dhe Somali. Kjo tanimë ka rezultuar me më shumë viktima civile. Ajo që shqetëson më shumë, është përfshirja e SHBA-së në këto konflikte lokale. Problemi i SHBA-së në Lindjen e Mesme kurrë nuk ka pasur të bëjë me një dobësi ushtarake, por më shpesh nga fakti që, pas fitoreve taktike, SHBA-ja ka qenë e paaftë që të arrijë ndonjë marrëveshje politike, apo stabilitet. Problemi në luftën kundër ISIS-it qëndron te fakti se kush do të sundojë në ato zona, pasi që ato të çlirohen. Çka do të ndodhë pasi që bombat të pushojnë së rëni? Pa një plan për adresimin e këtyre çështjeve, përdorimi i thjeshtë i fuqisë ushtarake është refleks, e jo strategji. Presidenti vjen nga një botë e shout televiziv dhe nga bota e marrëveshjeve të patundshmërive, ku fjalët nuk kanë ndonjë peshë. Por, ai tani ka në duar kredibilitetin e fuqisë më të madhe në botë. Vendet e tjera të botës shikojnë presidentin e SHBA-së për të marrë sinjale dhe strategji. Njerëzit te ai kanë shpresa për ndihmë. Një gjë është të jesh i paparashikueshëm, por një gjë krejt tjetër të mos jesh koherent. 

(Kosova Sot)