Çka mund të shkojë keq për SHBA-në në Siri? Një luftë me Rusinë

Çka mund të shkojë keq për SHBA-në në Siri? Një luftë me Rusinë
  • 28 May 2017 - 13:45

Shkruan: Colin H. Kahl

Kur sekretari i Shtetit, Rex Tillerson të udhëtojë në Moskë këtë javë, tema Nr. 1 do të jetë Siria, dhe situata nuk do të mund të ishte më serioze. Nëse administrata Trump dhe Kremlini nuk janë në gjendje që ta arrijnë një qëllim të përbashkët në Siri, atëherë dy fuqitë e mëdha bërthamore mund të marrin rrugë të ndryshme, të kundërta. Në mëngjesin e së premtes së kaluar, në Siri, 59 raketa amerikane "Tomahawk" ranë mbi bazën ajrore siriane "Shayrat", në shenjë hakmarrjeje për shkak të përdorimit të gazrave helmuese kundër civilëve nga ana e forcave të presidentit Bashar al-Assad, dy ditë më parë. Kjo ishte një kthesë mahnitëse për një president sikur Trumpi, i cili kishte apeluar te paraardhësi i tij që të mos e sulmonte Sirinë në rrethana të ngjashme, në vitin 2013, si dhe për një administratë e cila ishte treguar indiferente ndaj Assadit vetëm pesë ditë para sulmit. Veprimet e Trump-it hasën në mbështetje nga aleatët e SHBA-së, por rusët, patronët kryesorë të Assadit, u zemëruan tej mase. Kremlini e quajti sulmin amerikan "akt të agresionit", derisa kryeministri rus, Dmitry Medvedev, tërhoqi vërejtjen se ky sulm i kishte vënë SHBA-në dhe Rusinë buzë një konflikti ushtarak. Ndërkohë, ushtria ruse suspendoi 'linjën urgjente' të dizajnuar për të evituar incidentet midis forcave amerikane dhe ruse në Siri, si dhe bëri publike planet për forcimin e mbrojtjes kundërajrore siriane.

