Nuk do të votoj, por do të protestoj për injorimin ndaj qytetit tim

Nuk do të votoj, por do të protestoj për injorimin ndaj qytetit tim
  • 25 May 2017 - 08:27

SHKRUAN: FATON MEHMETI

Injorimi është ndër metodat më të vrazhda për t"i thënë dikujt se s'të dua, s'më duhesh pranë etj. Kur injoron një person natyrisht se nuk është gjë e mirë, por më fatkeq bëhet kur injoron një qytet të tërë, një komunitet. Në këtë rast kur injorohet një qytet i tërë, doemos krijohen mure ndarëse, të cilat vetëm sa thellojnë hendikepin mes njëri-tjetrit. Qyteti nga i cili unë vij dhe ende jetoj, fatkeqësisht ka pasur rastin të përjetoj shumë dhimbje, vuajtje e peripeci të ndryshme gjatë shekujve, që është e natyrshme po themi në sensin që çdo qytet edhe shtet ka historinë e vetë të mirë, ose jo të mirë. Kur injorimi vjen nga të tjerët përtypet me kollaj, por kur vjen nga i yti dhemb më shumë. Këtu edhe fillon historia jo e mirë me injorimin që ta bën i "yti". Për ata që nuk kanë shumë informacione, duhet thënë se qyteti i Ferizajt është i vendosur në jug të Kosovës, më saktësisht në anën e djathtë të autostradës Prishtinë - Shkup, 37 kilometra larg nga kryeqyteti, Prishtina. Komuna e Ferizajt ka 345 km² do të thotë vetë qytetit, duke përfshirë edhe të tjera të dyzet e pesë 45 fshatrat rreth tij. Kjo zonë ka një popullsi prej 158,690 banorë, sipas regjistrimit të fundit. Ferizaj është relativisht një qytet i ri. Kjo komunë ka filluar të zhvillohet që nga viti 1873, kur hekurudha dhe stacioni hekurudhor janë ndërtuar nga francezët. Në kohën e të folurit ka qenë një han, që ka pasur si pronar të tij Feriz Shashivarin. Bazuar në emër të pronarit Feriz Shashivari, ky qytet edhe e ka marrë emrin. 

Ferizaj asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ministër në Qeveri të Kosovës

Edhe pse është qyteti i dytë në Kosovë, pas Prishtinës, që i jep shteti të Kosovës të hyra vjetore, ndërsa anashkalohet aq shumë sa në thithjen e grantit qeveritar, pra merr të ardhura vjetore më pak se Podujeva. Granti i përgjithshëm sipas Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal është kështu. Ferizaj merr 5.246.176, ndërsa Podujeva merr 5.484.706, edhe pse Podujeva 88.499 banorë,ndërsa siç e cekëm më lart Ferizaj ka 170.000 banorë, pra shihet një anashkalim i komunës së Ferizajt. Një fakt tjetër i diskriminim të komunës së Ferizajt është se edhe pse ka në nivel qendror ka mbi 100.000 votues, Ferizaj asnjëherë nuk ka pasur ndonjë ministër në Qeveri të Kosovës, po është kënaqur vetëm me zëvendësministra. Ky injorim po vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe për këtë askush nuk jep përgjegjësi pse ndodh. Si ka mundësi që Drenasi me 67 mijë banorë ka ministra edhe deputetë më shumë se komuna e Ferizajt? 

Tani është koha për të reaguar

Duke qenë se po vazhdojmë të injorohemi padrejtësisht, ndonëse jemi komuna e tretë në Kosovë për nga numri i banorëve, pas Prishtinës dhe Prizrenit, në shenjë revolte kam iniciuar nismën për t'i bojkotuar zgjedhjet e 11 qershorit .Kjo nismë e nisur në 'fb' ka filluar të shpërndahet, edhe njerëz nga partitë e ndryshme më shkruajnë se edhe ata do t'i bojkotojnë. Kështu besoj se do japim një mesazh se nuk e tolerojmë injorimin, duam të përfaqësohemi ashtu siç e meritojmë. Të kemi edhe më shumë kandidatë për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit, pasi më shumë përfillen Drenasi e Malisheva sesa Ferizaj, ne meritojmë të përfaqësohemi me ministra, pse jo edhe me kryeministër. Tani është koha për të reaguar, prandaj unë do t'i bojkotoj këto zgjedhje për të dhënë një mesazh se nuk lejojmë të injorohemi, së bashku ne mundemi !

(Kosova Sot)