Një konfrontim ushtarak me Moskën është real

Pa marrë parasysh sa të justifikueshme dhe moralisht të kënaqshme të jenë sulmet e tilla, duhet thënë se çdo përdorim i forcës ushtarake është veprim serioz. Mënyra e gjerë me anë të së cilës zyrtarët amerikanë kanë folur rreth qëllimit të sulmit, e rritë gjasën për zbutje të këtij misioni. Në deklaratën e tij në lidhje me këtë sulm, Trump e quajti atë esencial "për parandalimin dhe pengimin e përhapjes së përdorimit të armëve kimike". Zyrtarë të tjerë të administratës e kanë justifikuar këtë sulm në baza të ngjashme. Por, Trump po ashtu përshkroi vendimin e tij si pjesë e përpjekjeve më të gjera, "për t'i dhënë fund gjakderdhjes në Siri", duke sugjeruar se ai mund të shqyrtojë veprime tjera ushtarake, me qëllim që t'i japë fund luftës në Siri. Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, e deklaroi këtë në mënyrë eksplicite gjatë ditëve të kaluara, duke deklaruar të premten se: "Ne jemi të gatshëm që të bëjmë më shumë, por shpresojmë se një gjë e tillë nuk do të jetë e nevojshme. Është koha që tërë shtetet e civilizuara të ndalin tmerret që janë duke ndodhur në Siri dhe ta kërkojnë një zgjidhje politike". Sa më të gjera që të jenë qëllimet e administratës në Siri, aq më shumë ajo do të jetë e prirë që ta eskalojë situatën atje. Tanimë, disa aleatë regjionalë të cilët kaherë kanë ëndërruar që ta përfshinin SHBA-në në luftë kundër Assadit, sikur Turqia, e kanë përshkruar sulmin amerikan si "të pamjaftueshëm" dhe kanë apeluar për veprime më të fuqishme. Dhe, skifterët e Kongresit, sikur senatorët John McCain dhe Marco Rubio, janë duke nxitur Trumpin që të vazhdojë me sulmet duke iu ofruar grupeve opozitare siriane më shumë armatim, duke imponuar një zonë të ndalim-fluturimeve dhe duke bërë sulme të tjera ajrore, me qëllim që të bëjnë presion te Rusia dhe Assadi që të pajtohen me një zgjidhje politike. Në ndërkohë, forcat ajrore siriane tanimë kanë bombarduar sërish qytetin veriperëndimor Khan Sheikhoun - të cilin më parë e kishin sulmuar me helme kimike. Dhe, derisa Assad vazhdon me vrasjen e civilëve, me apo pa helme kimike, apelet për një përfshirje më të thellë të SHBA-së vetëm sa do të shtohen. Nëse SHBA-ja shkon kësaj rruge, atëherë perspektiva për një konfrontim ushtarak me Moskën është reale. Disa mijëra trupa ushtarake ruse janë të shpërndara në bazat kryesore ushtarake të Sirisë. Moska po ashtu ka dërguar atje disa prej sistemeve më të sofistikuara të mbrojtjes kundërajrore, si dhe avionët rusë ruajnë hapësirën ajrore të Sirisë. Kështu, një kampanjë e gjerë amerikane, me qëllim të rrëzimit të Assadit nga pushteti, duke sulmuar bazat ajrore siriane dhe ndërtesat e komandës dhe kontrollit, rrezikon që të vrasë edhe ushtarët rusë në terren. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një zonë të ndalim-fluturimeve, e cila me gjasë do të kërkonte sulme kundër mbrojtjeve ajrore siriane dhe ruse, gjë që mund të çojë deri te incidentet ajrore midis avionëve rusë dhe amerikanë. Në cilëndo prej këtyre rrethanave, perspektiva e përkeqësimit të konfliktit shtohet nga vendimi i Moskës që ta suspendojë "situatën pa konflikt" midis ushtrive amerikane dhe ruse. Në tentim që të reagojnë ndaj sulmit, Rusia dhe regjimi i Assadit kanë të ngjarë që, ndaj vazhdimit të sulmeve dhe vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit, duke riorientuar mbrojtjet e tyre ajrore kah SHBA-ja dhe avionët e koalicionit, të përfshirë në luftimin e ISIS-it, apo duke sulmuar zonat opozitare në Sirinë veriore, ku rreth 1,000 trupa amerikane gjenden në terren. Kjo mund ta pengojë kampanjën kundër ISIS-it në kohën kur kryeqyteti i ISIS-it, Raka, gjhendet nën një sulm nga forcat e mbështetura nga SHBAja. Kjo mund ta rrezikojë jetën e ushtarëve amerikanë në terren.

Diktatori sirian mund të tentojë ta testojë Trump-in përsëri

Rreziqe për eskalimin e situatës ka edhe nëse administrata Trump nuk vazhdon kësaj rruge dhe i përmbahet një objektivi më të ngushtë, të pengimit të sulmeve tjera me armë kimike. Sipas njoftimeve, Trump është njoftuar rreth opsioneve hakmarrëse ndaj Assadit. Njëri prej propozimeve kërkonte 'sulme të ngopura" të drejtuara kundër aeroporteve dhe ndërtesave tjera në qytetet siriane, me qëllim të shkatërrimit të aftësisë së Assadit që ta përdorë forcën e tij ajrore për të bërë sulme të tjera kimike. Pas insistimit të sekretarit të mbrojtjes, Jim Mattis dhe këshilltarit për siguri kombëtare, H.R. McMaster, Trump refuzoi këtë opsion, në favor të sulmit me raketa kundër një baze të vetme ajrore. Thuhet se ky propozim shihej si më proporcional dhe me më pak gjasa që të vriste ushtarë rusë. Me fjalë të tjera, Trump zgjodhi një pako të sulmeve të kufizuara, meqë ai dhe këshilltarët e tij kuptuan rreziqet që kanoseshin nëse SHBA-ja do të ndërmerrte më shumë sulme. Por, këtu qëndron edhe dilema e madhe që Trump të shkojë përpara. Një deteriorim i suksesshëm kërkon një kërcënim të besueshëm që të sulmohen forcat e Assadit përsëri, nëse ky regjim vazhdon me përdorimin e armëve kimike, apo të bëjë shkelje tjera. Por, pasi Trump tanimë ka refuzuar një reagim më të gjerë ushtarak, mund ta ketë të vështirë që në mënyrë të besueshme ta bëjë me dije se është i gatshëm për përdorimin e këtij opsioni, varësisht nga veprimet e ardhshme të Assadit. Në këtë kontekst, rreziku i keqllogaritjes është real. Diktatori sirian mund të tentojë ta testojë Trump-in përsëri, duke u munduar që të tregojë se presidenti është "tigër nga letra". Dhe, pasi Trump ka investuar kredibilitetin e tij personal, mund ta ndjejë një shtytje politike, apo psikologjike që të reagojë, përkundër rreziqeve reale që dalin nga një konfrontim direkt ushtarak me Rusinë. Para se Tillerson të arrijë në Moskë për takimin e së mërkurës, administrata ka nevojë për një plan të qartë për evitimin e shkeljes në dërrasë të kalbur. Kjo nënkupton që Trump dhe ekipi i tij të jenë më precizë dhe konsistentë rreth asaj se cilat janë qëllimet e SHBA-së këtu. A është qëllimi vetëm të pengohen sulmet e ardhshme me armë kimike, apo janë duke u munduar që t'i japin fund konfliktit në Siri? Në rast të këtij qëllimit të fundit, a do insistojë administrata në largimin e Assadit, apo janë të hapur ndaj mundësive të tjera, që nënkuptojnë qëndrimin e Assadit në pushtet?

Zhytja në llucën siriane

Të dielën, zyrtarë të administratës dukej se sugjeronin të gjitha këto që u përmendën më lart. Haley insistonte se: "Nuk ka kurrfarë opsioni që nënkupton mbetjen e Assadit në pushtet". Megjithatë, Tillerson tërhiqte vërejtjen kundër ndryshimit të regjimit, duke shtuar se administrata e Trump-it do të insistojë në përfundimin e luftës civile në Siri, duke krijuar zona të armëpushimit dhe duke rikthyer procesin politik, duke thënë se Assad dhe Rusia do të duhej të merrnin pjesë në këtë zgjidhje. Pa marrë parasysh se çka do të vendosë administrata, qasja e tyre duhet të ketë parasysh informatat ushtarake, duke ndërmarrë hapa për zbutjen e situatës. Dhe, veprimet ushtarake të administratës duhet të mbështeten nga një strategji diplomatike, e cila përfiton nga ajo që është krijuar nga sulmet, pa e zmadhuar tej mase rolin e Uashingtonit. Duke pasur parasysh interesat vitale të Rusisë në Siri, Moska nuk ka të ngjarë që të reagojë pozitivisht ndaj ultimatumeve të SHBA-së dhe qëndrimeve maksimaliste. Nëse administrata nuk e gjen një rrugë për t'ia mundësuar Kremlinit një dalje nga konflikti 'me fytyrë', atëherë në vend të zgjedhjes së tij, mund të presim përtëritjen e konflikteve. Derisa entuziazmi pas sulmit është duke u zbehur, gjetja e një rruge për të çuar përpara interesat amerikane në Siri, duke evituar një luftë me Rusinë, është çështje urgjente. Fundja, zhytja në llucën siriane do të ishte e keqe. Por, Lufta e Tretë Botërore do të ishte ende më e keqe.  
 

(Kosova Sot)